Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 në të gjitha komunat e Kosovës u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha që do ta cenonin procesin. Votimi ndodhi në një kohë krizash politike në nivel qendror, ku pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 ende nuk ishin formuar institucionet e reja, zhvillim që ka lëkundur besimin publik ndaj sistemit politik dhe ka shtuar pasigurinë për drejtimin e vendit.
Në këtë rrethanë, zgjedhjet lokale u panë si një test për stabilitetin institucional dhe për kapacitetin e demokracisë vendore për të funksionuar pavarësisht krizës së zgjatur politike. Ndërkohë, për komunat me shumicë serbe sidomos në veriun e Kosovës – këto zgjedhje shënuan një rikthim politik pas më shumë se dy vjet bojkot nga Lista Serbe.
Dita e zgjedhjeve
Më 12 tetor, rreth 2.1 milionë qytetarë me të drejtë vote patën mundësi të votojnë në 38 komuna për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale.
Sipas të dhënave, pjesëmarrja e votuesve ishte më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme rreth 40%.
Sipas procedurave për zgjedhjet, fitore në raund të parë mund të arrihet nëse kandidati merr më shumë se 50 për qind të votave, në të kundërtën zhvillohet balotazhi, i cili është caktuar më 9 nëntor.
Sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që ishin aktivë gjatë ditës së zgjedhjeve procesi kaloi pa incidente serioze që të pengonin ose cenonin zgjedhjet.
Megjithatë, disa raste u regjistruan, ku Policia raportoi inicim të dy rasteve për shkelje të fshehtësisë së votës e fotografim të fletëve të votimit.
Fituesit, humbësit dhe balotazhi
Rezultatet preliminare treguan ndryshime të dukshme në hartën elektorale ku nuk munguan as befasitë. Rezultatet e para treguan se Vetëvendosje arriti të sigurojë fitore në raundin e parë në tri prej katër komunave ku ka qeverisur deri më tani. Por në garën për kryeqytet, kandidati i kësaj partie u rendit pas atij të Lidhjes Demokratike e Kosovës, ku balotazhi do të jetë përcaktues se cili do të jetë kryetar në katër vitet e ardhshme. Raund të dytë do të ketë edhe në 17 komuna të tjera, ku koalicionet parazgjedhore siç është dëshmuar deri tash mund të jenë përcaktues në garën direkte për kryetarë.
Garë e ngushtë ishte edhe për kuvendet komunale, ku befasia ndodhi në Prishtinë. Nga partia e parë sa ka qenë deri tash Lëvizja Vetëvendosje ka rënë në vendin e tretë me numrin e këshilltarëve komunalë që do t’i ketë, pas LDK-së e PDK-së.
Rikthimi i Listës Serbe
Në komunat me shumicë serbe fitoi Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Sipas rezultateve, ky subjekt fitoi nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në raundin e parë, ndërkohë që në komunën e Kllokotit do të shkohet në balotazh.
Narrativa e Listës Srpska e nisur prej zgjedhjeve parlamentare ishte se vota pro tyre nënkupton rikthim të vullnetit serb, dhe se është votë kundër “pushtimit dhe uzurpimit” nga Prishtina.
Partitë rivale serbe, pjesëmarrëse në këto zgjedhje e as ato të komuniteteve tjera nuk arritën t’a ndalin dominimin e Listës Serbe.
Akuza për ndërhyrje nga Serbia
Para dhe gjatë procesit zgjedhor, kryeministri në detyrë Albin Kurti akuzoi Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke përfshirë ofrimin e vendeve të punës, përfitime financiare e ndihma sociale në komunat me shumicë serbe për të ndikuar tek votuesit.
Po ashtu, Presidentja Vjosa Osmani e vuri theksin tek ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës.
BE-ja nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse ka njohuri për ndërhyrje të Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Megjithatë, misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet parlamentare të shkurtit kishte konstatuar se mediat shtetërore ruse “RT Balkan” dhe “Sputnik Srbija” – të mbështetura nga Kremlini kishin publikuar dhjetëra materiale për zgjedhjet në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, me “përmbajtje manipuluese” të drejtuara ndaj komunitetit serb.
BE-ja e ka mirëpritur procesin zgjedhor paqësor të zgjedhjeve lokale dhe është shprehur e kënaqur që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor pati pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve.
Aktualisht në Kosovë ndodhet misioni i ekspertëve të BE-së me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ky ekip po vëzhgon procesin zgjedhor ku në fund pritet të dalë me vlerësimi e të gjithë procesit.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



