Pretendime të rreme për “kandidatin e parë shqiptar” në Graçanicë

Published on:

 

Mediumi serb “Blic”, ka raportuar se për herë të parë në Komunën e Graçanicës do të garojë një kandidat shqiptar për kryetar në zgjedhjet e 12 tetorit. Artikulli titullohet me tone alarmuese për kinse një “ofensivë të shqiptarëve” përmes kandidimit të një kryetari shqiptar në komunën që popullohet me shumicë serbe.
PRIŠTINA U OFANZIVI Albanci spremaju taktiku za izbore, prvi put kandiduju gradonačelnika u Gračanici” (PRISHTINË NË OFENSIVË Shqiptarët po përgatiten për taktikat e zgjedhjeve, duke kandiduar për herë të parë kryetar për komune në Graçanicë”, është titulli i këtij artikull derisa në tekst pretendohet se: “Lajmi mbërrin nga Graçanica – për herë të parë një shqiptar po kandidon për kryetar komune”. Teksti shoqërohet me një fotografi të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti e jo kandidatit për kryetar të komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti.

Fakti qëndron se kjo nuk është hera e parë që një kandidat shqiptar garon në zgjedhjet për kryetar të Graçanicës. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 18 janar 2015, LDK-ja si parti shqiptare kishte kandiduar Shaip Berishën për kryetar të komunës.

Shaip Berisha ishte kandidat shqiptar për kryetar të Graçanicës në 2015-ën.

 

Kjo e rrëzon narrativën e ngritur nga mediat serbe se shqiptarët po paraqiten për herë të parë në garë në këtë komunë. E vërteta është se partitë shqiptare për herë të parë do të garojnë si koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Leutrim Ajeti, nënkryetar aktual në Graçanicë do të jetë kandidat i përbashkët i VV-së, LDK-së, PDK-së e AAK-së me Koalicionin “Nisma Aleanca Shqiptare”.

 

Aleanca e partive shqiptare

 

Marrëveshjen e partive shqiptare për të garuar me një kandidat të përbashkët, Lista Serbe e cilësoi si tendencë që ka për qëllim ndryshimin e strukturës etnike të votuesve në komunat serbe në jug të Kosovës.

Listës Serbe i ishte vënë në dukje se nuk kishte mjaftueshëm pluralizëm politik dhe gjëra të ngjashme. Për fat të keq, komente të tilla nuk i dëgjojmë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë sot, kur ata që nuk arrijnë të formojnë kuvendin në Prishtinë, bashkohen për të luftuar për postin e kryetarit tose këshilltarit në një komunë me shumicë serbe siç është Graçanica”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.

Përmes kësaj retorike pjesëmarrja politike e shqiptarëve portretizohet si kërcënim për shumicën serbe, pavarësisht se procesi zgjedhor është demokratik dhe transparent.

 

Çfarë thonë të dhënat demografike?

 

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2024, në Graçanicë, janë regjistruar 8.560 serbë, edhe pse në territorin e kësaj komune jetojnë rreth 8.623 shqiptarë.

Disa banorë të Graçanicës e bojkotuan regjistrimin si pasojë e thirrjes së Listës Serbe.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në komunën e Graçanicës të drejtë vote kishin rreth 20.000 votues. Prej tyre, rreth 8.300 votues kishin votuar për njërin prej subjekteve politike serbe, ndërsa partitë shqiptare morën rreth 1.100 vota.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, Lista Serbe fitoi në Graçanicë postin e kryetarit të komunës dhe 18 vende në kuvendin komunal, duke siguruar rreth 7.000 vota. Ndërsa Aleanca Shqiptare fitoi një ulëse në kuvend komunal me rreth 350 vota.

Nga njohës të rrethanave ky bashkim i partive shqiptare shihet si i pritshëm me synimin për të fituar më shumë mandate në Kuvendin Komunal në mënyrë që të kenë ndikim në vendimmarrjen lokale, edhe pse qytetarët serb të kësaj komune kanë shprehur shqetësim.

Në të kaluarën, mediat pro-qeveritare në Serbi kanë përdorur retorikë të ngjashme për të nxitur frikë dhe përçarje, duke e paraqitur çdo përfshirje politike të shqiptarëve në komunat me shumicë serbe si sulm ndaj popullatës vendëse.

Nuk kanë munguar as akuzat e Listës Serbe, subjektit kryesor që ka përfaqësuar serbët deri kur vendosën të japin dorëheqja nga komunat veriore, ndaj eksponentëve politikë serb që e kanë sfiduar atë në të kaluarën.

Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar se zgjedhjet janë shoqëruar me presione ndaj kundërshtarëve të Listës Serbe, me qytetarë që janë frikësuar të mbështesin partitë e tjera, për shkak të lidhjeve të thella të Listës Serbe me autoritetet në Beograd.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”