Foto: dimitrisvetsikas1969, CC0, via Wikimedia Commons
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.
Sipas Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës së Rusisë, Brukseli synon që përmes financimit të mediave dhe organizatave joqeveritare të mobilizojë elektoratin në zgjedhje, të nxjerrë njerëzit në rrugë dhe të realizojë “Majdanin serb”. Në listën e mediave të targetuara përmenden FoNet, RAM Network, Vreme, Juzne Vesti, Slobodna Reç, Boom93, Podrinske, Freemedia, Indjija, SOinfo, FAR dhe Storyteller. Këto targetime të mediave të pavarura në Serbi dhe të gazetarëve që punojnë aty kanë shkaktuar reagime të ashpra, dhe disa prej tyre, të shqetësuar për sigurinë e tyre, janë drejtuar te shoqatat e pavarura të gazetarëve.
Shkruan: Miroslava Simonovska
Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës Ruse (SHJIR), në një komunikatë për publikun të publikuar kohët e fundit (15.09.2025), akuzoi mediat lokale dhe kombëtare në Serbi për protestat aktuale në këtë vend fqinj, duke i ekspozuar ato ndaj pretendimeve të rrezikshme dhe të pabazuara që kërcënojnë sigurinë e tyre dhe i targetojnë më tej. Në komunikatën e SHJIR përmendet një listë e mediave serbe, portaleve dhe javoreve, të përmendura me emër, për të cilat thuhet se “marrin mbështetje të konsiderueshme financiare nga organizata joqeveritare të lidhura me Brukselin”. Në listën e mediave të targetuara përmenden FoNet, RAM Network, Vreme, Juzne Vesti, Slobodna Reç, Boom93, Podrinske, Freemedia, Indjija, SOinfo, FAR dhe Storyteller.
Brukseli synon që përmes financimit të mediave dhe organizatave joqeveritare të mobilizojë elektoratin në zgjedhje, të nxjerrë njerëzit në rrugë dhe të realizojë “Majdanin serb”, sipas skenarit të hartuar tashmë. Por, premtimet e rreme të autoriteteve evropiane për “hyrje të shpejtë në kopshtin e luleve evropiane” janë vetëm një kurth. Çmimi për protestat do të duhet të paguhet me kujtimet e të parëve. Populli krenar dhe i bashkuar serb nuk i nevojitet Bashkimit Evropian, shkruhet në komunikatën e SHJIR.
Këto targetime të mediave të pavarura në Serbi dhe të gazetarëve që punojnë aty kanë shkaktuar reagime të ashpra, pasi në këtë mënyrë ata janë të përmendur drejtpërdrejt, dhe disa prej tyre janë drejtuar te shoqatat e pavarura të gazetarëve duke theksuar shqetësimin për sigurinë e tyre personale. Sipas Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (SHPGS), përmes kësaj komunikate të Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës Ruse, gazetarët në Serbi janë bërë objekt i pretendimeve të rrezikshme dhe të pabazuara, ku përmendet roli i tyre i supozuar dhe roli i supozuar i Bashkimit Evropian në protestat aktuale, që janë ndezur prej muajsh në Serbi.
Gazetarët e mediave të përmendura më sipër raportojnë profesionalisht për protestat dhe detyra e tyre është të ofrojnë informacion të saktë dhe të plotë mbi ngjarjet e rëndësishme për publikun. Megjithatë, këto deklarata, që nënkuptojnë komplot të huaj pa prova, vendosin gazetarët dhe mediat në rrezik të drejtpërdrejtë.
Sipas komunikatës së përmendur më lart, te SHPGS u drejtuan kolegë që shqetësohen për sigurinë e tyre dhe ndjejnë presion shtesë gjatë kryerjes së punës së tyre. Përhapja e teorive të komplotit dhe dezinformatave jo vetëm që shpërqendron vëmendjen nga arsyet reale pse qytetarët dalin në rrugë, por gjithashtu kërcënon të drejtën themelore të publikut për të qenë i informuar në mënyrë të saktë dhe të paanshme. Gazetarët janë tashmë të ekspozuar ndaj sulmeve, kërcënimeve dhe presioneve, dhe këto deklarata e vështirësojnë punën e tyre dhe krijojnë një atmosferë pasigurie dhe mosbesimi, reagoi Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë.
SHPGS bëri apel ndaj të gjithë aktorëve vendas dhe të huaj që të përmbahen nga publikimi i pretendimeve me motive politike që rrezikojnë gazetarët dhe mediat.
Detyra jonë mbetet e qartë: të mbrojmë të drejtën e gazetarëve për të kryer punën e tyre në mënyrë të lirë dhe të sigurt, si dhe të drejtën e qytetarëve për informacione të sakta dhe objektive. Gazetarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë viktima kolaterale e llogaridhënieve politike. Ata janë shtylla e një shoqërie të lirë dhe demokratike dhe duhet të kenë mbështetje dhe mbrojtje të plotë nga institucionet dhe shoqëria në tërësi, thekson Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë.
Disa nga redaktorët e mediave të targetuara, përmes artikujve të tyre me reagime, theksuan se mediat proqeveritare serbe ishin ndër të parat në vendin fqinj që e shpërndanë komunikatën e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës Ruse, me tituj shpërthyes dhe sensacionalistë, pa ndonjë rezervë dhe si të paraqisnin një të vërtetë të përgjithshme. Kështu, Sanja Petrov, redaktore e portalit Slobodna Reç, mohoi pretendimet në këtë, siç e quajti ajo, komunikatë skandaloze.
Edhe një herë theksojmë se jemi një media krejtësisht e pavarur redaktoriale, që nuk merr pjesë dhe as nuk ka marrë pjesë kurrë në ndonjë “aktivitet subversiv”. Misioni ynë i vetëm është të ofrojmë informacione profesionale dhe të përgjegjshme për qytetarët, të cilëve u jemi gjithmonë të disponueshëm për çdo pyetje. Këto presione dhe targetime jo vetëm që shkelin lirinë e mediave, por mund të rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë e redaksisë sonë dhe çdo individi brenda saj, shkroi Petrov.
Informacioni se organizatat joqeveritare evropiane financojnë punën e mediave të pavarura në Serbi, siç shkruan Petrov, nuk është lajm, por “rikrijim i ujit të ngrohtë”, duke pasur parasysh se kjo është një praktikë transparente disa-vjeçare për të forcuar demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar.
Problemi qëndron në kombinimin e këtyre informacioneve me akuza me qëllim të keq. Kjo u publikua në një artikull të titulluar “Zbulesë shokuese e shërbimit rus! BE-ja planifikon Majdanin serb”, ku e njëjta narrativë që ripërdoret sa herë qytetarët protestojnë, është ricikluar për herë të tëra, shpjegon redaktorja e Slobodna Reč.
SHJIR në komunikatën e saj shpërndau pa prova edhe pretendimin skandaloz se “Bashkimi Evropian qëndron pas trazirave në Serbi”, ku përfshihen të rinjtë dhe “njoftoi” gjithashtu në mënyrë konspirative se “përvjetori i rrënimit të fasadës do të përdoret për përfundimin e Majdanit serb”. Mediat u akuzuan për “larje truri” të të rinjve serbë. Për të gjitha mediat proqeveritare në Serbi, kjo ishte histori qendrore dhe “zbulesë shokuese”, edhe pse gazetarët e këtyre mediave paralajmëronin publikisht se në këtë mënyrë, përveç presionit mbi punën e tyre, kërcënohej edhe siguria e tyre.
Nga ana tjetër, portali Slobodna Reç kujton se narrativa për “Majdanin serb” mund të dëgjohej që nga protestat kundër dhunës pas vrasjeve masive në Ribnikar, Orashje dhe Dubona, dhe tashmë ishte ricikluar pas aksioneve të para studentore dhe protestave të mëdha për rrënimin e fasadës të stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe vdekjen e 16 personave.
Gjithashtu, Vërtetmatësi ka vënë re se kjo narrativë po përhapet edhe në Maqedoninë e Veriut – se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i bëhet një “revolucion me ngjyra”, edhe pse ka shumë tregues se protestat në Serbi janë të organizuara brenda vendit për shkak të çështjeve të brendshme dhe pakënaqësisë së brendshme të qytetarëve serbë. Mediat ndërkombëtare e vënë re këtë në raportet dhe kolumnat e tyre. Zyrtarë rusë, gjithashtu, që prej disa muajsh promovojnë pa prova tezën se “protestat në Serbi mund të jenë pjesë e një përpjekjeje për një revolucion me ngjyra”.




