Me nisjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, hapësira online në Kosovë si zakonisht është e mbushur edhe me sondazhe të rrejshme që pretendojnë të matin disponimin elektoral të qytetarëve. Të shpërndara kryesisht në “Facebook” nga faqe që nuk u dihet pronësia, këto materiale paraqiten si anketa profesionale të realizuara nga kompani të njohura vendore ose ndërkombëtare. Por një hulumtim më i thelluar tregon se bëhet fjalë për sondazhe pa asnjë bazë kredibile, me kompani që nuk ekzistojnë fare ose nuk kanë asnjë histori të verifikueshme në fushën e hulumtimeve dhe matjeve të opinionit publik.
Një nga postimet më të shpërndara është ai i faqes “Plus Media”, e cila publikoi më 16 dhjetor një grafikë me titullin “Rezultate që flasin qartë: LVV kryeson, PDK ngjitet fuqishëm”. Aty pretendohet se LVV-ja do t’i fitojë 33.2 për qind, PDK-ja 31.8 për qind, LDK-ja 20.3 për qind, AAK 9.5 e Nisma 5.2.
Sondazh i rremë
Mjet propagandistik
Në postim nuk ofrohet asnjë informacion elementar apo vegëz ku do të sqaroheshin gjetjet e anketës së pretenduar. Nuk dihet kush e ka realizuar sondazhin, sa ka qenë madhësia e mostrës, metoda e përzgjedhjes së të anketuarve apo periudha kohore. Mungesa totale e elementeve thelbësore të një sondazhi e bën këtë postim një produkt tipik propagandistik, që më shumë ngjason me një poster politik sesa me një hulumtim serioz. Ky postim ka nxitur mbi 50 reagime, ka marrë afro 20 shpërndarje e mbi 140 komente. Kjo faqe ka mbi 14 mijë ndjekës, nuk ofron informacione për pronësinë ndërsa është hapur në gusht të 2020-ës.
Edhe më problematik është rasti i ashtuquajturit “sondazh amerikan”, i cili pretendohet se është realizuar nga kompania UGBA, e përshkruar si “e njohur për sondazhe të besueshme” dhe e cituar nga disa faqe lokale. Por verifikimi tregon se nuk ekziston asnjë kompani e njohur ndërkombëtarisht e sondazheve me këtë emër, as ndonjë prani publike apo mediatike që do ta konfirmonte aktivitetin e saj. Nuk ka faqe zyrtare, raporte metodologjike, klientë të mëparshëm apo publikime të njohura, elemente këto minimale që i ka çdo kompani serioze e hulumtimeve.
Pretendimi se sondazhi është realizuar nga 1 deri më 10 dhjetor dhe se “mbetet ende i hapur deri më 26 dhjetor” e ekspozon edhe më shumë tendencën që manipulimi të jetë i vazhdueshëm deri në ditën e votimit. Një sondazh elektoral nuk mund të jetë i hapur gjatë tërë kohës. Ftesa që qytetarët të “japin votën” përmes një platforme si “Strawpoll” e shndërron krejtësisht këtë material në një anketë online pa asnjë vlerë statistikore, të maskuar qëllimisht si sondazh profesional.
Rezultatet e sondazhit të pretenduar tregojnë se gjoja Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 33.1%, e ndjekur nga LDK me 26.9% dhe PDK me 25.2%. AAK renditet me 8%, Nisma me 2.5%, ndërsa subjektet tjera së bashku përbëjnë rreth 4.3%. Aty jepet edhe grafikoni ilustrues i këtyre rezultateve me fotografitë e liderëve të partive që garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Përmbajtja që ka kjo faqe e krijuar në vitin 2017 është e ngjashme me ato të platformave “click-bait”, ku brenda saj ka nga anketa për zgjedhje, politikë, e deri tek lajmet e shouibizit e këshillat mjekësore.
Sondazh i rremë
Çfarë synohet me këto sondazhe?
Qëllimi kryesor i këtyre sondazheve të rreme nuk është informimi i publikut, por ndikimi psikologjik mbi votuesit. Përmes krijimit të perceptimit se një parti po kryeson bindshëm ose se një tjetër është “në rritje të fuqishme”, tentohet të aktivizohet efekti i turmës, i njohur si “bandwagon effect”, duke i shtyrë njerëzit të rreshtohen me atë që perceptohet si fitues. Në raste të tjera, synimi është demobilizimi i votuesve të subjekteve të caktuara duke i bindur se gara tashmë është e vendosur.
Fakti që këto “sondazhe” publikohen pa autorësi të qartë dhe nga faqe që nuk mbajnë përgjegjësi editoriale, tregon për një strategji të qëllimshme dezinformimi, e cila shfrytëzon mungesën e edukimit mediatik dhe besimin e verbër të një pjese të audiencës në përmbajtjet e shpërndara në rrjete sociale.
Reagimet, mes besimit dhe dyshimit
Reagimet e përdoruesve në Facebook ndaj këtyre sondazheve janë të ndara. Një pjesë e komentuesve i marrin rezultatet si të mirëqena, i shpërndajnë ato si “fakte” dhe i përdorin për të përforcuar bindjet e tyre politike. Komente si “kjo është e vërteta” apo “kështu do të dalë rezultati” tregojnë se sondazhet edhe kur janë të rreme, arrijnë të ndikojnë perceptimin publik.
Nga ana tjetër, vihet re edhe një rritje e skepticizmit. Disa përdorues vënë në dyshim ekzistencën e kompanive, pyesin për metodologjinë dhe e quajnë hapur materialin propagandë. Megjithatë, këta zëra kritikë shpesh humbin në mes të vëllimit të madh të shpërndarjeve dhe reagimeve emocionale.
Publikimi i sondazheve të rreme në prag zgjedhjesh nuk është fenomen i ri në Kosovë, por intensiteti i tyre në hapësirën digjitale po rritet gjithnjë e më shumë. Këto sondazhe vazhdojnë të funksionojnë si mjete të pastra manipulimi politik.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



