Nga dëshmitë e civilëve që ishin në Azovstal gjatë bombardimeve në Mariupol, është evidente se ata erdhën atje vetë, me vullnetin e tyre të lirë dhe mbi të gjitha, nga nevoja, duke e konsideruar atë vend si opsionin më të sigurt gjatë bombardimeve ruse. Pra, postimi që po shqyrtojmë pretendon në mënyrë të rreme se Azov mbante civilët peng.
Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook ku thuhet:
Të gjithë harrojnë se Azov mori qindra civilë peng dhe i përdori si mburoja njerëzore në labirintet (brendësinë) e bunkerit Azovstal.
Siç raporton Zëri i Amerikës më 21 maj 2022, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se 2,439 ushtarë ukrainas nga Azovstal ishin dorëzuar.
Sipas autoriteteve ukrainase, luftëtarët e Azovstal, të cilët qëndruan atje për tre muaj së bashku me civilët që kërkonin siguri në tunelet nëntokësore të Azovstal, vijnë nga njësi të ndryshme ushtarake dhe policore.
Aty ishte Regjimenti Azov, i cili është pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës, Brigada e 36-të Speciale e Marinës së Ukrainës dhe Brigada e 12-të e Gardës Kombëtare. Radhët e tyre u shtuan edhe rojet kufitare, policia dhe ekipet e mbrojtjes territoriale, të formuara pak para luftës.
Pjesa më e madhe e këtyre forcave u dërguan për të mbrojtur Mariupolin në fillim të pushtimit ushtarak rus. Ata u zhvendosën në Azovstal për t’u bashkuar me Azov, një njësi e gardës kombëtare me rrënjë të ekstremit të djathtë, dhe disa prej tyre u kapën nga rusët. Qindra civilë ukrainas u strehuan nën tokë së bashku me ushtarët. Disa video treguan ushtarët duke ndërvepruar me civilët, me disa ushtarë në pamje duke u dhënë ëmbëlsira fëmijëve.
Deri më 7 maj 2022, kur u evakuuan civilët e fundit, qindra banorë të Mariupolit, gra, fëmijë dhe të moshuar, po ashtu fshiheshin në bunkerë nën fabrikën e çelikut.
Andrei Vodovozov, një elektricist 31-vjeçar në Azovstal, përfundoi në bunkerin nën fabrikën e çelikut më 24 shkurt 2022, ditën kur filloi lufta. Zakonisht shkonte në punë në mëngjes, por merrte me vete gruan, vajzën dyvjeçare dhe qenin. Atë ditë, të shtëna u dëgjuan tashmë në Mariupol dhe Vodovozov vendosi që familja e tij të ishte më e sigurt në këtë strehë nën fabrikë. Në atë moment ai mendoi se do të rrinin aty maksimumi një javë dhe as nuk e kishte imagjinuar që konflikti të zgjaste kaq gjatë.
Azovstal është një objekt i madh metalurgjik me një sipërfaqe prej 11 kilometrash katrorë, që është një e pesëmbëdhjetë e të gjithë territorit të Mariupolit. Drejtori i Azovstal, Envr Tskitshvili, thotë se para luftës aty kanë punuar 11 mijë punëtorë.
Një sistem strehësh për bomba, një “qytet nëntokësor” i tërë ka mbetur nën Azovstal që nga koha sovjetike. Deri në vitin 2014, kur filloi konflikti në Donbas, askujt nuk i shkoi mendja se këto strehimore do të ishin përsëri të dobishme. Por punëtorët hulumtuan në arkiva dhe panë se ka 36 strehimore për 12 mijë persona dhe pesë prej këtyre bunkerëve, sipas drejtorit, janë aq të fortë sa mund të përballojnë një sulm bërthamor.
Gjithashtu, përveç bunkerëve, ka tunele 8 metra nën tokë, të cilët janë aq të gjatë sa shtrihen nga njëri skaj në tjetrin të Azovstalit. Ata u pastruan dhe u përgatitën ushqim dhe ujë një javë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Këto tunele nuk janë strehë në vetvete, por thellësia e tyre u lejon atyre të shpëtojnë njerëzit.
Pas pushtimit rus patëm një njoftim, një thirrje që të gjithë ata që duan mund të vijnë në Azovstal, ne do t’i ushqejmë dhe mbrojmë, thotë drejtori i Azovstal.
Sipas tij, në fillim të luftës, punonjësit e Azovstal përdornin makina për të shkuar nëpër shtëpi dhe për të transportuar civilët në bunkerë. Fabrika ishte e përshtatshme jo vetëm për strehimin e civilëve, por edhe për ushtrinë e Ukrainës. Tashmë në ditët e para të luftës aty ishin 3 mijë ushtarë.
Në fund të marsit (2022) kur betejat e ashpra për Mariupolin ishin zhvilluar për më shumë se një muaj dhe qyteti ishte shkatërruar pothuajse plotësisht, autoritetet e Republikës Popullore pro-ruse të Donetskut thanë se bastioni i fundit i rezistencës për ushtrinë ukrainase ishte Azovstal.
Më 18 prill (2022), avionët e ushtrisë ruse filluan të bombardojnë Azovstal dhe në mediat ruse u njoftua se brenda nuk kishte civilë.
Në mars dhe prill, civilët shkuan në shtëpi për të sjellë ushqim, sipas dëshmive të civilëve që ndodheshin në bunkerë. Evakuimi i organizuar i civilëve nga Azovstal nuk filloi deri më 30 prill, dy ditë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Gutierrez dhe tha se ishte gati të negocionte menjëherë për të shpëtuar popullin e Azovstal, por kërkohet miratimi i Rusisë. Civilët u larguan nga fabrika me ndërmjetësimin e OKB-së dhe Kryqit të Kuq. Disa nga njerëzit u dërguan në territorin e Zaporozhye.
Civilët u evakuuan nga Azovstal nga 30 prilli deri më 7 maj 2022. Gjatë atyre ditëve, përkundër faktit se civilët mbetën në bunkerët nën fabrikë, pati luftime në territorin e Azovstal. Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për pengimin e evakuimit. Më 3 maj, Azov raportoi se Rusia bombardoi fabrikën dhe dy gra u vranë nga bombardimet.
Nga dëshmitë e civilëve që ishin në Azovstal gjatë bombardimeve në Mariupol, shihet se ata erdhën atje vetë, me vullnetin e tyre të lirë dhe, mbi të gjitha, nga nevoja dhe duke e konsideruar atë vend si opsionin më të sigurt gjatë bombardimeve ruse. Pra, postimi që po shqyrtojmë pretendon në mënyrë të rreme se Azov mbante peng civilë.
Siç shkruajnë kontrolluesit e fakteve të Polygraph, nuk është e vërtetë që Azov mbajti civilë kundër vullnetit të tyre. Azov, raporton Polygraph, i përshkroi civilët në katakombe si gratë, fëmijët dhe prindërit e tyre, duke thënë se ata kishin vendosur të qëndronin me trupat për të shmangur dhunën ose vdekjen e mundshme nga ushtria ruse ose deportimin në Rusi.
Një video, autenticiteti i së cilës, sipas Polygraph, u konfirmua nga Reuters, tregon një ushtar Azov që ndihmon civilët të dalin nëpër rrënojat e shkaktuara nga bombardimet ruse.
Duke cituar një civil të shpëtuar, Natalia Usmanova, Reuters më 1 maj 2022 raportoi se bombat ruse ishin aq të ashpra sa njerëzit e Azovstal ishin të tmerruar se bunkerët nuk do të mbanin.
Ne nuk e kemi parë diellin për kaq shumë kohë, tha Usmanova për Reuters, duke kujtuar mungesën e ajrit të pastër, ushqimit dhe ujit.
Për shkak të të gjitha fakteve të mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë.