Postimi me çdo kusht synon ta paraqesë Rusinë si viktimë në luftën në Ukrainë

Published on:

Ilustrim: Vërtetmatës

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Pretendimi se “neonacistët” po shkatërrojnë krishterimin dhe krishterët ortodoksë, veçanërisht Rusinë, është një manipulim klasik. Me qëllim të justifikojë pushtimin ushtarak ndaj Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin filloi të imponojë idenë se Rusia po lufton për të mbrojtur krishterimin dhe vlerat tradicionale që lidhen me ortodoksinë. Postimi përmban gjithashtu një artikull që pretendon se para fillimit të luftës në Ukrainë, SHBA kanë vendosur sisteme raketore në Ukrainë, gjë që nuk mbështetet nga asnjë provë. 

 

Analizojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:

“SPIUNËT E BASHKUAR PERËNDRIMORË, NATO DHE NEONACISTËT KUNDËR KRISHTIANËVE ORTODOKSË DHE SLLAVËVE, VEÇANËRISHT RUSISË.”

Pretendimi se “neonacistët” (duke iu referuar NATO-s dhe vendeve perëndimore siç thuhet në postim) po shkatërrojnë krishterimin dhe krishterët ortodoksë, veçanërisht Rusinë, është një manipulim klasik. Për të justifikuar pushtimin ushtarak ndaj Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin nisi të imponojë idenë se Rusia po lufton për të mbrojtur krishterimin dhe vlerat tradicionale që lidhen me ortodoksinë.

Është një mit se Perëndimi dëshiron të shkatërrojë “vlerat tradicionale”, apo se “Rusia po bën një luftë të shenjtë kundër satanistëve jobesimtarë në Ukrainë për të mbrojtur krishterimin dhe vlerat tradicionale”, vlerëson Euvsdisinfo në analizën e saj për luftën ruse në Ukrainë.

Shpesh, ekspertët e dezinformimit pro-Kremlin, veçanërisht Vladimir Solovyov, e përdorin këtë narrativë dezinformimi në lidhje me akuza të pabaza kundër Ukrainës për një përpjekje të supozuar për të shkatërruar Kishën Ortodokse. Kjo taktikë manipuluese u intensifikua në vitin 2019 kur Kishës Ortodokse të Ukrainës iu dha statusi i një kishe të pavarur dhe përsëri në nëntor 2022, kur qeveria ukrainase njoftoi se do të hartonte një ligj për të ndaluar kishat e lidhura me Rusinë, shkruan Euvsdisinfo

Demonizimi i Ukrainës dhe mbështetësve të saj perëndimorë si jobesimtarë shkon dorë për dorë me dezinformatat pro-Kremlinit që pretendon se Perëndimi dëshiron të shkatërrojë “vlerat tradicionale.”

Së bashku, ata e portretizojnë Rusinë si mbrojtësen e këtyre vlerave. Ky rrëfim dezinformues rreth mbrojtjes së vlerave të rrezikuara është i mbushur me homofobi që shpesh shndërrohet në gjuhë të hapur urrejtjeje, përfundon Euvsdisinfo. 

Në kontekstin e Rusisë dhe Putinit, mbështetësit e tyre shpesh theksojnë ortodoksinë, por shumica e vendeve me popullsi kryesisht ortodokse nuk janë në anën e Putinit, por janë anëtare të NATO-s dhe/ose BE-së (të cilat në postim përmenden si “neonacistë”), ose janë në proces negociatash për t’u bërë të tilla. Këto vende janë: Greqia, Qipro, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia dhe Ukraina.

Në anën e Putinit është vetëm Bjellorusia. Serbia, nga ana tjetër, komunikon me Putin, por është edhe kandidat zyrtar për BE.

Është fakt se vendet perëndimore nuk luftojnë kundër Rusisë dhe nuk kanë qëllim të shkatërrojnë asnjë vlerë tradicionale apo ortodokse për të cilat Rusia pretendon se është mbrojtësja e vetme.

Vendet perëndimore, të bashkuara përmes NATO-s dhe BE-së, nuk janë në luftë me Rusinë, por Rusia në vitin 2022 kreu një pushtim ushtarak të plotë ndaj Ukrainës, ku humbën jetën dhe vazhdojnë të humbin civilë dhe ushtarë të shumtë në territorin ukrainas. Ky pushtim është sulmi më i madh ushtarak në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe është objekt i një dënimi ndërkombëtar të gjerë, si dhe i sanksioneve ndaj Rusisë.

Postimi, duke folur për vendet perëndimore që e mbështesin Ukrainën, i etiketoi ato si fashiste. Kjo është po ashtu pjesë e propagandës së Kremlinit, për të cilën Vërtetmatës ka shkruar në shumë raste.

Pretendimi se vendet perëndimore, veçanërisht anëtarët e BE-së dhe NATO-s, janë fashiste, nuk është i vërtetë.

Fashizmi është një ideologji dhe lëvizje politike ekstremisht e djathtë, autoritare dhe ultranacionaliste, e cila karakterizohet nga një udhëheqës diktator, autokraci e centralizuar, militarizëm, shtypje e dhunshme e opozitës, besim në një hierarki natyrore shoqërore, nënshtrimi i interesave individuale për të mirën e kombit ose racës, dhe një regjim i fuqishëm shoqëror dhe ekonomik.

Shtetet perëndimore janë të bashkuara në Bashkimin Evropian, i cili, në kundërshtim me parimet e fashizmit, është një union politik dhe ekonomik prej 27 vendeve anëtare që janë thelbësisht demokratike dhe që respektojnë parimet e demokracisë liberale, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. BE-ja udhëhiqet nga institucione si Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian. Vendimet merren përmes proceseve demokratike, ku vendet anëtare kanë përfaqësim dhe fjalë në formësimin e politikave. Parlamenti Evropian zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve demokratike në vendet anëtare dhe më pas ai zgjedh Komisionin Evropian.

BE-ja i kushton rëndësi të madhe të drejtave të njeriut, lirisë themelore dhe mbrojtjes së pakicave. Ka mekanizma për të mbështetur këto parime, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkaq, regjimet fashiste njihen për natyrën e tyre shtypëse, përfshirë censurën, përndjekjen e kundërshtarëve politikë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. BE-ja promovon diversitetin kulturor dhe nxit bashkëpunimin ndërmjet popujve të ndryshëm.

Fashizmi promovon një identitet kombëtar homogjen dhe shpesh përfshihet në nacionalizëm agresiv dhe ksenofobi.

Postimi që po analizojmë gjithashtu ndan një artikull që pretendon se para fillimit të luftës në Ukrainë, SHBA-ja kishte vendosur sisteme raketore në Ukrainë. Ky pretendim nuk mbështetet nga asnjë dëshmi.

Faktet tregojnë një tjetër të vërtetë. Invasioni i madh i Rusisë filloi më 24 shkurt 2022. Para këtij datë, SHBA-ja nuk kishte vendosur infrastrukturën e vet të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Ukraina tashmë kishte një numër të konsiderueshëm sistemesh S-300, trashëguar nga epoka sovjetike para vitit 2022. SHBA-ja nuk vendosi sistemet e saj raketore (si HIMARS, Patriot, ATACMS) në Ukrainë deri pas fillimit të invazionit.

Ekzistojnë raste kur oficerë ukrainas kërkuan sistemin Patriot që në gusht 2021, por kërkesat u refuzuan nga SHBA-ja.

Nga të gjitha këto mund të konkludojmë se postimi që po analizojmë është i pavërtetë.