Alfabeti cirilik i gjuhës ukrainase Foto: FDRMRZUSA, CC BY-SA 4.0, nëpërmjet Wikimedia Commons
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.
Nuk është e saktë që ukrainasit ua ndaluan rusëve të flasin rusisht në Ukrainë. Në të vërtetë, fakti që disa njerëz në Ukrainë flasin gjuhën ruse, nuk i bën ata de-fakto rusë. Edhe pse në vitin 2019 në Ukrainë u miratua një ligj që gjuha ukrainase është zyrtare në Ukrainë, gjuha ruse mbetet një gjuhë shumë e përdorur në Ukrainë në kulturën popullore, në komunikimin joformal dhe në biznes. Ashtu si shkruajnë verifikuesit e fakteve të “PolitiFact”, në prill të vitit 2019 Parlamenti i Ukrainës miratoi një ligj për gjuhën sipas të cilit gjuha ukrainase është gjuha zyrtare për të punësuarit në sektorin publik në shtet.
Ne shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook në të cilin shkruan:
“Ky Çashule ka dalë komplet jashtë realitetit! Ai e krahason Rusinë me Bullgarinë, e ne me Ukrainën. Epo Kole, mos fol kot, as ne nuk jemi ukrofashistë, e as rusëve nuk iu ndalua gjuha, përkundrazi ndodhi e kundërta. Ukrainasit u ndaluan rusëve (35% e popullsisë në Ukrainë) gjuhën dhe kishën.”
Nuk është e saktë që ukrainasit ua ndaluan rusëve të flasin rusisht në Ukrainë. Në fakt, fakti që disa njerëz në Ukrainë flasin gjuhën ruse, nuk i bën ata de-fakto rusë. Edhe pse në vitin 2019 në Ukrainë u miratua një ligj që gjuha ukrainase është gjuha zyrtare në Ukrainë, gjuha ruse mbetet një gjuhë shumë e përdorur në Ukrainë në kulturën popullore, në komunikimin joformal dhe në biznes. Siç shkruajnë verifikuesit e fakteve të “PolitiFact”, në prill të vitit 2019 Parlamenti i Ukrainës miratoi një ligj për gjuhën sipas të cilit gjuha ukrainase është gjuha zyrtare për të punësuarit në sektorin publik të shtetit.
Ligji për gjuhën ukrainase si gjuhë zyrtare të shtetit
Miratimi i këtij ligji kërkon që qytetarët të dinë gjuhën ukrainase, dhe zyrtarët publikë, ushtarët, mjekët dhe mësuesit të komunikojnë domosdoshmërisht në gjuhën ukrainase. Disa përjashtime janë bërë në ligj për disa gjuhë të pakicave, si anglishtja dhe gjuhë të tjera të BE-së. Gjuha ruse nuk bën pjesë në këtë kategori, shkruajnë verifikuesit e fakteve të “PolitiFact”.
Që nga fillimi i pushtimit ushtarak të paprovokuar nga Rusia ndaj Ukrainës në vitin 2022, shumë ukrainas kanë hequr dorë nga përdorimi i gjuhës ruse si shenjë rezistence, shkruan “Kyiv Independent” në një artikull të fundit, duke theksuar se shumë ukrainas vazhdojnë të flasin si ukrainisht ashtu edhe rusisht. Sipas këtij mediu, përdorimi i gjuhës ruse në Ukrainë është pasojë e një rusifikimi shekullor nën Bashkimin Sovjetik.
Për shumicën, të folurit rusisht nuk është shprehje e lidhjes me Rusinë. Por për Kremlinin, gjuha ruse është bërë një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm propagandistik, i përdorur për të portretizuar ukrainasit që flasin rusisht si “një shenjë që ata duan t’i bashkohen Rusisë”, sipas “Kyiv Independent”.
Mediat theksojnë se gjuha ukrainase filloi të flitej më masivisht nga një numër më i madh njerëzish pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, veçanërisht në periudhën pas vitit 2013-2014 (Euro-Majdan, Revolucioni i Krenarisë) dhe pushtimi ilegal i Krimesë dhe invazioni i Rusisë në Donetsk dhe Luhansk, kur Ukraina filloi aktivisht të promovojë përdorimin e gjuhës ukrainase.
Në vitin 2019, qeveria ukrainase miratoi një ligj për të siguruar që gjuha ukrainase të jetë gjuhë zyrtare e shtetit. Kundër disa keqinterpretimeve të qëllimshme, ligji nuk u miratua për të ndaluar gjuhën ruse në Ukrainë, por për të forcuar përdorimin e gjuhës ukrainase në sferën publike, shkruan “Kyiv Independent”, duke shtuar se disa ukrainas ndalojnë të flasin rusisht për të mos justifikuar arsyen e Rusisë për fillimin e luftës ku ata vetë janë viktima. Për iniciativa të ngjashme të rezistencës raporton edhe “Al Jazeera”.
Siç raportoi “Zëri i Amerikës” pas miratimit të ligjit për gjuhën, kjo do të thotë që të gjitha kompanitë, organizatat dhe dyqanet janë të detyruara të ofrojnë shërbime ndaj konsumatorëve dhe informacione për mallrat dhe shërbimet në gjuhën ukrainase. Megjithatë, informacionet mund të përkthehen edhe në gjuhë të tjera dhe mund të flitet edhe në gjuhë të tjera sipas kërkesës së klientit.
Pse një pjesë e ukrainasve flasin edhe gjuhën ruse?
Në anketën e “Rating” (një organizatë e pavarur kërkimore me seli në Kiev, Rating Sociological Group) të realizuar nga 16 deri më 20 gusht 2023 me 6,050 persona që jetojnë në Ukrainë, në pyetjen “Çfarë gjuhe flisni në shtëpi?” – 59 për qind e të anketuarve u përgjigjën se në jetën e përditshme flasin vetëm ukrainisht, 31 për qind flasin edhe ukrainisht edhe rusisht, ndërsa 9 për qind thanë se kryesisht flasin rusisht në jetën e përditshme.
Nga 4 deri më 27 dhjetor 2022, Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë, një qendër kërkimore private me seli në Kiev (International Institute of Sociology), ka realizuar një studim me 2,005 të anketuar në Ukrainë. Nga ta, 58 për qind thanë se komunikojnë ekskluzivisht ose kryesisht në gjuhën ukrainase, 15 për qind komunikojnë ekskluzivisht ose kryesisht në gjuhën ruse. Ndërsa 24 për qind thanë se përdorin të dyja gjuhët në mënyrë të barabartë, shkruan “Zëri i Amerikës”.

Pjesa e postimit ku përmenden “ukrofashistët” korrespondon me propagandën pro-Kremlinit, e cila synon të justifikojë luftën që Rusia e nisi në Ukrainë, një shtet sovran, i pavarur me një qeverisje të zgjedhur në mënyrë demokratike. Mbi 300 historianë që studiojnë gjenocidet, nazizmin dhe Luftën e Dytë Botërore nënshkruan një deklaratë ku theksojnë se retorika e Putinit për “denazifikimin e fashistëve” është propagandë.
Qeveria aktuale ukrainase nuk është fashiste, as diktatoriale, dhe në asnjë mënyrë nuk ka lidhje me të kaluarën naziste. Presidenti Volodymyr Zelenski është zgjedhur në mënyrë demokratike në zgjedhje të lira, duke marrë 73 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.
Jeffrey Weidlinger për “Time” thotë:
Në një moment, kishte ukrainas që bashkëpunonin me nazistët. Prandaj Putini përdor këtë term, por kjo ishte para 80 vjetësh dhe nuk pasqyron qeverinë aktuale ukrainase. Kur Putini përdor këtë term, ai nuk ka kuptim. Ai nuk frikësohet nga nazistët në Ukrainë. Ai frikësohet nga demokracia në Ukrainë dhe e kupton se ndërsa demokracia afrohet më pranë Rusisë, ekziston rreziku që njerëzit të kërkojnë demokraci.