Takimi informal i 17 korrikut në Tiranë i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor u bë shkas për dizinformim mbi pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe zëvendësit të tij Besnik Bislimi. Narrativa e mediave me qasje proqeveritare në Shqipëri ishte fajësuese ndaj zyrtarëve të Kosovës. Ndërkohë disa portale përcollën raportime të pavërteta dhe të pakonfirmuara nga burimet zyrtare duke shkaktuar amulli në opinion.
Barbara Halla
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor morën pjesë të hënën, më 17 korrik, në një takim informal të organizuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Në praninë e Oliver Varheyli, komisionerit të BE për Fqinjësi dhe Zgjerim, kryeministrat e Mali të Zi, Shqipërisë, Serbisë, dhe Maqedonisë së Veriut diskutuan mbi strategjinë dhe përparësitë e Procesit të Berlinit, samiti i të cilit zhvillohet më 16 tetor po në Tiranë.
Ndërkohë, takimi informal i 17 korrikut dhe rezultatet e tij u zhvilluan nën hijen e një lajmi më të bujshëm: mungesën totale të përfaqësuesve nga Kosova, qoftë të kryeministrit Albin Kurti, ashtu edhe të zëvendësit të tij.
Spekulimet qenë të shumta mbi mungesën e përfaqësuesëve nga Kosova, sidomos pas “kunjave” në distancë mes Ramës dhe Kurtit dhe takimit të anuluar befas të dy qeverive në 14 qershor.
A e bojkotoi Kurti takimin?
Mungesa e kryeministrit të Kosovës, Kurti u mor vesh një ditë para se takimi të zhvillohej në Tiranë. Zëdhënësi i i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu bëri të ditur lajmin përmes një postimi në Facebook ku shkruhej: “Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.” Në të njëjtin postim, njoftohej se Kurti do të merrte pjesë në Samitin e 16 tetorit për procesin e Berlinit, i cili do të mbahet po në Tiranë.
Burim: ABC News
Burim: Top Channel
Mungesa e Kurtit, pavarësisht se e justifikua nga Kryeziu, u shpalos nga opozita në Kosovë dhe media si një bojkotim i qëllimshëm. Analistë të ndryshëm e konsideruan atë të dëmshëm për reputacionin e Kosovës, dhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Mungesa e Kurtit u interpretua edhe si një kundërpërgjigje ndaj kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe vendimit të qeverisë shqiptare për anulimin e takimin midis dy qeverive të planifukuar të ndodhte më 14 qershor.
Burim: Euronews Albania
Vlora Çitaku, nënkryetarja e PDK-së e përshkroi vendimin e Kurtit si fëminor dhe politikisht të papërgjegjshëm. Ajo po ashtu fajësoi marrëdhenien e Kurtit me Ramën.
“Në takime të tilla, mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu,” tha ajo.
Mungesa e Kurtit i dha “zë” një tjetër situate jo të qartë. Në media u diskutua pjesëmarrja në Tiranë e zëvendës kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi.
Në lajmet e para për mungesën e Kurtit shkruhej se ai do të zëvendësohej në takim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Burimi: Zgjohu shqiptar
Por në ditën e takimit, mëngjesin e 17 korrikut, mediat shqiptare raportuan se, pasi Kosova kishte konfirmuar prezencën e Bislimit, qeveria shqiptare i kishte komunikuar se Bislimi nuk mund të merrte pjesë në këtë takim për shkak të protokollit.
Në këto lajme, nuk specifikohej për cilin protokoll bëhet fjalë, por thuhej thjesht se niveli dytësor i Bislimit nuk e bënte atë të përshtatshëm si përfaqsues në takimin midis krerëve të shteteve ballkanike.
Burim: ABC News
Në mediat shqiptare, ky vendim u portretizua po ashtu me nuanca personale. Mediat nuk shkruan vetëm që Bislimit iu refuzua pjesmarrja, ato folën për përzënien e Bislimit nga Samit i Tiranës. Duke përdorur narrativën “përze zëvendësin e Albin Kurtit,” ato i mëshuan faktit se – si vendimi i Kurtit për të mos ardhur në Tiranë – dhe “përzënia e Bislimit” vijnë si pasojë e luftës së ftohtë midis Kurtit dhe Ramës.
Burim: Gazeta Tema
Pak orë pasi mediat shqiptare raportuan se Bislimit i ishte refuzuar pjesmarrja, zëdhënësi i zëvendëskryeministrit të Kosovës lëshoi një deklaratë për Top Channel e cila kundërshton këtë narrativë. Klisman Kadiu, këshilltari për Median, tha se nuk kishte pasur kurrë plan që Bislimi të shkonte në Tiranë.
“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar.
Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij,” ka thënë Kadiu.
Burim: Gazeta Tema
Për të patur më shumë informacion në lidhje me këtë çështje, Faktoje pyeti zyrtarisht Kryeministrinë e Shqipërisë dhe Agjencinë për Median dhe Infomacionin.
Deri në këto momente edhe pas skadimit të afatit për kthim përgjigje, ende nuk kemi një përgjigje nga ana e tyre.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor