Zyrtarët serbë e rusë e kontestojnë shtetësinë e Kosovës, pavarësisht vendimit të GJND-së

Published on:

Zyrtarët rusë e serbë kanë vijuar të shpërndajnë narrativa kundër shtetësisë së Kosovës, edhe në Përvjetorin e 17-të të Pavarësisë së Kosovës. Ditën kur në Kosovë u festua, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, vizitoi Moskën, ku u takua me homologun rus. Pjesë e diskursit të tyre në konferencën e përbashkët ishte edhe Kosova, deklaratat e të cilëve u transmetuan edhe nga mediat lokale në veri të vendit.

Më 17 shkurt 2025, “Kosovo Online” publikoi artikullin me titullin: “Gjuriq: Në ditën e sotme është shkelur e drejta ndërkombëtare, Lavrov: Mbështetje për Serbinë në çështjen e Kosovës”. Deklarata e Gjuriqit dhe ajo e Lavrovit janë shpërndarë edhe nga “Politika.rs.”

“Në këtë ditë të 17 viteve më parë, në rastin e Serbisë, në Kosovë dhe M është shkelur e drejta ndërkombëtare. Pati një shpallje të njëanshme të paligjshme të së ashtuquajturës Kosovë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve serbë, të cilët asnjëherë nuk u konsultuan në referendum. Edhe në Kosovë e M nuk ka pasur asnjë deklarim deri më sot”, ka thënë Gjuriqi. Ndërsa Lavrovi ka shtuar se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë për çështjen e Kosovës. “Ne diskutuam aspektet e punës së përbashkët në OKB dhe organizata të tjera shumëpalëshe. Konfirmova gatishmërinë e Rusisë për të mbështetur interesat legjitime ligjore të Serbisë në lidhje me Kosovën dhe për ta bërë atë një temë prioritare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Lavrovi.

Por, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkitazi me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i demanton deklaratat e zyrtarëve rusë e serbë.

Më 22 korrik 2010, pas kërkesës së Serbisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) pati shpallur vendimin këshillëdhënës, ku konkludon se deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Rasti i Kosovës në të drejtën ndërkombëtare dhe ashtu siç e ka definuar Ahtisaari trajtohet si “sui generis”. Megjithëkëtë, bazuar në Nenin 96 të Kartës së OKB-së dhe Nenin 65 të Statutit, Serbia i kishte kërkuar GJND-së të jepte mendim këshillues lidhur me pyetjen: ”A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e deklaruar nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Pas dëgjimit të argumenteve nga Kosova e Serbia, si dhe shtetet e tjera pro dhe kundër pavarësisë, Gjykata arriti në përfundimin se ”Deklarata e Pavarësisë nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, duke i dhënë kështu fund legjitimitetit të Deklaratës së Pavarësisë nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët rusë e serbë e mohojnë si fakt shtetin e Kosovës, i cili është njohur nga më shumë se 100 shtete dhe është pjesë e organizatave të shumta ndërkombëtare. Zyrtarët rusë e përdorin çështjen e Kosovës kryesisht për të ndërtuar narrativën sipas së cilës ndërhyrjet e SHBA-së, si aleatja kryesore e Kosovës, kanë krijuar precedentë që destabilizojnë rendin ndërkombëtar. Ky qëndrim u shpalos edhe më 24 shtator 2024, kur Lavrovi pati deklaruar se pavarësia e Kosovës u shpall pa asnjë referendum, derisa të njëjtën ditë, edhe zëdhënësja e Kremlinit, Maria Zakharova, e kishte quajtur të rreme pavarësinë e Kosovës.

*This article is published as part of the Western Balkans Regional Initiative against disinformation. “Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalism.”