Parada e fitores në Moskë: Kur Putini flet për drejtësi dhe paqe

Published on:

Fjalimi i Putinit gjatë paradës ushtarake më 9 maj 2025. Foto:kremlin.ru

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Putini sundon në mënyrë autoritare në Rusi prej një çerek shekulli, dhe ka mbajtur fjalim në Paradën e Fitores më 9 maj plot 22 herë (fjalimin në paradë zakonisht e mban presidenti i Rusisë, ndaj Putini nuk e bëri këtë nga viti 2008 deri më 2011 kur ishte kryeministër). Përmes këtyre fjalimeve të tij përcillet propaganda, gjë që vlen edhe për atë të fundit, por disa analistë mendojnë se këtë vit Putini e ka zbutur retorikën e tij, çka lidhet me negociatat e iniciuara nga Trump, por edhe me arsye të tjera.

 

Shkruar nga: Vangjel Bashevski

 

Për të ashtuquajturën drejtësi, unitet dhe pathyeshmëri

 

Në fjalimin e tij të fundit më 9 maj, ndër të tjera, Putini deklaroi (përkthim nga rusishtja):

E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. I gjithë vendi, shoqëria dhe populli i mbështesin pjesëmarrësit në Operacionin Special Ushtarak. Ne jemi krenarë për trimërinë dhe vendosmërinë e tyre, për atë forcë shpirtërore që gjithmonë na ka sjellë vetëm fitore.

Operacioni Special Ushtarak (OSU) është një eufemizëm për agresionin e Putinit ndaj Ukrainës, që përbën shkelje si të së drejtës ndërkombëtare, ashtu edhe të ligjit rus, i cili ndalon zhvillimin e një lufte agresive (neni 353 i Kodit Penal të Rusisë). Në agresionin e Putinit ndaj Ukrainës nuk ka asnjë drejtësi, ashtu siç nuk ka drejtësi as në krimet e luftës që ai i kryen atje, dhe as të vërtetë në dezinformatat që i shpërndan vazhdimisht.

Me këtë deklaratë, Putini propagandon një mendim të vetëm dhe vepron sipas parimit “Shteti – jam unë”, sikur Rusia të jetë pronë e tij private, sikur të gjithë qytetarët e saj të mendojnë si ai dhe sikur të kenë liri të shprehin mendimin e tyre. Në realitet, Putini ka vendosur dënime drakoniane për “përhapje të lajmeve të rreme për forcat e armatosura” (neni 207.3) dhe për “diskreditimin” e tyre (neni 280.3), duke e mbyllur kështu çdo mundësi për kritikë.

Ata që megjithatë e kritikojnë regjimin, rrezikojnë edhe jetën e tyre – siç u ndodhi opozitarëve Boris Nemcov dhe Aleksei Navalni. Për shkak të luftës dhe represionit, rreth një milion rusë e kanë lënë vendin e tyre. Zgjedhjet ose sondazhet në kushte të tilla represive nuk janë të besueshme, ndaj Putini nuk ka legjitimitet të flasë në emër të të gjithë rusëve, dhe nuk mund të dimë me siguri cili është qëndrimi i vërtetë i shumicës prej tyre.

Vendosja në të njëjtën kategori e të ashtuquajturit OSU dhe luftës kundër Rajhut të Tretë është një përpjekje për të krijuar një paralelizëm mes tij dhe Ukrainës së sotme, të cilën Putini pa bazë e akuzon për neonazizëm. Por Ukraina e ka ndaluar ideologjinë naziste me ligj të miratuar më 9 prill 2015, dhe në krye të shtetit është Volodimir Zelenski, i cili ka prejardhje hebraike. Stërgjyshi dhe stërgjyshja e tij qenë viktima të Holokaustit, ndërsa gjyshi i tij ka luftuar kundër nazistëve si ushtar sovjetik – ashtu si miliona qytetarë të Ukrainës. Si kudo tjetër, edhe atje ekzistojnë disa neonazistë, por ata janë të papërfillshëm dhe në margjinë.

 

Rusia nuk është konsistente në antifashizmin e saj

„Në fjalimin e tij të fundit të 9 Majit, Putini e tha edhe këtë të pavërtetë:“

„Rusia ka qenë dhe do të jetë një pengesë e pathyeshme ndaj nazizmit, rusofobisë dhe antisemitizmit.“

Nga pikëpamja historike, Rusia ka qenë jashtëzakonisht antisemite. Perandoria Ruse i ka diskriminuar hebrenjtë, të cilët lejoheshin të jetonin vetëm në zona të caktuara të saj; ata vriteshin në pogrome dhe kundër tyre përhapej gjuhë urrejtjeje, si në pamfletin “Protokollet e të Urtëve të Sionit”. Kulminacioni i kësaj ishte krijimi i lëvizjes ruse antisemite “Qindra e Zezë” (rusisht: Черносотенцы), që i ngjante nazistëve të ardhshëm.

Pas rënies së perandorisë, politikanë të tillë u shfaqën në emigracionin e Gardës së Bardhë, ku ndërmjet dy luftërave botërore formuan Organizatat Fashiste Pan-Ruse si ajo e Anastasi Vonsjackit, Partinë Fashiste Ruse të Konstantin Rozaevskit dhe Lëvizjen Kombëtare dhe Sociale Ruse të Pavel Bermont-Avalovit.

As Rusia zyrtare, që atëherë ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, nuk ishte konsistente në antifashizmin e saj. Me Paktin Molotov-Ribentrop (23.8.1939), Moska u bë aleate e Adolf Hitlerit. Ata e ndanë Poloninë mes tyre, pas çka mbajtën parada ushtarake të përbashkëta dhe konferenca të policisë sekrete gjermane Gestapo dhe asaj sovjetike NKVD, ndërsa pranë Murmanskut në Rusi u hap një bazë detare gjermane. Moska madje ia ekstradoi Hitlerit antifashistët gjermanë të strehuar në BRSS, siç ishte Margarete Buber-Neumann. 

Hitleri e shkelu paktin me sulmin ndaj Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, dhe mes rusëve ai gjeti bashkëpunëtorë, të cilët formuan ushtri të tyre: ROA e Andrej VlasovitRONA e Bronislav KaminskitRNA e Boris Smislovskit dhe kozakët si Ivan Kononov.

Ironikisht, në agresionin ndaj Ukrainës tani marrin pjesë neonacistë rusë si Aleksej Milçakov me njësinë “Rusich“. Rusia ka një skenë neonaziste të zhvilluar dhe më 22 mars 2015, në Shën Petersburg u mbajt një kongres ndërkombëtar i partive të tilla, ku morën pjesë: NPD (Gjermani), BNP (Britani), Forza Nuova (Itali) dhe Agimi i Artë (Greqi).

 

„BRSS për shumëkënd nuk ka qenë çlirimtar.“

„Putini në fjalimin e tij tha edhe si vijon:“

„Sot na bashkojnë ndjenjat e gëzimit dhe trishtimit, krenarisë dhe mirënjohjes, përkulja para brezit që e rrëzoi nazizmin, i cili me çmimin e miliona jetëve fitoi lirinë dhe paqen për mbarë njerëzimin.“

Në kundërshtim me narrativën e përhapur se Bashkimi Sovjetik kishte rol çlirimtar në luftë, për miliona njerëz ai ishte një pushtues. Shembull për këtë janë Lituania, Letonia dhe Estonia, të cilat BRSS-i i aneksoi dhe më pas atje zbatoi represione brutale staliniste.

Pas luftës, BRSS vendosi regjime kukulla represive në të gjithë Evropën Lindore, ndërsa kampet naziste si Sachsenhausen, Auschwitz dhe Buchenwald i riktheu në kampe staliniste. Nga ky terror veçanërisht vuajti Polonia. Pas ndarjes së saj, BRSS kreu masakra ndaj mijëra robërve polakë, si ajo në Katyn.

BRSS i mori Polonisë territore të banuara me bjellorusë dhe ukrainas, kinse për t’i “çliruar”, por edhe ata u nënshtruan represioneve të tij brutale.

BRSS gjithashtu e sulmoi Finlandën dhe i mori territore, siç veproi edhe me Çekosllovakinë dhe Rumaninë. Një pjesë të territorit të marrë ia bashkëngjiti Moldavisë Sovjetike, duke propaganduar ekzistencën e një kombi të veçantë moldav për ta larguar nga kombësia rumune. BRSS i mori territore edhe Gjermanisë – qytetin Königsberg dhe rrethinën e tij (sot Rajoni i Kaliningradit në Rusi), ku zhvilloi pastrime etnike të gjermanëve etnikë.

Pas fitores kundër Hitlerit, BRSS pushtoi pjesën veriore të Koresë, e cila deri atëherë ishte nën okupim japonez, dhe aty vendosi një regjim brutal që vazhdon edhe sot.

„Retorikë e zbutur“

Disa analistë mendojnë se për shkak të negociatave për luftën në Ukrainë, të inicionuara nga Donald Trump, Putin këtë herë u përmbajt nga përdorimi i fjalëve të ashpra si në fjalimet e tij të mëparshme të 9 Majit. Në këtë ndikoi edhe prania e një spektri më të gjerë mysafirësh të huaj në paradë, për të cilët ndoshta do të ishte shumë nëse Putin do të përdorte epitete si “Perëndimi i kalbur”, “Ukrainasit-fashistë” etj. (duke pasur parasysh se kjo ishte parada për 80-vjetorin e fitores).

Prandaj, Putin e shprehu këtë në një mënyrë më diplomatike dhe deklaroi se të gjithë aleatët e Rusisë nga Lufta e Dytë Botërore kontribuan në fitoren, edhe pse nuk i përmendi me emër ata perëndimorë si SHBA dhe Britania e Madhe.

Parregullsi

Në fjalimin e tij, Putini përmendi me emër Kinën, trupat e së cilës madje morën pjesë në paradë, gjë që nuk ishte shumë e arsyeshme, duke pasur parasysh se Kina nuk kontribuoi në fitoren ndaj Rajhut të Tretë, megjithëse luftoi kundër aleatëve të tij japonezë. Më 9 maj festohet fitorja ndaj Rajhut të Tretë, jo ndaj Japonisë, e cila kapitulloi më 2 shtator 1945. Në paradë kishte edhe pjesëmarrës të tjerë të huaj, të cilëve prania u duk më shumë apo më pak e pakuptimtë nga pikëpamja historike (Laos, Myanmar, Vietnam e të tjerë).

Duket se për shkak të izolimit të tij, Putini u detyrua të ftojë çdo lloj mysafiri, edhe pa ndonjë logjikë historike. Rusia më parë nuk ishte kaq e izoluar sa sot, dhe në paradën e vitit 2010 marshuan së bashku trupat ruse, amerikane, britanike, franceze, polake dhe ukrainase, gjë që nga pikëpamja historike ishte shumë më e justifikuar.

„Deklaratë kontraverse“

„Një pjesë mjaft kontraverse e fjalimit të Putinit ishte kjo:“

„Detyra jonë është të mbrojmë nderin e luftëtarëve dhe komandantëve të Ushtrisë së Kuqe dhe veprën e madhe heroike të përfaqësuesve të kombësive të ndryshme, të cilët përjetësisht do të mbeten në historinë botërore si ushtarë rusë.“

Putini këtu përdori terminin „русские“ (ruse), që do të thotë rusë etnikë, në dallim nga termi „россияне“ (banorë të Rusisë), i cili përfshin të gjithë banorët e Rusisë pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Kjo do të thotë se të gjithë ata luftëtarë për të cilët ai fliste, i konsideron rusë etnikë, gjë që është faktikisht e pasaktë dhe madje mund të jetë ofenduese për ndjenjat kombëtare të shumë njerëzve në Rusi dhe më gjerë në ish-BRSS.

Ndoshta Putini ka synuar faktin që në shumë pjesë të botës, BRSS dhe Rusia përdoren si sinonime, gjë që ndodh nga padija ose sepse Rusia Sovjetike ishte shtylla themelore e BRSS-së dhe republika e saj dominante, e cila u krijua në territorin e ish-Perandorisë Ruse.

Sidoqoftë, do të ishte jashtëzakonisht e padrejtë që gjithçka sovjetike të barazohet me atë që është rusisht, sepse në radhët e ushtrisë sovjetike kishte anëtarë nga shumë etni të ndryshme. Prandaj, deklarata e Putinit mund t’i duket dikujt si përpjekje për asimilimin e gjithë banorëve të Rusisë ose për pretendimin rus mbi gjithçka që është sovjetike. Çfarë dëshironte të thoshte saktësisht Putini – nuk është e qartë.