Kah fundi i javës së kaluar Dragan Vuçiqeviq, kryeredaktori i Informer, shpalosi një sërë pretendimesh të pasakta dhe të pabazuara në lidhje me konferencën “POINT”, e cila po mbahet më 29 dhe 30 maj në Sarajevë, duke targetuar hapur pjesëmarrësit nga Serbia, shkruan ZashtoNe?.
Në emisionin “Kolegium” në TV Informer dhe në një shkrim të botuar në portal me titullin “E zbulojmë planin djallëzor të bllokadave! Operacioni “Kutia e Zezë” për paralizimin e Serbisë – kjo është data kyçe (VIDEO)”, Vuçiqeviq i përmendi emrat e disa prej pjesëmarrësve në konferencën “POINT” nga Serbia (Nikolla Ristiq, Filip Ejdus, Ivan Gjuriq, Nikolla Burazer dhe Andrijana Ristiq), me ç’rast shpalosi edhe një sërë fyerjesh dhe akuzash të pabaza kundër tyre dhe Davud Delimegjac, aktivist studentor, i cili ishte ftuar të fliste në panel për protestat studentore në Serbi.
Vuçiqeviq në mënyrë të gabuar deklaroi se “POINT” është një “trajnim ekstremist” dhe një event kushtuar “rrëzimit të qeverisë” dhe “radikalizimit të situatës” në Serbi, duke implikuar gjithashtu edhe se emrin “POINT” – shkurtesë për “Përgjegjësi Politike dhe Teknologji të Reja” – e kanë shpikur individët e lartpërmendur për ta fshehur arsyen e vërtetë të ardhjes në Sarajevë, që është trajnimi në fjalë.
Akuzat e tilla janë të pavërteta, të pabaza dhe paraqesin një sulm serioz ndaj reputacionit, integritetit dhe ligjshmërisë së shoqatës qytetare “Zashto da ne”, organizatorit të konferencës “POINT”.
“POINT” nuk është një “trajnim”, por një konferencë që po e organizojmë në Sarajevë këto 13 vitet e fundit në bashkëpunim me rrjetet ACTION SEE dhe SEE Check dhe shumë partnerë të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Personat që ishin shënjestër e emisionit dhe artikullit të Informer nuk marrin pjesë në asnjë lloj “trajnimi”, por po marrin pjesë në edicionin e trembëdhjetë të konferencës “POINT”, e cila po mbahet në Sarajevë këtë javë, siç mund të shihet edhe në programin e konferencës. Programi është i disponueshëm në faqen zyrtare të konferencës, ashtu siç ka qenë çdo vit deri më tani. Pjesëmarrja e tyre në konferencë nuk ka të bëjë fare me “ekstremizmin” ose “trajnimin për rrëzimin e qeverisë”, por me pjesëmarrjen në panele temat e të cilave, si dhe të gjitha informacionet e tjera rreth konferencës “POINT”, janë të disponueshme publikisht në uebfaqen e konferencës.
Ndryshe nga deklaratat e pronarit dhe kryeredaktorit të Informer, “POINT” qartësisht nuk është “gjithçka për Serbinë”, nuk merret me “trajnim për ta rrëzuar qeverinë serbe”, dhe as nuk zhvillon ndonjë “trajnim ekstremist”. Këto pretendime nuk janë vetëm absurde, por janë nxitëse, sidomos në kontekstin në të cilin u prezantuan në emisionin Informer, ku u përdorën terma armiqësorë dhe përçmues si “ekstremistë”, “vehabistë me rroba civile”, “idiot që vrapon duke rrahur gratë, shko në këtë trajnim special”, “djali në kuvertën e Suljo Ugljanin” dhe terma të ngjashëm për t’i targetuar pjesëmarrësit në konferencë dhe aktivistin studentor Davud Delimegjac.
Në programin televiziv iu bë thirrje edhe Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA) që t’i dërgojë ata në një “bodrum të errët” pas kthimit të tyre në Serbi, ku ata do të “binin nëpër shkallët e errëta”. Ky është konteksti në të cilin u bënë edhe pretendime të tjera, siç është ai se “trajnimi POINT” me gjasë kryhet nga “shërbime të huaja”, gjë që gjithashtu përfaqëson dëmtim të reputacionit të U.G. “Zashto ne?”
POINT është një akronim për “Përgjegjësi Politike dhe Teknologjitë e Reja” dhe këto janë temat që trajtohen në konferencë. Ky titull është përdorur që nga edicioni i parë i konferencës në vitin 2012 dhe nuk ka të bëjë fare me ngjarjet aktuale në Serbi.
Mbajtja e konferencave, debateve publike, paneleve dhe diskutimeve është pjesë e lirisë së fjalës dhe shprehjes, e cila garantohet dhe mbrohet nga një numër konventash ndërkombëtare. Vendosja e aktiviteteve tona në kontekstin e “ekstremizmit” në Informer është një sulm i rëndë ndaj lirisë së fjalës dhe një sulm ndaj reputacionit si të organizatës tonë ashtu edhe të partnerëve tanë që e mbështesin konferencën “POINT”. Kjo e mashtron publikun dhe krijon rrezikun e rrezikimit të sigurisë së anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve tanë.
Dezinformatat, nxitja dhe gjuha e urrejtjes në televizion dhe në portalin online Informer kontribuan në krijimin e një atmosfere frike dhe pasigurie midis pjesëmarrësve të konferencës “POINT” dhe midis atyre që ishin target të akuzave të pabaza, si dhe midis të gjithë pjesëmarrësve të tjerë të eventit që në mënyrë të pajustifikueshme u lidhën me ekstremizmin dhe aktivitetet e “shërbimeve të huaja”.