Ilustrim: Vërtetmatës.mk
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.
Pushtimi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës krijoi ato zona lufte nga të cilat duhej të evakuoheshin fëmijët ukrainas. Problemi është se evakuimet nga zonat e konfliktit, veçanërisht ato që përfshijnë fëmijë, duhet të jenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Në veçanti, neni 78 i Protokollit Shtesë të Konventave të Gjenevës parashikon që fëmijët nuk mund të zhvendosen në një vend tjetër përveç atij të tyre, dhe që prindërit e tyre duhet të japin pëlqimin për çdo evakuim. Rusia nuk i ka respektuar këto rregulla.
Shkruan: Ana Anastasovska
Javën e kaluar, ndër përdoruesit e rrjetit social Facebook u përhap ky postim.
Melania Trump: Putini iu përgjigj letrës sime, fëmijët ukrainas u kthyen te familjet e tyre.
Në shikim të parë, ajo lë përshtypjen se presidenti rus, Vladimir Putin, i ka kthyer të gjithë fëmijët ukrainas të rrëmbyer te familjet e tyre, gjë që, sigurisht, ka shkaktuar ndjenja admirimi te një pjesë e ndjekësve.
Po, Putini nuk i vrau fëmijët si Netanjahu, ai i ktheu fëmijët në shtëpi, te familjet e tyre, të gjallë e të shëndetshëm. Po çfarë ka për të thënë për fëmijët e vrarë në Palestinë dhe për gjenocidin që po e pëson populli palestinez? Le t’i dërgojë një letër Netanjahut, por me dënim për gjenocidin ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe grave palestineze, thuhet në njërin prej komenteve.
Por, kur ta hapni lajmin, do të shihni se bëhet fjalë për “disa prej tyre” (duke iu referuar fëmijëve), megjithëse, sipas Ukrainës, Rusia ka rrëmbyer dhjetëra mijëra fëmijë gjatë luftës.
Siç publikon Radio Evropa e Lirë, bëhet fjalë për tetë fëmijë.
Në fjalimin e saj në Shtëpinë e Bardhë, ajo (Melania Trump) tha se tetë fëmijë janë ribashkuar me familjet e tyre gjatë 24 orëve të fundit, pas negociatave midis saj dhe ekipit të Putinit.
Raste masive të transferimit të detyruar të fëmijëve
Gjatë luftës që Rusia e nisi me sulmin ndaj Ukrainës, një nga aspektet më të rënda është çështja e fëmijëve – ata që ose janë zhvendosur nga territoret e okupuara, ose janë dërguar direkt në Rusi ose në zona nën kontrollin e Rusisë. Në këtë kontekst, autoritetet ukrainase, organizatat ndërkombëtare dhe mediat flasin për raste masive të transferimit të detyruar, “rusifikimit” dhe ndarjes së përkohshme ose të përhershme nga familjet.
Sipas raportit të Yale Humanitarian Research Lab (Yale HRL), mbi 19.000 fëmijë janë dërguar nga Ukraina drejt Rusisë ose territoreve të okupuar nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të plotë.
Burimet mediatike tregojnë se shifra mund të jetë shumë më e madhe — përmenden qindra mijëra fëmijë si viktima të mundshme.
Qëllimi nuk është vetëm zhvendosja fizike, por edhe “rusifikimi”: ndarja nga identiteti ukrainas, përdorimi i gjuhës ruse, ndryshimi i emrit, modifikimi i dokumenteve. Sipas disa raportimeve, një pjesë e programit përfshin edhe përfshirjen në aktivitete ushtarake ose paraluftërore, ose përgatitje për të tilla. Për shembull, fëmijët integrohen në organizata rinore patriotike ruse dhe marrin trajnim ushtarak.
Më 17 mars 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër arresti për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe komesaren për të drejtat e fëmijëve në Rusi, Maria Lavova-Belova, për “transferim të paautorizuar të fëmijëve nga territoret e okupuara të Ukrainës në Rusi”.
Parlamente dhe shtete të ndryshme e konsiderojnë këtë veprim si të mundshme gjenocidale — për marrjen e identitetit, kulturës dhe të ardhmes së fëmijës.
Masterët e propagandës të Kremlinit përpiqen me ngulm të fshehin të vërtetën
Kur bëhet fjalë për këtë temë, udhëheqësit e propagandës të Kremlinit dhe shpërndarësit e dezinformatave i shtojnë absurditetit krimit duke projektuar mëkatet e tyre mbi Ukrainën dhe vendet perëndimore, shkruan EUvsDisinfo.
Taktika e parë, një armë e thjeshtë por e sigurt, është mohimi i gjithçkaje dhe përsëritja e pafund e këtij mohimi. Ky refuzim i së dukshmes mund të kthehet shpejt në racionalizime qesharake. Për shembull, dikush mund të pretendonte se 20.000 fëmijë ukrainas të kidnapuar nga Rusia dhe të detyruar të mësojnë rusisht në shkollat ruse mund të krahasohen me fëmijët ukrainas që mësojnë gjermanisht në Gjermani, sikur pushtimi i plotë rus nuk i ka detyruar ukrainasit të ikin drejt atij shteti.
Taktika e dytë e Kremlinit është pretendimi se fëmijët janë “evakuuar nga zonat e luftës” për shkak të sigurisë së tyre. Në mediat ruse shfaqen skena ku fëmijët marrin ushqim, luajnë në kampingje verore, regjistrohen në shkolla – duke krijuar përshtypjen se Rusia është shpëtimtari humanitar.
Fushatat ruse nga spektri i ndikimit të dëmshëm të huaj (FIMI) herë pas here pretendojnë se Moska punon shumë për të ribashkuar fëmijët me familjet e tyre përmes ndërmjetësve, duke përfshirë Katarin dhe Kryqin e Kuq. Degët ruse të Kryqit të Kuq janë organizata me shumë dyshime dhe pothuajse u pezulluan nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar vitin e kaluar, vëren EUvsDisinfo.
Pushtimi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës krijoi ato zona lufte nga të cilat duhej të evakuoheshin fëmijët ukrainas. Problemi është se evakuimet nga zonat e konfliktit, veçanërisht të fëmijëve, duhet të jenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Në veçanti, neni 78 i Protokollit Shtesë të Konventave të Gjenevës parashikon që fëmijët nuk mund të zhvendosen në një vend tjetër përveç vendit të tyre dhe prindërit duhet të japin pëlqimin për çdo evakuim.
Rusia nuk i ka respektuar këto rregulla. Në vend të kësaj, autoritetet dhe personeli ushtarak rus kanë marrë fëmijë pa miratimin e prindërve, i kanë transferuar me forcë në Rusi dhe kanë penguar ribashkimin e familjeve në shumicën e rasteve, përveç disa të rralla, vëren EUvsDisinfo.
E vërteta dhe faktet, megjithatë, ekzistojnë
Pavarësisht mohimeve dhe narrativave të rreme të Rusisë, e vërteta dhe faktet ekzistojnë. Forcat ruse kidnapojnë fëmijë të pafajshëm, i japin për birrësim, u fshijnë identitetin, dhe disa prej tyre i trajnojnë për të luftuar në luftë.
Muajin e kaluar, tridhjetë e tetë shtete, si dhe Këshilli i Evropës dhe BE-ja, i bënë thirrje Rusisë të kthejë menjëherë dhe pa kushte fëmijët ukrainas. Në margjinat e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së, Ukraina dhe Kanadaja mbajtën një samit në nivel të lartë të Koalicionit Ndërkombëtar për kthimin e Fëmijëve Ukrainas, një iniciativë ku BE-ja iu bashkua të njëjtën ditë për të theksuar problemin dhe për të ushtruar presion mbi Rusinë që të ndalojë praktikën e saj barbare të pengmarrjes të të rinjve nga një komb tjetër.




