Zelenski nuk është kukull e askujt dhe ukrainasit nuk i shtyn në luftë ndonjë “shtet i thellë”

Published on:

Ilustrim: Vërtetmatës.mk

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Ukrainasit u futën në luftë nga Rusia me agresionin e saj, e jo nga ndonjë “udhëheqës nga hija” – ashtu siç sugjeron një postim në Facebook, i cili shton edhe se “Zelenski është një kukull”, por kukull ishte presidenti prorus i Ukrainës, Janukoviç, i cili iku te urdhërdhënësit e tij në Rusi dhe që është dënuar me vendim të formës së prerë për tradhti të lartë. Ndryshe nga ai, Zelenski prej vitesh e mbron Ukrainën, duke kundërshtuar madje edhe presidentin e SHBA-së, Trump. Postimi, i cili është prorus dhe propagandistik, jep edhe shifra të dyshimta për humbjet ushtarake të Ukrainës, ndërsa pa asnjë kuptim është publikuar në një faqe patriotike maqedonase në Facebook, sikur Maqedonia e Veriut të ishte në luftë kundër Ukrainës.

 

Po recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, i cili thotë:

Ukrainasit do të luftojnë deri te ukrainasi i fundit. Sipas dëshirës së “shtetit të thellë”. Do ta humbin gjysmën e Ukrainës. 1,7 milionë ukrainas kanë vdekur në luftën me Rusinë. Zelenski është një kukull.

Volodymyr Zelenski nuk është kukull, por bën atë për të cilën ka dhënë betim si president – ta mbrojë Ukrainën. Ai do të ishte kukull po të mos e mbronte vendin dhe po të plotësonte dëshirat e agresorit rus.

Kukull ishte presidenti ukrainas Viktor Janukoviç, i cili iku te urdhërdhënësit e tij në Rusi, që kryen agresion ndaj vendit të tij, dhe ai është dënuar me vendim të formës së prerë për tradhti të lartë.

Zelenski i mbronte interesat e Ukrainës edhe atëherë kur pësonte presione nga SHBA. Ai e refuzoi variantin e parë dhe më të pafavorshëm të marrëveshjes me SHBA për shfrytëzimin e burimeve ukrainase, ndërsa më 28.2.2025 debatonte gjallërisht me liderin e asaj superfuqie, Donald Trump, madje në mes të Shtëpisë së Bardhë dhe para gjithë opinionit botëror, gjë që nuk do t’i shkonte për shtat një të binduri.

Postimi përmban të pavërteta dhe është prorus e propagandistik, ndërsa pa asnjë kuptim është publikuar në një faqe patriotike maqedonase në Facebook, sikur Maqedonia të ishte në luftë kundër Ukrainës.

“Shteti i thellë” në postim është një formë e gabuar e “deep state” (në përkthim nga anglishtja: shteti i thellë), që është një teori konspirative se Ukrainën e kanë shtyrë në luftë disa “udhëheqës nga hija”, për të cilën postimi nuk ofron asnjë burim apo dëshmi, ndërsa realiteti është si vijon.

Në shkurt-mars 2014 Rusia kreu agresion dhe aneksim ilegal të Krimesë, pas së cilës dërgoi agjentë si Igor Girkin-Strelkov për t’ia shkëputur Ukrainës edhe Donbasin.

Kështu, më 7.4.2014 u shpall e ashtuquajtura Republika Popullore e Donetskut, dhe pesë ditë më vonë Strelkov dhe luftëtarët e tij sulmuan qytetin Sloviansk, me ç’rast e filluan luftën në Donbas. Në të u përfshinë fshehurazi edhe forcat e rregullta të Rusisë, të cilat më 24.2.2022 nisën një agresion të hapur dhe gjithëpërfshirës.

Ukrainasit nuk i shtyn në luftë ndonjë “shtet i thellë”, por sjellja agresive e Rusisë, ndaj së cilës, natyrisht, ata japin rezistencë. Postimi dëshiron të na bindë se ukrainasit paskan ëndërr të bëhen skllevër të Moskës, por ndonjë i ashtuquajtur “shtet i thellë” i poshtër nuk ua paska lejuar këtë.

Më tragjikomikja është se diku vërtet ka funksionuar një “shtet i thellë”, p.sh. në Greqi (gr. Παρακράτος) dhe në Turqi (tur. Ergenekon), ndërsa disa mendojnë se të ashtuquajturit siloviki (ish-pjesëtarë të KGB-së siç është edhe Vladimir Putin) kanë krijuar diçka të ngjashme me një shtet të thellë në Rusi, por për një gjë të tillë në Ukrainë postimi nuk ofron asnjë provë.

Ai nuk ofron as dëshmi për shifrën prej “1,7 milionë ukrainas të vrarë”, dhe ne kemi shkruar tashmë se nga vjen ajo shifër e dyshimtë – e cila gjoja është për ushtarë ukrainas të vrarë e të zhdukur, dhe jo përgjithësisht për ukrainas të vrarë – siç thotë postimi, pra pa përfshirë civilët.

Më 20.8.2025 doli një lajm se hakerë rusë e kishin marrë këtë nga bazat e të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, por me këtë u morën verifikues të fakteve (shih: këtu dhe këtu), ndërsa nuk gjetën asnjë konfirmim të pavarur për hakerimin. Vështirë se kjo do të ndryshojë, meqë nga publikimi i atij lajmi të dyshimtë ka kaluar mjaft kohë dhe provë e fortë për këtë ende nuk ka

Këtë shifër e publikoi mediumi rus Mash, i cili nuk është aq relevant si p.sh. TASS ose RIA Novosti, dhe sa i përket kredibilitetit, nuk kemi ndonjë arsye të veçantë t’i besojmë. Në përgjithësi, mediat ruse janë të njohura për propagandën, për çka kemi shkruar gjerësisht, dhe ndryshe nuk mund të jetë nën pushtetin autoritar të Putinit.

Mash u referuan në gjoja deklarata të hakerëve, por gjithçka është e dyshimtë, ndërsa publikuan edhe diçka nga ato përmbajtje të hakuara, por nuk dimë sa është autentike dhe sa është “photoshop”. Përmbajtjet nuk ishin as të shumta dhe në to nuk kishte ndonjë zbulim të madh.

Postimi pohon edhe se ukrainasit paskan për të humbur gjysmën e Ukrainës, por autori nuk mund ta dijë këtë me siguri, e nëse gjykojmë nga rezultatet e deritanishme të Rusisë, gjasat për këtë janë të vogla.

Rusia nuk ka kontroll të plotë as mbi territoret që i aneksoi ilegalisht më 30.9.2022, kështu që aneksimi është kryesisht vetëm në letër.

Rusia kurrë nuk e pushtoi Zaporizhian, megjithëse sipas kushtetutës dhe ligjit e paraqet si “qytet në Rusi”; nuk arriti ta pushtojë as një pjesë të mirë të Rajonit të Donetskut (qytete si Sloviansk dhe Kramatorsk), ndërsa Hersonin e pushtoi, por e humbi më 11.11.2022. Kjo ishte e vetmja  qendër rajonale që Rusia arriti ta pushtojë gjatë pushtimit gjithëpërfshirës.

Që nga ajo kohë, Rusia ka pushtuar vetëm vende të vogla si Kurakhovo, për të cilat bota as nuk di ku gjenden në hartë, dhe këtë e arrin vetëm pas muajsh ose vitesh luftimesh me humbje të mëdha. Pas plot 11 vitesh agresion ndaj Ukrainës, Rusia mban vetëm 20 për qind të saj, gjë që nuk i shkon për shtat një superfuqie.

Në gusht 2024 Rusia madje humbi kontroll mbi vetveten, kur forcat ukrainase pushtuan një pjesë të Rajonit Kursk dhe e mbajtën për plot 7 muaj, e atëherë si do të kontrollonte gjysmën e Ukrainës?

Dhe, për më tepër, nuk thuhet: “Ukrainasit do të luftojnë deri te ukrainasi i fundit” – siç është në postim, por “Perëndimi do të luftojë kundër Rusisë deri te ukrainasi i fundit” – që është narrativa e njohur i dezinformatorëve rusë, por kjo në postim nuk është gjëja kryesore.

Duke marrë parasysh gjithçka të përmendur deri më tani, postimin e vlerësojmë si të pavërtetë.