Zgjedhjet në Kosovë: rezultatet, narrativat dhe pakënaqësitë

Published on:

Zgjedhjet në Kosovë. Foto nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (Facebook)

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 shënuan një moment të rëndësishëm në skenën politike të vendit, duke sjellë disa ndryshime në mbështetjen që votuesit u dhanë partive shqiptare dhe atyre të komuniteteve, si dhe shpërfaqën veçmas tensionet brenda komunitetit serb.

Fushata u përshkua me një polarizim të thellë politik, si brenda komunitetit shqiptar, ashtu edhe atij serb, me narrativa të përqendruara në çështje të identitetit kombëtar, integrimit euro-atlantik dhe luftës për dominim brenda komuniteteve përkatëse.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e udhëhequr nga Albin Kurti ka fituar me 40.96 për qind të votave, por me një rënie gati 10 për qind krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 22.55 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 17.10 për qind të votave. Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës mori 7.52 për qind të votave. Ndërkaq, komunitetet e tjera të cilat nuk hyjnë në përllogaritje me partitë shumicë, pasi i kanë ulëset e rezervuara, do t’i kenë 20 deputetë – 10 për serbët dhe 10 për komunitetet e tjera pakicë.

Lëvizja Vetëvendosje e përqendroi fushatën e saj në premtime për vazhdim të reformave, luftë kundër korrupsionit dhe shtrim të sovranitetit në veriun e populluar kryesisht me serbë. Kurti përmendi arritjet e qeverisë së tij në uljen e papunësisë, rritjen e pagës minimale dhe rritjen ekonomike të vendit. Por, në përpjekjen për t’i akuzuar partitë që kanë qeverisur në të kaluarën, zyrtarë të VV-së e lidhin aktivitetin e tyre me narrativën se janë të varur nga Serbia.

Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në njërin prej tubimeve, tha se 9 shkurti qartëson nëse do të qeveriset me shqiptarizëm, apo bashkë me Beogradin  Ai u bëri thirrje qytetarëve ta përkrahin vazhdimin e qeverisjes së LVV-së dhe të mos e kthejnë Kosovën në vitin 2017, kur për “formimin e qeverisë, partitë aktuale opozitare kanë qenë të varura nga votat e deputetëve të Listës Serbe”.

LVV-ja u përball me kritika për këto akuza, sikurse edhe për dështimet në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe për raportet e acaruara me Bashkimin Europian e Shtetet e Bashkuara, të cilat kulmuan me sanksione nga BE-ja në vitin 2023.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si partitë kryesore opozitare, kritikuan qeverinë për retorikën përçarëse dhe politikat agresive që, sipas tyre, kanë dëmtuar marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe kanë penguar integrimin e Kosovës në NATO dhe BE. Ata premtuan një qasje më diplomatike dhe bashkëpunuese në politikën e jashtme, duke premtuar rikthimin e marrëdhënieve të mira me partnerët ndërkombëtarë.

Narrativat e partive serbe

Te komuniteti serb, Lista Serbe mbajti një qëndrim të fortë kundër qeverisë së Albin Kurtit, duke e akuzuar atë për retorikë kërcënuese ndaj serbëve dhe përpjekje për të minuar të drejtat e tyre, “me qëllimin final që t’i dëbojë serbët nga Kosova”. Këtij diskursi i frynë edhe zyrtarë nga Serbia, të cilët vazhduan ta mbështesin Listën Serbe. Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, deklaroi se Kurti ka përdorur gjuhë kërcënuese ndaj serbëve, duke e portretizuar atë si një lider që luan me ndjenjat kombëtare të serbëve dhe promovon idenë e ”Shqipërisë së Madhe”.

Fushata zgjedhore u karakterizua edhe me akuza të ndërsjella mes partive të komunitetit serb.

Subjektet e reja serbe, si Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, u përpoqën të sfidojnë dominimin e Listës Serbe, duke ofruar një alternativë më të moderuar e orientuar drejt integrimit në institucionet e Kosovës. Lista Serbe, partia dominuese në këtë komunitet me mbështetje nga Beogradi zyrtar, u akuzua për blerje votash dhe presion ndaj votuesve. Kundërshtarët politikë pretenduan se ndihmat sociale prej 20,000 dinarësh (rreth 170 euro) u shpërndanë vetëm për votuesit e sigurt të Listës Serbe. Nga ana tjetër, partia e udhëhequr nga Nenad Rashiqi, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, u akuzua për shpërndarje të pajisjeve shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga buxheti i Kosovës, për të fituar vota.

Lista Serbe shprehu pakënaqësi edhe ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke pretenduar se iu mohua e drejta për vëzhgim dhe kontroll në ditën e zgjedhjeve dhe se përbërja e komisioneve zgjedhore favorizonte partitë rivale.

Për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe rrezikon të humbasë dominimin e saj me mbi 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, një nga këto vende pritet t’i takojë Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, gjë që reflekton një pluralizëm më të madh politik brenda komunitetit serb. Në zgjedhjet parlamentare kanë marrë pjesë 6 parti politike, gjë që nuk kishte ndodhur në të kaluarën – Lista Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Drejtësia Popullore Qytetare. Ajo që i bashkonte pesë nga gjashtë prej këtyre partive ishte përpjekja për t’i dhënë fund hegjemonisë së Listës Serbe.

Ndërhyrja e Serbisë

Misioni vëzhgues i Bashkimit Europian vlerësoi zgjedhjet si “paqësore dhe konkurruese”, por kritikoi polarizimin e debatit politik dhe ndërhyrjen e Serbisë përmes presionit ndaj votuesve serbë të Kosovës.

Në konferencë për media, misioni i BE-së e përmendi gjuhën negative dhe nxitëse të partisë në pushtet ndaj medias dhe gjyqësorit, ndërhyrjen e Serbisë përmes trysnisë ndaj votuesve serbë të Kosovës, si dhe kritikat e një zyrtari amerikan gjatë fushatës ndaj kryeministrit Albin Kurti. “Shumë bashkëbisedues raportuan për presion nga anëtarët e Listës Serbe mbi votuesit dhe kishte ndërhyrje të vazhdueshme dhe të përsëritshme nga Serbia”, ka thënë shefja e misionit të BE-së, Nathalie Loiseau.

Me ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme supozohej që Komisioni Qendror Zgjedhor t’i japë rezultatet preliminare të subjekteve pak orë pas mbylljes së kutive të votimit. Por, dështoi ta bëjë këtë për shkak se sistemi elektronik për futjen e të dhënave nuk funksionoi për disa orë, me ç’rast u ngritën edhe dyshime për mundësinë e manipulimeve.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, gjatë një vizite në Varshavë të Polonisë, deklaroi se Kosova u përball me kërcënime të sigurisë në procesin zgjedhor.

“…e përjetuam drejtpërdrejt këtë formë të kërcënimeve të sigurisë, për sa u përket sulmeve në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe një frekuencë shumë të sofistikuar dhe intensive të shpërndarjes dhe prodhimit të informacioneve të rreme, shumë të sofistikuar për sa u përket çështjeve dhe kohës së përzgjedhur”, ka thënë Bislimi në margjinat e takimit në nivel ministrash për çështje europiane, organizuar nga Presidenca e Polonisë e Këshillit të BE-së.

Për ndërhyrje në procesin zgjedhor ka folur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Tek e ka shpërndarë shqetësimin e ngritur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë për situatën në Serbi, Rohde ka thënë se ndikimi i autoriteteve të Beogradit zyrtar shtrihet përtej kufirit serb.

“Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç ka theksuar shefja e Misionit të Vëzhguesve në Kosovë, Nathalie Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet në Kosovë duke kërkuar vota për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave në Serbi, pa asnjë provë”, ka shkruar Rohde.

Gjuhën polarizuese dhe rritjen e retorikës populiste e nacionaliste e ka përmendur edhe një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që gjatë fushatës elektorale vizitoi Kosovën.

“Delegacioni njohu peizazhin pluralist dhe dinamik politik, me 28 lista kontestuese që përfaqësojnë komunitetet shumicë dhe joshumicë, duke u ofruar votuesve një gamë të gjerë zgjedhjesh. Megjithatë, disa bashkëbisedues ngritën shqetësime për rritjen e retorikës populiste dhe nacionaliste, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës përçarëse. Ata paralajmëruan se trende të tilla mund të dëmtojnë demokracinë dhe kohezionin ndëretnik dhe gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në pjesëmarrjen e grave në zgjedhje dhe politikë, pavarësisht nga kuota gjinore në listat e partive”, shkruante në komunikatën e delegacionit.

Pas numërimit të votave nga diaspora, atyre me kusht dhe trajtimit të afateve të ankesave, KQZ-ja do t’i shpallë rezultatet finale, pas së cilave hapet rruga për konsituimin e Kuvendit të Kosovës dhe më pas formimin e qeverisë.

Pavarësisht se LVV-ja fitoi shumicën e votave, mungesa e një shumice absolute në Kuvend e bën të nevojshme formimin e koalicioneve.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”