Ukraina e ka rregulluar ligjërisht mëmësinë surrogate, jo fermat e foshnjave

Published on:

Nuk është e vërtetë që videoja u bën thirrje grave ukrainase që ta kthejnë barkun e tyre në makineri për prodhimin e foshnjave. Videoja origjinale tregon se ajo u drejtohet familjeve të huaja që shqetësohen se si funksionon procesi i zëvendësimit në kohë lufte. Në postim, nënat surrogate paraqiten si të shfrytëzuara, megjithëse japin pëlqimin me shkrim për zëvendësimin për kompensim financiar dhe e gjithë procedura në Ukrainë është e rregulluar mirë me ligj. Gjithashtu, në Ukrainë nuk ka 200 mijë fëmijë që janë viktima të trafikut të organeve, por llogaritet se 200 mijë fëmijë jetojnë në shtëpi pa prindër. Pretendimi se një veshkë në tregun e zi kushton 30 mijë dollarë nuk mbështetet në asnjë burim.

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruhet:

19.08.2023

MJTruth Tv SHBA.

Në Ukrainë, një fermë për foshnjat u gjet me gra shtatzëna, 200 mijë fëmijë gjithsej viktima. Trafikimi i organeve të fëmijëve të përfshirë. Veshka 30 mijë dollarë.

Majk: Gjithnjë e më shumë prova do të dalin,

Ky është vetëm fillimi. Përfundimi do të jetë i frikshëm për t’u parë.

Rroftë Trump, Putin dhe të gjithë patriotët.

Q

Video materiali që prezantohet si pjesë e njoftimit përmban manipulim të fakteve dhe paraqitje të tyre të gabuar, pra faktikisht të pasaktë, dhe përshkrimi i njoftimit të cituar më sipër është padyshim i gabuar. Nuk u gjet asnjë fermë për fëmijë në Ukrainë.

 

Nuk ka “bunker të grave të dëshpëruara”

Videoja gjithashtu paraqet në mënyrë të rreme (duke filluar nga sekonda 35 në video) se “gratë të dëshpëruara mund të vijnë në bunkerin e kësaj makinerie për të bërë fëmijë”. Por video është nga klinika Bio Tex com në Ukrainë, e cila ofron shërbime mjekësore për zëvendësimin në mënyrën më ligjore, diçka që është një mundësi ligjore në Ukrainë dhe një fushë e rregulluar ligjërisht. Në video materialin, në kundërshtim me atë që prezantojnë prezantuesit (nga sekonda 35 në videon e postimit që po rishikojmë), klinika tregon se si vazhdon të funksionojë edhe në kushte lufte, pra pasi Rusia kreu një pushtim ushtarak në Ukrainë. Videoja është realizuar me qëllim që personat që presin të kenë një fëmijë pas procesit të surrogacisë, të mos shqetësohen, pra të sigurohen që nënat surrogate dhe foshnjat të jenë të sigurta në një bunker. Ndryshe nga sa thuhej në videon e postimit, ky bunker nuk është i destinuar që të vijnë “gratë të dëshpëruara”, por që puna e spitalit, pra klinika të vazhdojë të funksionojë edhe në kushte lufte. Vetëm ato gra që kanë qenë tashmë në procedurë për surrogaci, të cilat tashmë janë shtatzëna dhe kanë qenë në spital deri atëherë, pra kanë dokumente, pëlqimin e nënshkruar të informuar, të cilët me vullnetin e tyre vendosën të bëhen nëna surrogate, vetëm ato janë në bunker. Por, nga ana tjetër, në sekondën 30 nga videoja e postimit, prezantuesja thotë:

Ja një video nga kompania Bio Tex që shpjegon se si gratë e dëshpëruara ukrainase mund të hyjnë në bunkerin e tyre dhe ta kthejnë barkun e tyre në makineri për të krijuar foshnja.

Por nuk është e vërtetë që videoja u bën thirrje grave ukrainase që ta kthejnë barkun e tyre në makineri për prodhimin e foshnjave. Videoja origjinale është postuar në linkun në vazhdim dhe shpjegon se ajo u drejtohet familjeve të huaja që shqetësohen se si po shkon procesi në kushtet e luftës dhe nuk janë në Ukrainë dhe pyesin nëse fëmija që do të kenë është i mirë dhe kujdeset.

Klinika, siç shihet nga adresa e hapjes në video (në sekondën 32) është e gatshme të mbrojë klientët, nënat surrogate dhe të porsalindurit edhe në kushte agresioni. Në video shfaqet një bunker i bërë si masë paraprake, ku puna e klinikës me mëmësi të asistuar mjekësor mund të vazhdojë edhe në rast të aksioneve ushtarake në Kiev.

Procedura ligjore për mëmësinë surrogate

Në faqen zyrtare të klinikës Bio Tex është një formular ku gratë mund të kontrollojnë vullnetarisht nëse i plotësojnë kushtet për t’u bërë nëna surrogate. Nuk është diçka që i detyron kush ta bëjnë, por përveç që duhet të jetë një zgjedhje vullnetare, duhet të plotësojnë edhe kushte të tjera. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë veprimtari të paligjshme, për çfarëdo lloj trafikimi fëmijësh, duke qenë se fëmijët u jepen familjeve të martuara nga një vend tjetër që kanë kushte të mira jetese, por nuk kanë mundësi të kenë pasardhës.

Foshnjat nga nënat surrogate, ndryshe nga sa thuhej në pjesën e tekstit të postimit, se bëhet fjalë për “200 mijë fëmijë viktima”, nuk janë viktima dhe as nuk janë trafikuar, por në një procedurë rreptësisht të kontrolluar u janë dhënë familjeve, gjegjësisht klientëve të klinikës. Është e vërtetë që nga përvojat e disa nënave surrogate thonë se procesi i të qenit nënë surrogate përfshin emocione. Por thonë gjithashtu se askush nuk i detyron të jenë nëna surrogate, por këtë e bëjnë që fëmijët e tyre biologjikë të kenë një arsim të mirë universitar apo për qëllime të tjera në përputhje me aspiratat e tyre. Surrogacia komerciale është plotësisht e ligjshme në Ukrainë dhe ka qenë e ligjshme që nga viti 2002. Për të qenë një nënë surrogate në Ukrainë, një grua duhet të jetë e martuar dhe të paraqesë një certifikatë martese. Ukraina është miqësore me mëmësinë surrogate dhe postimi e portretizon atë si trafikim të fëmijëve, gjë që është e pavërtetë.

Në Ukrainë, prindërit që synojnë të kenë një fëmijë me një nënë surrogate konsiderohen prindër biologjikë që nga momenti i konceptimit dhe emërohen si prindër biologjikë në certifikatën e lindjes së foshnjës që nga lindja pa përmendur nënën surrogate. Nëna surrogate nuk mund ta mbajë ligjërisht foshnjën pas lindjes. Nëna surrogate bën marrëveshje me prindërit e foshnjës. Sipas ligjit ukrainas, nuk ka kufi se sa para mund t’i paguhen një nëne surrogate dhe prindërit nuk duhet të birësojnë foshnjën, por ajo konsiderohet e tyre që nga momenti i konceptimit. Marrëveshjet duhet të lidhen ndërmjet palëve, si dhe një marrëveshje me institucionin mjekësor përgjegjës për inseminimin, nënën surrogate etj. Ju mund t’i shikoni të gjitha ligjet që janë të gjera dhe tregojnë një zonë jashtëzakonisht të rregulluar në lidhjen e mëposhtme.

Në të kundërt, video dhe postimi manipulojnë se në një bunker nëntokësor po bëhet një fabrikë për fëmijë dhe se “gratë e dëshpëruara shfrytëzohen” (minuta 3 e 7 sekonda e videos në postimin që po shqyrtojmë), ndërsa realiteti është se një institucion mjekësor siguron mbrojtjen e të gjithë procedurës surrogate gjatë pushtimit ushtarak rus të Ukrainës. Gratë nuk shfrytëzohen, por me pëlqimin e informuar duan të jenë nëna surrogate, kryesisht të motivuara nga arsye financiare.

Në minutën 3 e 19 sekonda pas videos, postimi citon se “nënat surrogate duhet të jenë nga vendet më të varfra se klientët” dhe citon drejtorin e një institucioni të tillë mjekësor. Por kur shikoni deklaratën e tij origjinale këtu në linkun e mëposhtëm, mund të shihni se ai po shpjegon se gratë në Evropë që kanë një jetë më të mirë dhe janë mirë ekonomikisht, nuk duan të jenë nëna surrogate.

Deklarata e plotë e drejtorit të institucionit mjekësor është:

Ne po kërkojmë gra në ish-republikat sovjetike, sepse logjikisht, ato duhet të jenë nga vende më të varfra se klientët tanë. Nuk kam takuar asnjë grua në gjendje të mirë ekonomike që ka vendosur ta kalojë këtë proces për një vepër të mirë, sepse mendon se ka mjaft fëmijë apo për të ndihmuar një familje tjetër. Ata e bëjnë këtë sepse u duhen para për të blerë një shtëpi, për shkollimin e fëmijëve të tyre në universitet. Nëse keni një jetë të mirë në Evropë, nuk do ta bëni. Pechenokha thotë se nuk e kupton pse biznesi është i ndaluar në vende të botës sepse, siç thotë ai:

“Askush nuk i detyron këto gra të jenë nëna surrogate, ato vendosin për një hap të tillë lirisht dhe me pëlqim. Vetëm çiftet e martuara që mund të dëshmojnë se nuk kanë fëmijë janë të pranueshëm”.

 

Nuk ka ferma foshnjash

Nga mënyra se si transmetohet video në përshkrim, të krijohet përshtypja se gjithsej ishin 200 mijë fëmijë viktima nga një fermë me gra shtatzëna nga Ukraina. Megjithatë, kur shikoni videon origjinale, ju merrni një pamje krejtësisht të ndryshme. Ai thotë se vlerësohet se në Ukrainë deri në 200 mijë fëmijë jetojnë në shtëpi për fëmijë pa prindër. Nuk është e njëjta gjë me atë që thuhej në postim, se në Ukrainë kishte 200 mijë fëmijë viktima në disa fermave të foshnjeve. Ne vetë postimin kemi një zëvendësim tezash, një përzierje termash dhe problemesh, kështu që del një përmbledhje absolutisht e gabuar – përshkrimi i videos.

Në Ukrainë, nuk ka tregti të organeve në objektet mjekësore për fekondim të asistuar mjekësor dhe surrogaci, është një zonë e rregulluar rreptësisht ligjërisht në Ukrainë. Gratë nuk detyrohen të jenë nëna surrogate, por këtë e bëjnë për arsyet e tyre, kryesisht ekonomike, dhe ligjërisht është e rregulluar që foshnjat t’u takojnë prindërve që nga momenti i ngjizjes së nënës surrogate!

Në video citohet një tekst i Huffington, postim nga 2015. Teksti thotë se rreth 82,000 deri në 200,000 fëmijë jetojnë në jetimore në Ukrainë. Është, siç shihet nga teksti, një vlerësim i aktivistëve të paidentifikuar, jo një numër fiks me fakte.

Për më tepër, postimi thotë se “u gjet një fermë foshnjash” për të nënkuptuar se diçka ishte fshehur, kur në fakt videoja u publikua nga vetë kompania mjekësore që ndërtoi bunkerin për të mbrojtur biznesin e saj dhe gratë dhe foshnjat brenda.

Më pas shtohet se “SHBA-ja në raportin e saj të Departamentit të Shtetit të vitit 2014 tregoi se fëmijët në jetimore dhe qendrat e krizës vazhdojnë të jenë të cenueshëm ndaj trafikimit në Ukrainë”.

Vërtetmatësi gjeti raportin e vitit 2014, seksionin për Ukrainën, i cili thotë se në vitin 2014 qeveria e Ukrainës nuk përmbushi standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, por se po bën përpjekje të konsiderueshme për të çrrënjosur problemin. Në kohën e Viktor Janukoviç, Qeveria miratoi standardet e kujdesit social për viktimat, krijoi një njësi të posaçme kundër trafikimit dhe rriti ndjeshëm numrin e oficerëve në njësinë kundër trafikimit. Ka kritika se në vitin 2014 ka pasur tre herë më pak viktima të trafikimit të qenieve njerëzore në krahasim me vitin 2011. Kjo vlen si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët, jo vetëm për fëmijët siç thuhet në postim. Kontrolluesit e fakteve të USA Today kanë vënë në dukje gjithashtu narrativën ruse se Putini pushtoi Ukrainën për të “shpëtuar fëmijët e trafikuar”.

Në tekstin e USA Today, shkruhet se Ukraina nuk është një qendër kryesore për trafikimin e fëmijëve. Në vitin 2023, Departamenti i Shtetit në raportin e tij e klasifikoi atë si një vend që nuk plotëson kriteret për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë.

Departamenti i Shtetit shkroi se “Qeveria ruse po kryen agresion ushtarak kundër Ukrainës, dhe kjo po krijon kushte që i bëjnë miliona refugjatë që janë larguar nga Ukraina dhe të zhvendosur nga jashtë dhe ata që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare në Ukrainë në mënyrë të ndjeshme ndaj trafikimit të qenieve njerëzore..” Në minutën e 9-të të videos në postim, pa përmendur burimin, thuhet se një veshkë kushton 30 mijë dollarë në tregun e zi. Por nuk ka të bëjë fare me foshnjat nga objektet mjekësore surrogate.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se në postimin që po shqyrtojmë mungon konteksti, ngatërrohen “lisat dhe fshisat” dhe tentohet të paraqitet një biznes legal si biznes i trafikut të qenieve njerëzore dhe organeve. Nënat surrogate paraqiten si të shfrytëzuara, megjithëse japin pëlqimin me shkrim  për kompensim financiar dhe e gjithë procedura në Ukrainë është e rregulluar mirë me ligj. Gjithashtu, në Ukrainë nuk ka 200 mijë fëmijë që janë viktima të trafikut të organeve, por llogaritet se 200 mijë fëmijë jetojnë në shtëpi pa prindër. Informacioni se një veshkë në tregun e zi kushton 30 mijë dollarë nuk mbështetet nga një burim dhe nuk ka lidhje me Ukrainën. Putini dhe lufta e tij në Ukrainë nuk po ndihmojnë që situata e trafikimit të qenieve njerëzore të përmirësohet, por përkundrazi sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të vitit 2023, njerëzit që ikin nga lufta po vihen në rrezik trafikimi.