Ballkani i Hapur apo i Mbyllur?

Published on:

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama për Ballkanin e Hapur janë kthyer në burim konfuzioni, sepse nisën me shkëlqimin, por përfunduan me rënien e nismës. Së fundi Rama  njoftoi se vëmendja duhet të jetë tek Procesi i Berlinit dhe se Open Balkan e kreu misionin e tij, por në anën tjetër, ai e mohon t’i ketë dhënë fund nismës. Në mungesë të një plani pune dhe faqeje zyrtare të Ballkanit të Hapur, përmbushja apo jo e misionit është e debatueshme, po t’i referohesh kundërthënieve të Ramës. Fakt është se Ballkani i Hapur dështoi të bashkonte të 6-të vendet e rajonit siç kushtëzoi BE dhe SHBA.

Jona Plumbi

Në 1 Korrik kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive foli për Ballkanin e Hapur në kohën e shkuar, duke thënë se nisma e kreu misionin e saj.

Në tetor Shqipëria pret për herë të parë Samitin e Berlinit në Ballkan, në Tiranë. Natyrisht që procesi i Berlinit është tanimë aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani tek procesi i Berlinit”. – Edi Rama, 1 korrik 2023

Mediat njoftuan mbylljen e Ballkanit të Hapur dhe studiot televizive thirrën  panele për të diskutuar arsyet e kësaj mbylljeje të beftë.

Shumë u habitën nga deklarata e Ramës, por për arsye të ndryshme.

Presidenti i Serbisë Alexandar Vuçiç refuzoi të besonte se Rama e ka thënë këtë deklaratë. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski e konsideron të papërmbushur misionin e Open Balkan, ndërsa deputeti Taulant Balla nuk e dinte fare ku është dëgjuar që Kryeministri të ketë thënë që Ballkani i Hapur është nismë që ka përfunduar.

Të tjerë e besuan mbylljen e Ballkanit të Hapur dhe për herë të parë folën hapur për të. Deputeti socialist Pandeli Majko menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Rama shprehu pakënaqësitë e tij ndaj kësaj nisme.

S’e kam pritur aspak mirë nismën. Isha i përgatitur për reagimin e Kosovës. E vetmja gjë që më mbajti të mos dilja kundër, sepse mund të dilja, sepse s’kam frikë, mendoja se në tavolinë e Ballkanit të Hapur, Kosova mund të negocionte gjëra të cilat do të shmangnin tavolinën bilaterale nën ombrellën e Brukselit. Nuk mendoj që Rama e pa këtë nismë për vota! Sensi i Ballkanit të Hapur është ekonomik dhe jo politik.” – tha Majko.

Në fakt, mbështetja apo jo e nismës së Open Balkan ishte një nga pyetjet e këshillimit kombëtar, një anketim që qeveria Rama bëri në vitin 2022 për herë të parë dhe të vetme, rezultatet e së cilës njoftonin se 60% e atyre që ishin përgjigjur e mbështesnin këtë nismë.

Në përpjekje për të sqaruar qëndrimin e kryeministrit shqiptar, gjatë turit të tij në Ballkan, Rama u pyet nga gazetarët në konferencën e përbashkët me kryeministrin malazez lidhur me mbylljen e Ballkanit të Hapur. Në përgjigjen e tij, Rama e quajti Open Ballkan si nismën ku “ka pasur privilegjin të ishte pjesë”.

“Ballkani i Hapur nuk është kompania ime private që unë e hapa dhe e mbyll. Është nismë e përbashkët e disa vendeve ku unë kam pasur privilegjin të jem pjesë. Unë thjesht kam shprehur opinionin tim që Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet, por nuk e kam imagjinuar që procese të konsoliduara apo të organizuara do duhet të ndalojnë të gjitha dhe e përsëris nuk është kompania ime. – Edi Rama, 7 korrik 2023.

Fakti është se kryeministri Rama ka ndryshuar mendim për qëllimin dhe misionin e Ballkanit të Hapur. Këtë e vërtetojnë deklaratat e tij 7 muaj më parë, kur parashikonte përfundimin e procesit të Berlinit përpara fundit të nismës Open Balkan.

“Procesi i Berlinit, është lokomotivë që ka tërhequr vagonët. Dhe, në fund fare do mbetemi me Ballkanin e Hapu,r se procesi i Berlinit s’do jetë i përjetshëm. Dhe s’besoj se në jetë të jetëve duhet të na marrin dorë  për dore të tjerët.” – Edi Rama, Nëntor 2022

Madje, edhe lufta në Ukrainë e bënte edhe më të nevojshme nismën – argumentonte asokohe Rama.

“Lufta në Ukrainë e bën Ballkanin e Hapur një domosdoshmëri edhe më të madhe seç ishte përpara se kjo luftë të fillonte. Kontratat e grurit kur filloi lufta në Ukrainë. Mes importuesve të grurit në Shqipëri nga Serbia, […] nuk u bllokuan siç fare mirë do ishin bllokuar nëse nuk do ishim në Ballkanin e Hapur. Mos vallë është pak gjë kjo? Dhe me çfarë do t’i ushqenim njerëzit të cilëve do t’iu mungonte buka?” – Edi Rama, Qershor 2022.

Një tjetër fakt për Open Ballkan është se mbështetja që erdhi nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës, kushtëzohej me pjesëmarrjen e të 6-të vendeve të rajonit.

“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor.” – Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Europian.

Tri vendet që nisen këtë iniciativë duhet të jenw të hapura dhe të bisedojnë nga afër me tre partnerët e tjerë që janë skeptikë, të marrin parasysh arsyet pse nuk pranojnë. Pa të gjashtë vendet kjo nismë nuk mund të ketë sukses”. GABRIEL ESCOBAR, I DERGUAR I SHBA-SË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR.

Por Kosova dhe Bosnje Hercegovina e panë Open Balkan si përsëritje tw procesit të Berlinit dhe refuzuan pjesëmarrjen, pavarësisht këmbënguljes së kryeministrit Shqiptar se Ballkani i Hapur ndihmon integrimin e rajonit në BE.

Pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e New York-ut në Tiranë, Ilir Kalemaj, kontradiktën e kësaj nisme e sheh prej fillimit të saj.

Open Balkan ose u sugjerua nga Vuçiç dhe u mbështet nga Rama, pasi do ndihmonte në ripajtimin e Ballkanit Perëndimor, gjë të cilën e pretendonte qëndrimi serb. Ose nisma u sugjerua nga Rama dhe u mbështet nga Beogradi dhe Shkupi pasi do shtynte përpara procesin e ngecur të Berlinit, gjë që pretendohet nga qëndrimi i Tiranës.” – tha Kalemaj për Faktoje.

Në deklaratat e fundit të kryeministrit Rama, Kalemaj lexon edhe një tjetër kontradiktë.


Tani Rama deklaron se po mbyllet Open Balkan sepse ka dhe 77 nisma rajonale dhe tashmë ka rinisur Procesi i Berlinit, ku ai sheh Shqipërinë si lider rajonal. Ndërkohë që Shqipëria është vetëm vendi pritës i samitit të radhës për Procesin e Berlinit. Në anën tjetër Vuciç këmbëngul që nisma vazhdon. Kjo tregon se Serbia është ‘në timon’, pasi Rama u tërhoq menjëherë pas kësaj deklarate të Vuçiç duke thënë se Open Balkan nuk është kompania e tij

— Ilir Kalemaj, Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, UNY


Mungesa e një plani pune, kalendari apo strategjie të Open Balkan e vështirëson edhe më shumë kuptimin e kësaj nisme të cilës sipas Kalemajt i mungonin të gjithë elementët që Procesi i Berlinit i ka për të çuar përpara integrimin europian të rajonit.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli