Foto: Privatna arhiva, ustupljeno Sputniku
Më 11 gusht 2025, portali Sputnik Serbia publikoi një artikull me titull “Priština kopira Hrvatsku: Na delu tiha repriza ‘Oluje’ pred očima Kfora” (“Prishtina kopjon Kroacinë: Një ritransmetim i heshtur i ‘Operacionit Stuhia’ është duke u zhvilluar para syve të KFOR-it”. Ai paraqet veprimet e institucioneve kosovare në veri si një “reprizë e heshtur” e Operacionit “Oluja” — ofensiva ushtarake masive kroate e vitit 1995, ndërsa KFOR-i paraqitet si pasiv, “duke shikuar pa ndërhyrë”. Artikulli përmes opinioneve të disa analistëve nxit narrativën se serbët në Kosovë po përndiqen në heshtje, duke e shtrembëruar edhe praninë e aktorëve ndërkombëtarë, këtë rast KFOR-it.
“Bashkëbiseduesit e Sputnik, Profesor Dr. Stevica Deđanski dhe historiani nga Kosova dhe M. Miloš Damjanović, besojnë se skenari i ngjarjeve në KM i ngjan shumë skenarit në Kroaci në prag të operacioneve ushtarake Stuhia dhe Shkëlqimi, të cilat pastruan etnikisht serbët, gjithashtu në prani të forcave të OKB-së”, pretendohet në këtë artikull.
Më tej njëri nga opinionistët dezinformon duke thënë se “ka qenë e dukshme për një kohë të gjatë se Prishtina po kopjon gjithçka që është bërë në Kroaci, dhe mund të shihet se e njëjta dorë është nënshkruese e atij skenari. Është gjithashtu një fakt i përsëritur se forcat ndërkombëtare janë të pranishme në disa keqbërje dhe nuk reagojnë”.
Çfarë ndodhi vërtet gjatë “Olujës”?
Më 4 gusht 1995 ishte ndërmarrë operacioni “Stuhia” (Olluja) i Forcave të Armatosura Kroate për të kthyer kontrollin e pjesëve të Kroacisë, të marra nga serbët në fillim të vitit 1991.
Serbët kishin deklaruar pavarësinë e tyre nga Kroacia, duke shpallur Republikën Serbe të Krajinës e cila nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.
Kjo ofensivë rezultoi në vrasje të qindra serbëve dhe dëbim masiv. Sipas vlerësimeve të organizatave kredibile ndërkombëtare, mbi 150 mijë serbë u larguan, ndërsa disa burime flasin për deri në 200 mijë refugjatë.
Ndërkohë, situata në veri të Kosovës është krejtësisht ndryshe e cila ka të bëjë me kontroll institucional (policor e administrativ), jo me forcë ushtarake apo dhunë sistemike.
Nuk ka asnjë operacion ushtarak masiv në veri të Kosovës. Nuk ka një ofensivë të armatosur për marrjen e territorit dhe as zhvendosje të detyruar të mijëra njerëzve. Kontrolli i policisë, zbatimi i ligjit për luftimin e kontrabandës dhe grupeve kriminale apo masat administrative nuk mund të krahasohen me një fushatë ushtarake të mirëplanifikuar.
Faktet që demantojnë narrativën e mediumit pro-Kremlin
Komuniteti serb në Kosovë, pavarësisht tensioneve të kohë pas kohshme është i shpërndarë në pjesë të ndryshme, pjesa më e madhe në veri të vendit; ka përfaqësuesit e vet politikë, dhe siguria monitorohet nga trupat paqeruajtëse ndërkombëtare.
Në Kosovë që nga viti 1999 është KFOR-i, një forcë paqeruajtëse e NATO-së, me mandat të qartë për siguri dhe liri lëvizjeje për të gjitha komunitetet. KFOR-i është aktiv në terren, dhe si reagues i tretë i sigurisë koordinon veprimet me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, si faktor stabiliteti. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të zbarkojë në veri të vendit vetëm me leje të posaçme të komandantit të KFOR-it.
As raportet e organizatave ndërkombëtare nuk mbështesin pretendime për një “pastrim etnik” në Kosovë.
Përdorimi i “Ollujës” si krahasim nuk është i rastësishëm. Kjo ndodh pothuajse çdo vit rreth përvjetorit të saj në fillim të gushtit, kur media nacionaliste në Serbi dhe platforma pro-Kremlinit si “Sputnik” rikthejnë kujtimet e luftës për të forcuar narrativën e viktimizimit të serbëve dhe për të rritur tensionet mes Kosovës e Serbisë. Krahasime të tilla janë pjesë e një arsenali propagandistik, që e marrin një ngjarje historike të pashlyeshme nga kujtesa kolektive dhe e vendosin mbi realitetin aktual, pavarësisht se faktet nuk përputhen. Synimi është të krijohet ndjesia se historia po përsëritet, duke nxitur frikë dhe mobilizim politik.
Një shembull tipik është toni i artikullit të “Sputnik Serbia”, ku veç Kosovës tentohet të goditet edhe NATO-ja, tipike kjo për media pro-Kremlinit. Aty KFOR-i paraqitet si spektator pasiv, ashtu siç pretendohet se ishin forcat ndërkombëtare gjatë “Ollujës”.
Analogjia “Olluja–Kosovë” nuk është një analizë historike, por një instrument propagande. Ajo shfaqet kur tensionet politike janë të larta dhe kur ka tendenca për të bllokuar çdo hap drejt normalizimit të marrëdhënieve. Duke u mbështetur në trauma të vjetra dhe duke i përzier me kinse gjysmë të vërteta aktuale, media si “Sputnik” shtrembërojnë realitetin.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



