Ilustrimi: Vërtetmatës
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.
Sipas së drejtës ndërkombëtare, Krimea është ukrainase, gjë që edhe vetë Rusia e ka pranuar dikur, e nëse ajo insiston për kthimin e territoreve te pronarët e mëparshëm, atëherë duhet t’ua kthejë Kaliningradin (Königsberg) gjermanëve, Karelinë finlandezëve, Sakhalinin dhe Ishujt Kurile japonezëve dhe Vladivostokun (Haishenwai) kinezëve, si dhe t’u lejojë pavarësinë çeçenëve, jakutëve, burjatëve dhe shumë popujve të tjerë që Rusia i ka skllavëruar.
Po bëjmë recensim të një postimi nga rrjeti social Facebook, ku thuhet:
**Në ndërkohë, Trump publikoi një fotografi në të cilën e krahason veten me Niksonin, ndërsa Putinin me Hrushovin.
Por, ekziston një nuancë e madhe: Hrushovi ia dha Krimenë Ukrainës, ndërsa Putini e ktheu atje ku është vendi i saj.**
Nuk është e vërtetë se Vladimir Putini e ka kthyer Krimenë aty ku i takon. Por, në mënyrë ironike, ky postim prorus në mënyrë të pavetëdijshme pranon se aneksimi rus i Krimesë në vitin 2014 ishte vendim i Putinit, e jo vendim i banorëve lokalë i shprehur në referendum – siç pretendojnë propagandistët rusë. Sipas postimit, Putini e ktheu Krimenë në Rusi, e jo banorët e gadishullit.
Krimea nuk është territor autokton rus, por Rusia e pushtoi dhe e aneksoi atë në vitin 1783, ndaj ajo që bëri Putini në vitin 2014 është ripushtim, e jo kthim i drejtë apo çlirim.
Perandoria Ruse ka qenë një nga më të mëdhatë në histori dhe ajo ka sunduar mbi: Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë, Finlandën, vendet baltike, Kaukazin, Transkaukazin, Azinë Qendrore, një pjesë të Polonisë dhe madje edhe Alaskën. Në atë mënyrë, në një moment të caktuar, nën perandori ra edhe Krimea.
Deri atëherë, mbi gadishull kishin sunduar hanati (mbretëria) e Tatarëve të Krimesë, më herët Grekët e Vjetër, Bizanti, Skitët, Sarmatët, Hazarët, Gotët, Venedikasit, Xhenovezët dhe kultura të tjera, ndërsa vetëm për pak kohë dhe pjesërisht edhe Sllavët.
Rusia i nënshtronte Tatarët e Krimesë në vitin 1783, duke i shtypur dhe duke i kthyer në pakicë, gjë që dëshmohet nga regjistrimet e popullsisë të mbajtura gjatë viteve. Mijëra Tatarë të Krimesë u detyruan të shpërnguleshin nga Rusia drejt Perandorisë Osmane, me të cilën kishin afërsi, prandaj sot ata gjenden në Turqi, Bullgari dhe Rumani.
Kulminacioni ishte deportimi i kryer nga Rusia Sovjetike në maj të vitit 1944, kur Tatarët e Krimesë u dëbuan masivisht me vagonë bagëtish drejt rajoneve të largëta të BRSS-së si Uzbekistani.
Kështu Rusia e ka shndërruar Krimenë në “ruse”, dhe këtë e ka bërë edhe përmes shpërnguljes së rusëve, ndryshimit të toponimeve etj. Kryeqyteti i sotëm i Krimesë, Simferopoli, më parë quhej Akmesxhid (Xhamia e Bardhë), Sevastopoli – Akjar (Bregu i Bardhë), Jevpatoria – Kjozleve, Feodosia – Kefe etj.
Tatarët e Krimesë dhe paraardhësit e ukrainasve të sotëm, Kozakët e Zaporizhjes, herë luftonin mes vete, herë bashkëpunonin, por kur u përballën me armikun e përbashkët – pushtuesin rus, ky bashkëpunim u forcua dhe vazhdon deri më sot.
Pas shpërbërjes së Perandorisë Ruse u krijua Republika Popullore e Ukrainës (1918 – 1921) e pavarur dhe jetëshkurtër, si dhe Republika Popullore e Krimesë (1917 – 1918) e udhëhequr nga veprimtari tatar i Krimesë Noman Çelebixhihan (1885 – 1918), e kishte ide për bashkimin e tyre, qoftë në kuadër të Ukrainës, qoftë si federatë.
Por, Rusia Sovjetike kreu agresion ndaj këtyre shteteve, prandaj në prill të vitit 1918 trupat ukrainase të Petro Bolboçanit (1883 – 1919), në bashkëpunim me Tatarët e Krimesë, i dëbuan bolshevikët rusë nga Krimea. Postimi krijon përshtypjen se Krimea nuk kishte lidhje me Ukrainën dhe se ajo nuk kishte mbështetje atje, por, është e qartë, kjo nuk është krejtësisht e saktë.
Megjithatë, Rusia Sovjetike në fund fitoi dhe vendosi regjime kukulla në territoret e pushtuara (Ukrainë, Krime etj.), dhe të gjitha ato hynë në kuadër të Bashkimit Sovjetik (BRSS) në vitin 1922.
Krimea atëherë bënte pjesë nën Rusinë Sovjetike, gjë që zgjati deri më 1954, kur BRSS e transferoi gadishullin drejt Ukrainës Sovjetike, duke e arsyetuar këtë me lidhjet e tyre gjeografike, ekonomike, infrastrukturore dhe të tjera. Postimi ka të drejtë që në krye të BRSS në atë kohë ishte Nikita Hrushovi, por nuk ka të drejtë që gjithë përgjegjësinë për transferimin t’ia ngarkojë vetëm atij.
Pararendësi i tij, Josif Stalini, vdiq në vitin 1953, dhe Hrushovi nuk mundi brenda vetëm një viti ta forconte pushtetin e tij deri në atë shkallë që të bënte gjithçka që dëshironte. Hrushovi nuk ishte aq i fuqishëm dhe i egër si Stalini, por ishte më liberal, ndërsa pushtetin fillimisht e ndante me kryeministrin Georgij Malenkov dhe funksionarë si: Nikollaj Bulganin, Kliment Voroşilov, Vjaçesllav Molotov dhe Lazar Kaganoviç. Në atë moment BRSS udhëhiqej mjaft kolektivisht.
Nga kjo kuptojmë se Hrushovi nuk vendoste për gjithçka vetë, ndërsa me atë dezinformatë disa e përhapin edhe atë se “ai ka qenë ukrainas”, por në fakt ai ka qenë etnikisht rus nga Rajoni i Kurskut në Rusi.
Në vitin 2014 pasoi agresioni rus dhe aneksimi i Krimesë, që u paraqit si korrigjim i një padrejtësie historike dhe si çlirim i saj, por shpjeguam se nuk është kështu.
Nëse dikush atje ka pësuar padrejtësi, ata kanë qenë Tatarët e Krimesë. Ata nuk kanë atdhe tjetër përveç Krimesë, prandaj ata duhet të pyeten për fatin e saj, dhe ata janë për Ukrainën. I tillë është qëndrimi i veprimtarëve të tyre si Refat Çubarov dhe i medzhlisit të tyre, që është diçka si kuvend.
Ata e bojkotuan referendumin e rremë për shkëputjen e Krimesë nga Ukraina, të organizuar nga pushtuesi rus dhe ndihmësit e tij lokalë, ndërsa këtë e hodhi poshtë edhe OKB me një rezolutë përkatëse.
Këtu mund të flitet edhe për të drejtën ndërkombëtare. Më parë ajo nuk ishte aq e zhvilluar, prandaj pushtimet ishin një dukuri normale, por njerëzimi në fund u pajtua që kjo të tejkalohej me një rend juridik të qartë dhe me paprekshmërinë e kufijve, dhe përjashtim janë vetëm situata ekstreme si gjenocidi apo të ngjashme, kur lejohet secesioni. Por, gjenocid ndaj rusëve në Krime nuk pati.
E, nëse Rusia insiston për kthimin e territoreve tek pronarët e mëparshëm, atëherë ajo duhet t’ua kthejë Kaliningradin (Königsberg) gjermanëve, Karelinë finlandezëve, Sakhalinin dhe Ishujt Kurile japonezëve, si dhe Vladivostokun (Haishenwei) kinezëve, si dhe t’u lejojë pavarësinë çeçenëve, jakutëve, burjatëve dhe shumë popujve të tjerë që Rusia i ka skllavëruar.
Por, vendet e civilizuara nuk insistojnë në hapa të tillë radikalë, sepse rishikimi i kufijve sjell destabilitet dhe konflikt. Secili në botë mund të pretendojë se është i dëmtuar territorialisht dhe të ofrojë argumente për këtë (të mbështetura ose jo), dhe atëherë përplasjet nuk do të kenë fund – dhe kështu nuk duhet të jetë.
Rusia, si e ashtuquajtur trashëgimtare e BRSS, është një nga themelueset e OKB-së, prandaj duhet ta respektojë të drejtën ndërkombëtare. Krimea është e Ukrainës dhe si e tillë është e njohur nga e gjithë bota, gjë që edhe vetë Rusia e ka pranuar dikur.
Sa i përket pjesës në postim për Donald Trumpin, ai publikoi një fotografi në të cilën sikur i kërcënohet Putinit me gishtin e drejtuar, dhe bashkë me të publikoi edhe një tjetër, nga një debat në vitin 1959 mes Riçard Niksonit, dhe Hrushovit tashmë të përmendur, në të cilën edhe Nikson e drejtonte gishtin në mënyrë kërcënuese ndaj bashkëbiseduesit.
Me këtë Trump ndoshta dëshiron të përcjellë mesazhin se nuk është i butë ndaj rusëve, siç mendohet, dhe se u kundërvihet atyre me guxim si Niksoni në të kaluarën, pra ai (pjesa hyrëse) e postimit është me gjasë e saktë. Por, pjesa tjetër e tij megjithatë është e pavërtetë.
Duke marrë parasysh gjithë këtë, vlerësimi i përgjithshëm është se postimi është pjesërisht i pavërtetë.




