Rrejshëm u pretendua se Kurti ka përgatitur “ferrin” për serbët ditën kur u mbajt Procesi i Berlinit

Published on:

Disa politikanë e media nga Serbia kanë tentuar ta lidhin ngjarjen kryesore që mblodhi liderët e rajonit, për të spekuluar se në ditën e njëjtë, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po planifikon “sulmin e radhës” ndaj komunitetit në veri. Samiti i dhjetë në kuadër të Procesit të Berlinit u mbajt më 14 tetor. Një ditë më herët, mediat në Serbi transmetuan një deklaratë të kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, sipas të cilit Kurti po përgatit ferrin për serbët në Kosovë.

Artikulli u shpërnda më 13 tetor 2024 nga “Alo.rs”, me titull: “KURTI TË HËNËN PËRGATIT FERRIN PËR SERBËT – Kryeministri i Serbisë paralajmëroi veprime të mundshme të Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë”.

Në përmbajtje të artikullit, Millosh Vuçeviq citohet të ketë thënë se ka frikë nga një provokim i ri në Kosovë drejtuar kundër serbëve, i cili mund të ndodhë qysh të hënën.

“Kam frikë se të hënën do të shikoni provokime të reja në Prishtinë, pasi veteranë të formateve dhe ngjarjeve të tilla tregojnë se çdoherë kur mbahet takim në nivelin plenar, diçka e keqe ndodh për ne në Kosovë e Metohi nga ana e Prishtinës. Shpresoj se nuk do të ketë diçka të tillë, por kam ankth se Albin Kurti do bëjë diçka atë mëngjes”,  ka thënë Vuçeviq për RTV.

Kjo ka mjaftuar që “Alo.rs” të spekulojë se “kryeministri i shtetit të Kosovës që nuk njihet do të sulmojë edhe një herë popullin serb dhe institucionet serbe menjëherë pas fundjavës”. Deklaratat e tilla të pambështetura në fakte dhe burime të besueshme mund të nxisin shqetësim te komuniteti serb në Kosovë.

Por, të hënën, ditën kur u mbajt Samiti në Berlin, nuk pati asnjë aksion nga autoritetet e Kosovës në komunat e populluara kryesisht me serbë, i cili do të konfirmonte pretendimin se u bë me qëllim të dëbimit të tyre nga Kosova.

Javët e fundit, Policia e Kosovës ka asistuar në disa aksione të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e zyrave paralele që funksionojnë me sistem të Serbisë. Këto veprime janë kundërshtuar nga banorët lokalë dhe zyrtarët serbë, sipas të cilëve ato po bëhen me qëllimin për t’ua vështirësuar jetesën serbëve në veri. Aksionet e Qeverisë janë kundërshtuar edhe nga BE-ja e SHBA-ja, duke i cilësuar të njëanshme dhe të pakoordinuara. Sipas ndërkombëtarëve, çështja e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”