Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk
Rajoni i Ballkanit Perëndimor po hyn në një fazë politikisht të tensionuar, me procese zgjedhore të planifikuara këtë vjeshtë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në entitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Republika Srpska—ndërsa ka kërkesa në rritje për zgjedhje të parakohshme edhe në Serbi. Zgjedhjet në rajon prej kohësh kanë shërbyer si terren pjellor për aktorët antidemokratikë që përdorin fushata dezinformuese.
Hapësira e informacionit ka gjasa të mbushet me narrativa që e paraqesin demokracinë si një model të dështuar dhe që forcojnë ndikimin e fuqive të huaja përmes mbështetjes së kandidatëve apo subjekteve të caktuara politike.
Pritet që ndikimi i mediave serbe të luajë një rol strategjik në formësimin e perceptimeve rreth proceseve zgjedhore të vitit 2025, duke reflektuar gjithashtu tensionet e brendshme politike. Përpjekjet e pritshme për dezinformim rrezikojnë të thellojnë ndarjet shoqërore, të minojnë besimin në institucione dhe të dobësojnë llogaridhënien demokratike, duke ushqyer euro-skepticizmin. Duke delegjitimuar proceset zgjedhore, fushata e tilla tentojnë të nxisin polarizim dhe t’i ndajnë qytetarët në vija etnike dhe partiake, duke penguar dialogun politik konstruktiv.
Në Kosovë, zgjedhjet lokale të 12 tetorit rrezikojnë të ndezin sërish tensionet në veri, ku ka të ngjarë që mediumet e lidhura me pushtetin në Serbi ta paraqesin procesin si të dominuar nga interesat nacionaliste shqiptare, duke e kontestuar legjitimitetin e institucioneve përmes ndezjes së debateve dhe shpërndarjes së narrativave dezinformuese. Dezinformatat në lidhje me vendimet e autoriteteve lokale, siç është riemërtimi i rrugëve në Mitrovicën e Veriut, ishin të pranishme gjatë gushtit ku u tentua të krijohet perceptimi i rrezikimit të identitetit serb nga shumica shqiptare.
Bllokimi i zgjatur në lidhje me formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, vendimi i Presidentes Vjosa Osmani për t’ia dhënë ose jo mandatin udhëheqësit të shumicës parlamentare, Albin Kurti- pritet të përdoren si “armë” përmes narrativave dezinformuese që cenojnë besimin në institucione dhe proceset demokratike.
Në Republikën Srpska, zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe referendumi i pritshëm mund të paraqiten si dëshmi e ndërhyrjes së tepruar të Perëndimit, duke e interpretuar shkarkimin e Milorad Dodikut dhe vendimet gjyqësore përkatëse si sulme ndaj identitetit serb, çka rrit rrezikun e kërcënimeve për shkëputje.
Në Maqedoninë e Veriut, mediat dhe politikanët nën ndikimin e fuqisë së butë serbe mund të paraqesin aktorët politikë shqiptarë si “përfaqësues të huaj”, duke polarizuar më tej komunitetet etnike para zgjedhjeve lokale.
Pas takimit Trump–Putin në Alaska, paralajmwrohet që mediat serbe të lidhura me narrativat pro-ruse të forcojnë paraqitjen e Vladimir Putinit si një paqebërës global dhe Donald Trumpin si një udhëheqës që mbështet interesat ruse. Këto narrativa rrezikojnë të ushqejnë sentimentin anti-perëndim dhe të konsolidojnë më tej kornizat dezinformuese që e paraqesin BE-në dhe NATO-n si të ndara, hipokrite ose destabilizuese.
Narrative të tilla të koordinuara rrezikojnë kohezionin kombëtar, minojnë besimin në institucione dhe dobësojnë mbështetjen për integrimet euro-atlantike, duke e thelluar paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor në një moment kritik zgjedhor dhe gjeopolitik.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



