Më 7 mars 2025, medium serb “Alo.rs”, publikoi një artikull me titullin, “Shqiptarët kërcënojnë hapur serbët! ‘FSK është aq e fortë sa mund t’i bëjë ballë edhe Serbisë!”. Në këtë artikull, mediumi serb pretendon se nga zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës janë bërë deklarata kërcënuese ndaj serbëve. Artikulli citon Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, duke shtrembëruar kontekstin e deklaratës së tij në lidhje me mbrojtjen dhe kapacitetet ushtarake të Kosovës.
Ky pretendim u shpërnda edhe nga mediume tjera serbe si: Naslovi.net, Lajk.rs, Portal Narona News, Kurir.rs, Vestinadlanu.rs, Borba.me, Time.rs, Svetionik.com.
Mungesa e kontekstit
Sipas “Alo.rs”, Maqedonci ka deklaruar se “Kosova mund të mbrohet nga të gjithë, përfshirë edhe Serbinë,” por pa e cituar në mënyrë të plotë dhe pa kontekstin e tij të saktë.
Deklarata e tij është përdorur edhe për ta mbajtur si temë mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.
Mediumi serb citon Milan Ivanoviqin, ish-drejtor i Spitalit Klinik të Mitrovicës së Veriut, i cili deklaroi se “kjo është një tjetër në serinë e deklaratave të tyre luftarake”, duke akuzuar institucionet e Kosovës për një politikë të drejtuar kundër serbëve. Ai shtoi se Serbia nuk ka provokuar luftëra dhe vetëm është mbrojtur, një pretendim që nuk përputhet me të dhënat historike mbi luftërat në rajon.
Maqedonci, në një intervistë më 5 mars 2025, theksoi se Kosova nuk ka informacione zyrtare mbi ndonjë tërheqje të trupave të NATO-s dhe se bashkëpunimi me KFOR-in do të vazhdojë për aq kohë sa ky mision është i pranishëm në Kosovë. Ai theksoi gjithashtu se Kosova është e përgatitur të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj në rast të ndonjë rreziku apo kërcënimi të mundshëm, por gjithmonë në koordinim me KFOR-in.
I pyetur nëse Kosova mund t’i bëjë ballë Serbisë pa ndihmën e KFOR-it, Maqedonci u përgjigj: “Patjetër, ne jemi në vendin tonë, po ndërtojmë një ushtri, kemi blerë pajisje, kemi përgatitur ushtarakët tanë dhe kemi qytetarë të gatshëm për t’iu bashkangjitur kapaciteteve tona në çdo rrezik dhe kërcënim”. Megjithatë, ai theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s dhe angazhimin për të koordinuar çdo veprim me aleancën veri-atlantike.
Artikulli i “Alo.rs” e paraqet këtë deklaratë si një kërcënim ndaj serbëve, duke shtrembëruar qëllimin dhe përmbajtjen e saj. Maqedonci nuk ka bërë ndonjë deklaratë që synon frikësimin e komunitetit serb në Kosovë apo diku tjetër.
Fushata të vazhdueshme dezinformimi
Mediumet serbe kanë një histori të gjatë të raportimeve të njëanshme dhe të paqena në lidhje me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Më herët ato kanë akuzuar FSK-në për plane agresive kundër serbëve, megjithëse FSK është një forcë mbrojtëse e trajnuar në përputhje me standardet e NATO-s.
Gjatë përvjetorit të 25-të të Ditës së Çlirimit të Kosovës, disa media serbe interpretuan parakalimin e njësive të FSK-së dhe Policisë së Kosovës si një kërcënim ndaj serbëve. Ky aktivitet ishte pjesë e ceremonive zyrtare të përvjetorit dhe nuk kishte për qëllim ndonjë provokim ndaj ndonjë komuniteti.
Dezinformimi i tillë synon të krijojë tensione ndëretnike dhe të paraqesë Kosovën si një kërcënim për serbët, duke injoruar përpjekjet për stabilitet dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Këto raportime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të propagandës që përdoret për të justifikuar narrativën serbe në raport me Kosovën dhe për të minuar funksionalitetin e institucioneve të saj brenda dhe në arenën ndërkombëtare.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”