Analiza e “Vërtetmatësit” për ndikimet e dëmshme të huaja që synojnë Holandën në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë tregon një gërshetim të dezinformatave të njëjta ose të ngjashme që shfaqen në të gjitha vendet, njëkohësisht ose me vonesë. Megjithatë, këto janë postime sporadike, pa frekuencë apo intensitet të madh, por me tone vazhdimisht të ngjashme. Profilet e rrjeteve sociale që përhapin këto konstruksione janë shumë shpesh të afërta dhe poztive në lidhje me politikat e Kremlinit, por disa e paraqesin veten edhe si mbështetës të lëvizjes Q Anon dhe teori të konspiracionit.
Shkruan: Miroslava Simonovska
Narrativat e huaja të dëmshme në Ballkan synojnë Bashkimin Evropian në tërësi, por edhe shtetet anëtare për të cilat paraprakisht janë përgatitur dezinformata të ndryshme kritike. Nga ky rregull nuk bën përjashtim Holanda, kjo arrihet duke e portretizuar këtë vend me tone të ndryshme përçmuese. Ato synojnë të denigrojnë shoqërinë holandeze dhe vlerat e saj liberale, për ta paraqitur Holandën si “absurde dhe moralisht të paqëndrueshme” dhe si një “lojtar të keq në komunitetin ndërkombëtar”. Në të njëjtën kohë, Mbretëria portretizohet si një “shoqëri e çuditshme”, e cila është shumë e ngjashme me planin e Kremlinit për të portretizuar Bashkimin Evropian në tërësi si një vend dekadent, devijant me norma të degjeneruara, në kundërshtim me vlerat tradicionale që respektohen në Rusi.
Në këtë kontekst, në Maqedoninë e Veriut ka njerëz që manipulojnë deklaratat e politikanëve holandezë, për t’u paraqitur qytetarëve një version të shtrembëruar të asaj që kanë thënë realisht politikanët holandezë. Ai version i shtrembëruar që arrin shumë shpesh te audienca maqedonase funksionon në favor të Rusisë.
Deklarata e shtrembëruar e Kaysa Olongren është në favor të Rusisë
Për shembull, i tillë ishte rasti kur deklarata e ish-ministres së mbrojtjes së Holandës, Kaisa Olongren, u shtrembërua. Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, i cili u zhvillua më 3 dhe 4 tetor 2023, ajo theksoi se është e nevojshme që Holanda të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
Është shumë në interesin tonë të mbështesim Ukrainën, sepse ata po e bëjnë këtë luftë, jo ne. Mendoj se duhet të hyjmë në dialog me kolegët dhe miqtë tanë amerikanë, sepse ata kanë të njëjtin interes. Në njëfarë kuptimi, mbështetja e Ukrainës është një mënyrë shumë e lirë për të siguruar që Rusia me këtë regjim nuk do të përbëjë kërcënim për aleancën e NATO-s. Dhe është jetike që ne të vazhdojmë këtë mbështetje, tha Olongren.
Por në disa profile që aspirojnë të promovojnë teori konspirative të Q Anon, një deklaratë e tillë u shtrembërua dhe më pas manipuloi ndjenjat e qytetarëve në kontekstin e viktimave nga pushtimi ushtarak rus në Ukrainë. Deklarata e Olongren u vulgarizua në atë mënyrë që autori i postimit shtoi konkluzionin e tij se “varrezat në Ukrainë po mbushen me viktima të politikës së paarsyeshme të perëndimit”.
Megjithatë, kur merret parasysh deklarata e plotë e ish-ministres së mbrojtjes së Holandës, duket se ajo është nxjerrë jashtë kontekstit dhe nuk po flet për nxitje të luftës, por për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, e cila po përballet me pretendimet territoriale të Rusisë dhe që është shqetësuese edhe për të gjithë aleancën e NATO-s. Manipulimi i tezave si sakrificë ee “Perëndimit kolektiv”, paraqitet sikur Ukraina nuk lufton për vete kundër Rusisë, edhe pse nuk e sulmoi Rusinë, por Rusia sulmoi Ukrainën. Këtë e ka vënë në dukje dhe sqaruar “Vërtetmatësi”, duke shqyrtuar dezinformatat për këtë temë. Meqë ra fjala, një lajtmotiv i dukshëm i propagandës pro Kremlinit është fajësimi i kundërshtarit për atë që po bën Rusia, për të defokusuar dhe justifikuar, siç u veprua në këtë rast, në “shpinën” e deklaratës së ish-ministrit për mbrojtje të Holandës.
Të djathtët holandezë të pranishëm në Sputnik, të cituar edhe në rrjetet sociale në gjuhën maqedonase
Tema e emigrantëve është vënë në dukje prej kohësh si e diskutueshme dhe e përshtatshme për propagandën ruse në përpjekje për të portretizuar Holandën si një “tokë e kaosit liberal”. Në Maqedoni përmes grupit në Facebook “A ka erë fundi kështu”, pa autor të njohur, por me përmbajtje politike, është shpërndarë fjalimi i komentatores holandeze Eva Vlardingerbroek, e cila ka shkaktuar komente euroskeptike. Në fjalim, Vlaardingerbroek ndan teorinë e një komploti për të zëvendësuar evropianët me një popullsi afrikane përmes migrimit dhe si një nga pasojat e kësaj, Holanda paraqitet si një vend ku krimi është në rritje. Por në median shtetërore ruse “Sputnik” interpretimet e saj paraqiten që në vitin 2022 me titullin: “Migrimi i pandalshëm është fajtor për trazirat e myslimanëve kundër atyre që dogjën Kuranin në Suedi”.
Sputnik, në fakt, e citon shpesh kur ajo lavdëron Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, fjalimet dhe tezat e tij historike, në kurriz të fyerjeve dhe poshtërimeve që ndan për Perëndimin dhe Evropën, dhe ishte e pranishme edhe në një intervistë me gazetarin amerikan Tucker Carlson që nga koha kur ai punonte për kanalin e lajmeve të krahut të djathtë Fox News. Për organizatën joqeveritare “Crisis Media Center of Ukraine”, nga ana tjetër, Eva Vlardingerbrook nuk është gjë tjetër veçse një propagandiste e rëndësishme e fshehur e Kremlinit dhe pikërisht kështu e portretizon atë:
Ajo është një aktiviste e krahut të djathtë e cila është e diskutueshme me deklaratat e saj publike. Shumë prej prezantimeve të saj paraqesin tendenca populiste, të karakterizuara nga thjeshtësimi dhe polarizimi. Ajo kritikon ashpër migrimin në Holandë, “erozionin e identitetit kombëtar”, “transferimin e sovranitetit te figurat politike të pazgjedhura në Bruksel”, vaksinimin kundër Covid. Kohët e fundit, ajo ka qenë veçanërisht e zëshme për protestat e fermerëve në BE, ku përpiqet të krijojë një ndarje tipike populiste mes nesh (qytetarëve holandezë) dhe tjerëve – emigrantë dhe politikanë të BE-së, të cilët ajo i akuzon për minimin e identitetit kombëtar holandez, shkruan kjo OJQ.
Fjalimi në të cilin përmendet Holanda e gjeti rrugën te publiku maqedonas përmes grupit të përmendur në Facebook “A ka erë fundi kështu”, ndonëse përmban të pavërteta të shumta, ndër të cilat më e madhja është “teoria e zëvendësimit të madh”. Është një teori konspirative që përdoret shpesh nga grupet e ekstremit të djathtë për të sugjeruar se popullsia e bardhë e Evropës po zëvendësohet qëllimisht nga emigrantë jo-evropianë. Kjo teori nxit besimin se elitat e majta dhe çifutët po projektojnë një zëvendësim etnik dhe kulturor të popullsisë së bardhë me emigrantë jo të bardhë që do të çojë në “gjenocid të bardhë”. Por të dhënat zyrtare tregojnë se në kundërshtim me atë që thotë Vlaardingerbroek në fjalim (që migrantët janë më shumë se popullsia vendase në Bruksel, Amsterdam dhe dy qytete të tjera të mëdha në Holandë, si dhe në Londër), është se migrantët nuk e kalojnë popullsinë vendase në asnjë nga qytetet evropiane që ajo përmend. Në Amsterdam, njerëzit që jetojnë në qytet, por kanë lindur jashtë vendit ose janë emigrantë, përbëjnë 37.1 për qind të popullsisë së Amsterdamit gjatë vitit 2023 sipas Statistikave të Holandës. Në Hagë përqindja e tyre është 37.3, kurse në Roterdam 32.3 për qind.
Të djathtët dhe grupet anti vaksinave në Ballkan po raportojnë për Vlardingerbrook
Gjithashtu vërehet se në Slloveni fjalimin e Vlardingerbrookut e kanë ndarë edhe politikanë, duke përfshirë edhe kryetarin e Partisë Kombëtare Sllovene (SNS), Zmago Jelinçiq, i cili konsiderohet në opinion si ultra-nacionalist dhe që prej kohësh është kundërshtar i migrimit dhe BE-së në përgjithësi. (Nga minuta 17 deri në 18.30 e bisedës).
Në rajon, një faqe interneti e njohur që përhap dezinformata të shumta gjatë pandemisë së Covid, Epoha e Kroacisë, ishte gjithashtu e shpejtë për të ndarë fjalimin e Vlardingerbruck.)
Rrjedhimisht, fjalimi gjeti rrugën e tij drejt audiencës ballkanike dhe përmes grupeve në Facebook që promovonin lëvizje dhe qëndrime anti vaksinave.
Çështjet mjedisore si temë për dezinformim
Një tjetër narrativë që u përdor kundër Holandës në vend dhe u shpërnda nga profilet private në Facebook, ishin masat që shteti synon të reduktojë emetimin e gazrave të dëmshëm të shkaktuar nga plehrat e bagëtive. Vlardingerbrook përmes “Russia Today” pretendoi dy vjet më parë se të majtët dhe antiglobalistët përmes “tranzicionit klimatik” dhe këmbënguljes për energjitë e rinovueshme duan të ngrijnë dhe të vdesin nga uria evropianët.
Dezinformata për të njëjtën temë është e pranishme në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, me qëllim që shoqëria holandeze të paraqitet si jo kohezive dhe e ndarë, në “luftë me vetveten”.
Në Maqedoninë e Veriut, statuset u shpërndanë në Facebook, duke kritikuar në mënyrë të parëndësishme përkushtimin e Holandës për mjedisin dhe ligjet për të cilat Holanda u angazhua para BE-së. Kështu, protestat e fermerëve në Holandë u keqpërdorën për të dezinformuar se vendi kishte “ndaluar kultivimin e lopëve”. Në një nga postimet, e gjithë situata lidhet me Rusinë:
Holandë:
Lopët pjerdhin shumë dhe ndotën ajrin (shkaktuan) ngrohjen globale, ndaj heqin dorë nga blegtoria!?
Pra, çfarë të bëjmë me veganët? A po hanë të njëjtin ushqim që i bën ata me gazra?
Epo, disa kanë kuptuar se njerëzit gjithashtu krijojnë shumë gazra duke marrë frymë dhe shkaktojnë ngrohjen globale!
Të mos marrim frymë! Të paktën gjysmë ore. Të gjithë njerëzit. Le të mbajmë papritmas frymën tonë për 30 minuta. Dhe ne do ta zgjidhim problemin. Përgjithmonë.
Por mbaj mend që në lidhje me Krimenë, Holanda vendosi një embargo, sanksione ndaj Rusisë dhe Rusia ishte importuesi më i madh i qumështit dhe produkteve të qumështit nga Holanda. Më pas, edhe pse qumështi nuk ishte në listën e sanksioneve, Rusia hoqi dorë nga blerja e qumështit dhe produkteve të qumështit nga Holanda, gjeti një burim tjetër të këtyre produkteve në vitin 2014, edhe Lavrov u theksoi budallenjve perëndimorë se ata kurrë nuk do të mund të shesin më disa produkte në Rusi dhe deri në vitin 2018, në tre vjet e gjysmë, prodhoi vetë qumështin dhe produktet e qumështit, madje edhe eksporton. Rusia gjithashtu u bë një eksportues i madh i mishit të derrit nga një importues. Kina po blen gjithnjë e më shumë mish derri nga Rusia dhe po redukton blerjen nga SHBA-të.
Tani holandezët janë pak të lënduar, por kaq. Epo le të dhemb.
Mend për herë tjetra, shkruhet në postimin e një përdoruesi të caktuar që deklarohet si B.Sc. inxhinier mekanik dhe artist.
Megjithatë, ky është vetëm një manipulim, sepse masat që synon Holanda kanë për qëllim reduktimin e emetimeve të gazeve të dëmshme të shkaktuara nga plehrat e kafshëve. Embargoja e vitit 2014 e Rusisë ndaj Holandës për produktet ushqimore nga industria e qumështit shkaktoi probleme, por jo pa ndihmën e BE-së. Por embargoja nuk mund të lidhet aspak me arsyen e vërtetë të rënies së numrit të krerëve në Holandë, që është mjedisi dhe ligjet ndaj të cilave Holanda është angazhuar para BE-së. Holanda nuk heq dorë nga kultivimi i lopëve, por emetimet e gazrave të dëmshëm duhet të reduktohen.
Edhe në Serbi, protestat e fermerëve në Holandë kanë qenë objekt i fushatave dezinformuese. Mediat atje akuzoheshin për fshehje të protestave dhe mos raportim për to, strategji kjo që përdoret edhe në Maqedoni kur tentohet të manipulohet publiku që të mendojnë se do të lexojnë diçka “ekskluzive” në një status të caktuar në Facebook, “të fshehur nga mediat kryesore”, në fakt, është një strategji për të shtyrë gënjestrat përmes një teorie konspirative se media po fsheh diçka.
Kur përmendet dezinformimi për protestat e fermerëve, nuk duhet harruar se një analizë e teksteve të Russia Today, botuar në dhjetor 2021, thekson se një nga narrativat e vërejtura kur tentohet të degradohet Holandën është pikërisht ajo “e shoqërisë holandeze në luftë me vetveten”. Ky narrativë paraqet raportet e mediave se Holanda është e mbushur me ndarje të brendshme, të fragmentuara përgjatë të gjitha linjave: fermerë të zemëruar me politikat kombëtare të klimës, mohuesit e Covid-19 dhe kundër masave mbrojtëse, lëvizjet anti-islamiste…
Shpesh, këto ndarje u portretizuan si zierje që pothuajse u kthyen në dhunë dhe protesta, duke përdorur video dhe foto grafike. Një nga politikat e diskutuara, e cila supozohej të lejonte eutanazinë për fëmijët, RT e prezanton si një politikë që shkakton ndarje në qeveri, mes progresistëve dhe konservatorëve.
Abuzimi i eutanazisë për të njollosur Holandën
Në Serbi dhe në botën serbe dhe kroate-folëse, protestat e fermerëve nuk janë tema e vetme e dezinformatave për Holandën. Ka shembuj ku portalet “Zero point” nga Serbia dhe “Epoha” nga Kroacia transmetojnë tekste të publikuara fillimisht në faqen “The People’s Voice” ku thuhet se “Holanda po eutanizon personat me aftësi të kufizuara për të shpëtuar planetin”.
Mjekët në Holandë janë urdhëruar të fillojnë eutanizimin e qytetarëve me autizëm dhe paaftësi të tjera të vogla pa frikë nga ndjekja penale, edhe nëse pacienti nuk shpreh më dëshirë për të vdekur. Sipas një hetimi në rastet e eutanazisë holandeze nga Universiteti Kingston, rreth 40 persona të identifikuar si me autizëm ose aftësi të kufizuara intelektuale u eutanizuan me forcë në Holandë midis vitit 2012 dhe 2021, thuhej në tekstet e diskutueshme.
Megjithatë, eutanazia e asistuar mjekësore në Holandë kryhet ekskluzivisht me kërkesë të pacientëve dhe ndiqen procedura strikte ligjore. Asgjë në dokumentet e disponueshme publikisht nuk tregon se njerëzit në Holandë po vriten kundër dëshirës së tyre ose se “Qeveria holandeze urdhëroi mjekët të eutanizojnë me forcë”. Asnjë shtëpi serioze mediatike nuk ka raportuar se mjekët holandezë kanë vepruar kundër dëshirës së pacientëve të tyre ose se kanë shkelur ndonjë rregull ekzistues.
Eutanazia është e ligjshme vetëm nëse plotësohen plotësisht kriteret e përcaktuara në Aktin Hollandez për fundin e jetës me kërkesë. Vetëm atëherë mjeku është i imunizuar nga ndjekja penale, sipas faqes së internetit të qeverisë holandeze.
Në Serbi, disa nga titujt që raportojnë për eutanazinë e foshnjave në Holandë janë jashtëzakonisht të bujshme. Për shembull, në faqen “Serbian Info” është publikuar një tekst i shkruar qysh në vitin 2015 me titullin: “650 foshnje i zë gjumi çdo vit, Holanda bëhet luginë e vdekjes”.
Por nuk raportohet se ajo që është publikuar në faqen e qeverisë holandeze, se kushtet për të eutanizuar një foshnjë janë shumë të rrepta dhe janë renditur këtu.
Për shembull, se “vuajtjet e foshnjës duhet të jenë të padurueshme dhe pa prognozë për shërim”, se “nuk duhet të ketë dyshim për diagnozën dhe prognozën, si mjeku dhe prindërit duhet të jenë të bindur se nuk ka zgjidhje për gjendjen e foshnjës. “, se “të dy prindërit duhet të bien dakord për t’i dhënë fund jetës së foshnjës”, se “të paktën një mjek tjetër i pavarur duhet të ekzaminojë fëmijën dhe të japë një mendim me shkrim” dhe se “fundi i jetës duhet të bëhet me respekt dhe kujdes të plotë” .
Dezinformimi për eutanazinë “lehtësisht të disponueshme” në Holandë është i pranishëm në rajon. Kontrolluesit e fakteve nga Rasrinkavanje kanë demaskuar tashmë dezinformata të ngjashme në Mal të Zi.
Në një analizë të teksteve që Russia Today publikoi para fillimit të pushtimit ushtarak rus të Ukrainës, (analiza e vitit 2021 e përmendur edhe më lart në këtë tekst), vërehen disa narrativa kryesore të cilat synojnë, ndër të tjera, ta paraqesin shoqërinë holandeze si ” një shoqëri e ndarë dhe në luftë me vetveten”, si dhe “një shoqëri e çuditshme”. Tekstet me gjoja eutanazinë e detyruar shkojnë në atë drejtim për ta paraqitur Holandën si një vend të devijuar me norma të degjeneruara.
Një përfaqësim i tillë shërben si një pikë krahasimi që Rusia mund ta instrumentalizojë kur projekton imazhin e saj si një “mbrojtëse globale e vlerave tradicionale”. Ne besojmë se narrativa e “shoqërisë së çuditshme holandeze” është shembulli më i dukshëm. Duke përçmuar shoqërinë dhe kulturën holandeze, duke bërë një patologji nga aspektet progresive të kulturës holandeze dhe duke sulmuar grupet liberale që mbrojnë ato politika, ne shohim një përpjekje të qartë për të shkatërruar imazhin e Holandës si një vend i respektueshëm. Në vend të kësaj, qëllimi është ta paraqesim atë si vend “absurd”, “një vend që shkel moralin” dhe “që nuk e merion respektin e komunitetit ndërkombëtar”, thotë analiza.
Një shembull i te gjithave më sipër është me fotot që u shpërndanë në profilet maqedonase të Facebook-ut që supozohej të portretizonin Rusinë si një “mëmëdhe” dhe Holandën “si një vend të shthurjes”.
Por përveç që ky narrativë është i rremë dhe antagonist, fotografia e përdorur për të pikturuar atë narrativë është përshkruar gabimisht. Në këtë foto thuhet se është “nëna e qytetërimit të dështuar perëndimor, pra një monument në Hagë të Holandës”.
Skulptura e krijesës biseksuale nuk është një “Monument për Nënën Europiane”. Skulptura e një figure njerëzore me karakteristika të ndryshme gjinore dhe një kafshe në kokë quhet “Jeta në anën tjetër” dhe i referohet një vargu nga një poezi e Emily Dickinson. Sipas autores Femi Oten, skulptura nuk ka lidhje me amësinë, por është simbol i lirisë së mendimit, diversitetit, ndërthurjes së të gjitha gjallesave.
Kontrolluesit e fakteve nga Rasrinkavanje në Serbi kohët e fundit vunë në dukje se u deshën pesë vjet që “anti-globalistët” e mediave sociale të zbulonin këtë skulpturë “të pazot”., e cila u instalua në një lloj galerie arti në natyrë në një zonë këmbësore në Hagë në vitin 2017. Ata u fiksuan në këtë skulpturë sepse ajo përfaqëson një qenie njerëzore me pjesën e sipërme të një gruaje dhe pjesën e poshtme të një burri (gjinjtë e femrës dhe organi gjenital mashkullor), “duke mos vënë re” se ajo ka tre krahë (dy femra dhe një mashkull) dhe një shtojcë me disa kafshë në kokë. Skulptura është frymëzuar nga arti klasik, konkretisht nga figura e hyjnisë biseksuale greke Hermafrodit.
Teoritë konspirative, ekologjia, eutanazia – temat e dezinformatave për Holandën në Bosnjë dhe Hercegovinë
Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë në lidhje me përhapjen e dezinformatave dhe ndikimet e dëmshme të huaja në lidhje me Holandën kuptohet më së miri nga përvoja e shërbimit të verifikimit të fakteve atje “Raskrinkavanje“.
Nga fillimi i punës sonë në vitin 2017 e deri më sot, ne në Rasrinkavanje kemi publikuar 11 analiza të verifikimit të fakteve që përmendin Holandën. Numri më i madh i teksteve i referohet pretendimeve të ndryshme të rreme lidhur me arsyet, rrjedhën dhe sfondin e protestave të fermerëve për shkak të planit të propozuar nga qeveria për të reduktuar emetimin e gazrave të azotit nga viti 2022. Numri më i madh i pretendimeve të pavërteta në lidhje me protestat lidheshin me teori të ndryshme konspirative që përfshinin Bill Gates, teorinë e shpopullimit dhe teorinë e ngrënjes së insekteve. Pjesa tjetër e artikujve që përmendën Holandën ishin më së shumti për teori të ndryshme konspirative në lidhje me Covid 19 dhe vaksinimin, teknologjinë 5G, shpopullimin dhe të ngjashme, tha për “Vërtetmatësin” Emir Zulejhiç nga kjo organizatë joqeveritare.
Ngjashëm me Maqedoninë dhe Serbinë, mediat kryesore në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk janë burimi dhe kanali kryesor për promovimin e tyre.
Në secilën nga analizat tona, si dhe poshtë çdo teksti, janë renditur dhe lidhur burimet që kanë publikuar secilin prej pretendimeve që kemi vlerësuar. Nga një rishikim i shpejtë i listës së burimeve që kanë publikuar dezinformata duke përmendur Holandën, mund të konkludohet se këto janë kryesisht profile private të rrjeteve sociale. Një sasi e caktuar dezinformatash u publikuan edhe nga portalet konspirative, si dhe disa portale anonime më pak të njohura. Nuk kemi vërejtur shfaqjen e një dezinformate të tillë në mediat kryesore, shton Zulejhiç për “Vërtetmatësin”.
Kur shikoni disa nga burimet që kanë transmetuar dezinformata për Holandën në Bosnjë dhe Hercegovinë, mund të shihni se ato janë portale që kanë qenë aktive edhe gjatë pandemisë së koronavirusit. Për shembull, faqja “Info Wars”, videot e së cilës për teoritë konspirative, përfshirë edhe Holandën, po përhapen në rrjetet sociale në BH, shkruan “Rasrinkavanje”.
Kjo faqe është një faqe amerikane e teorisë konspirative të së djathtës ekstreme në pronësi të Alex Jones. Ajo u formua në vitin 1999 dhe këtë vit, në vitin 2024, një vendim gjykate vendosi që Jones t’u paguajë dëmshpërblim palëve të dëmtuara, në shumën 1.5 miliardë dollarë. Sa më shumë para të bëjë Jones duke transmetuar gënjeshtrat dhe teoritë e tij konspirative në Info Wars, aq më e lehtë do të jetë të paguajë 1.5 miliardë dollarë që ai u detyrohet familjeve, raporton CNN.
Arsyeja që ai duhet të paguajë dëme për këto familje është sepse ai ka përhapur teori konspirative se të shtënat e vitit 2012 në shkollën fillore Sandy Hook në Konektikat, ku u vranë viktimat, ishin pjesë e një komploi të organizuar për konfiskimin e armëve Shtetet e Bashkuara. Familjet e të vdekurve e paditën për këtë.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes burimeve të ndryshme që shpërndanin pamjet e Jones, pretendohej se “jo të gjithë fermerët në Holandë, megjithatë, janë çmendur dhe i janë dorëzuar agjendës globaliste”. Në video-materialet e transmetuara në tokën boshnjake në rrjetet sociale, ai shtoi se “këto protesta në Holandë kanë të bëjnë me planin për shpopullim dhe mbylljen e fermave”.
Natyrisht, fermerët në Holandë nuk po protestojnë për shkak të “vrasjeve masive” apo për shkak të “planeve globaliste për shpopullim” të shpikur, por sepse ata jetojnë nga bujqësia, dhe planet e qeverisë i shihnin si një kërcënim për ekzistencën e tyre. Qeveria holandeze gjithashtu nuk ka krijuar ndonjë plan për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit për shkak të shpopullimit, por për shkak se ndryshimi i klimës do të bëhet një problem i madh për popullsinë ekzistuese dhe të ardhshme nëse nuk ndërmerren masa.
Narrativa ruse: “Holanda është tepër liberale”
Në një analizë të dhjetorit 2021 se çfarë përmbajtje publikuan mediat e sponsorizuara nga shteti ruse për Holandën, spikat një narrativë i veçantë i shtyrë nga këto media globalisht, i cili është krijuar posaçërisht për Holandën: narrativa e Holandës si “shoqëri tepër liberale”. Kjo narrativë, sipas analizës që përmendëm, ndonjëherë ngatërrohet me narrativën e një “vendi të rrezikshëm për të jetuar”, ndaj u shpërnda edhe dezinformimi se “martesa kolektive e vajzave dhe pedofilëve”. Dezinformatat e këtij lloji nuk thonë se pedofilia është një krim në Holandë.
Idealet progresive të Holandës janë një objektiv i vazhdueshëm i ndikimeve të dëmshme të huaja dhe shkojnë në favor të synimit që Rusia ka – të paraqesë Evropën si një vend dekadent, të devijuar ku normat janë zhvendosur. Pretendime të rreme u bënë edhe në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë se fëmijët në Holandë “nuk vaksinohen sepse vaksinat shkaktojnë autizëm”. Ndonjëherë, siç shihet, Holanda shërben edhe si pikë referimi mbi shpinën e së cilës shtrihen gënjeshtra në vendet e Ballkanit që mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore për shëndetin kolektiv.
***
Analiza që “Vërtetmatësi” ka bërë mbi ndikimet e dëmshme të huaja, objektivi i të cilave është Holanda, në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, tregon një gërshetim të dezinformatave të njëjta ose të ngjashme që shfaqen në të gjitha vendet ose në të njëjtën kohë ose me pak vonesë. Këto janë postime sporadike, pa frekuencë apo intensitet të madh, por me tone vazhdimisht të ngjashme.
Postime të tilla fokusohen në paraqitjen e shoqërisë holandeze dhe vlerave të saj liberale si një mjedis kaotik në të cilin gjithçka lejohet. Në atë listë të dezinformatave janë eutanazia e pakontrolluar, madje edhe e fëmijëve të vegjël; fluksi i madh i emigrantëve – i sponsorizuar nga elita e majtë dhe hebreje – të cilët shumë shpejt do të sundojnë vendin; tranzicioni klimatik, i cili, përmes këmbënguljes për burimet= ekologjike dhe të rinovueshme të energjisë, dëshiron që popullata të vdes nga uri; abuzimi i popullit ukrainas si “mish për top” në konfliktin me Rusinë; teoritë e konspiracionit në lidhje me Covid 19 dhe vaksinimin, i cili dyshohet se nuk është kryer në Holandë…
Qëllimi është të portretizohet Holanda si “absurde dhe moralisht e paqëndrueshme” dhe si një “lojtar i keq në komunitetin ndërkombëtar”. Në të njëjtën kohë, Mbretëria portretizohet si një “shoqëri e çuditshme”, e cila është shumë e ngjashme me planin e Kremlinit për të portretizuar Bashkimin Evropian në tërësi si një vend dekadent, devijant me norma të degjeneruara, në kundërshtim me vlerat tradicionale që respektohen në Rusi.
Profilet e rrjeteve sociale që përhapin këto konstruksione shumë shpesh flasin pozitivisht për politikat e Kremlinit, por edhe paraqiten si mbështetës të lëvizjes Q Anon dhe teorive të konspiracionit.