Deklarata e deputetit ukrainas që mori ‘gabimisht’ vëmendjen

Published on:

Oleksiy Oleksiyovich Goncharenko është një nga politikanët ukrainas më aktivë në rrjetet sociale për atë që po ndodh në Ukrainë që nga 24 shkurti kur nisi pushtimi i Rusisë.

Por në profilin e tij në Twitter, ai reagon edhe për ngjarje jashtë Ukrainës.

Deputeti, njëherësh edhe anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës reagoi një javë më parë edhe për tensionin e krijuar mbrëmjen e 31 Korrikut mes Kosovës dhe Serbisë, kur qeveria e Prishtinës priste të vendoste reciprocitetin për dokumentet dhe targat për personat që hynin nga Serbia.

Deklarata e tij u pasqyrua në mediat e Kosovës.

Media në fjalë nuk i është referuar postimit direkt në Twitter të deputetit ukrainas, por është e ngjashme në titull, përmbajtje dhe foto me lajmin e publikuar nga Klan Kosova, duke sqaruar shkurtimisht se i është referuar pikërisht asaj media.

Lajmi është i saktë në titull referuar asaj që vetë deputeti ukrainas ka postuar në Twitter, fotoja po ashtu është e tij.

Por ajo nuk i korrespondon kohës kur deputeti ukrainas ka dhënë deklaratën në fjalë.

Fotoja është shkëputur nga një fjalim i mbajtur nga Oleksiy Goncharenko në Kuvendin ukrainas rreth një vit më parë dhe është publikuar nga një agjenci lajmesh vendase. Postimi i tij në Twitter gjithashtu nuk është pasqyruar i plotë.

“Nëse Serbia pushton Kosovën, ne duhet të mbrojmë kosovarët. Ukraina është gati të veprojë me trupat tona në terren. 🇷usia po përpiqet të nisë një luftë agresive. Pikërisht sipas metodës së Putinit. Siç thashë, #Serbia është kali trojan i Putinit në Evropë. Lufta kudo në botë është e tmerrshme”.

Komentet e deputetit ukrainas erdhën pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovës për të bllokuar qarkullimin e automjeteve në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Deputeti tha më tej se realiteti në të cilin jeton Ukraina prej 5 muajsh, u pasua në Kosovë, duke iu referuar tensioneve në veri të Mitrovicës.

E gjitha kjo mbetet në kuadrin e një deklarate që në fakt nisur  nga përmbajtja mori vëmendjen që nuk duhej, ose nuk u trajtua e plotë nisur nga disa fakte të pakundërshtueshme deri më sot.

Mediat më të klikuara në Kosovë si gazeta Ekspres apo edhe media shqiptare si gazeta Tema online i dhanë hapësirë postimit të deputetit që është vetëm një nga 423 anëtarët e parlamentit ukrainas.

E para, çështja që shtrohet është se a mund ta sulmojë Serbia Kosovën kur atje ndodhen forcat e KFOR (që nga viti 1999 fillimisht me 50.000 dhe tashmë me 4000 trupa dhe NATO ka deklaruar se është e gatshme të ndërhyjë  në çdo rast të përshkallëzimit të situatës atje?

E dyta, pse duhet të ndërhyjë Ukraina me trupa në një vend që nuk e ka njohur ende Pavarësinë? E treta, a ka trupa Ukraina që të dërgojë në rast se do të ketë një konflikt Kosovë-Serbi, kur trupat asaj nuk po i mjaftojnë për t’iu përgjigjur agresionit rus atje ku është fokusuar i gjithë plani mbrojtës?

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko dha intervistë edhe për një nga mediat shqiptare me Skype ku tha se Rusia qëndron pas Serbisë në lidhje me tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës.

Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko  dorëzoi një draft-rezolutë në Parlamentin e vendit të tij ku bëhet thirrje që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës.

Por pse Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008?

Në 4 nëntor 2016, teksa vizitonte Tiranën, Ministri i Jashtëm i Ukrainës në atë kohë Pavlo Klimkin, pranoi se mosnjohja e Kosovës vjen vetëm për shkak të paralelizmave që Rusia heq mes saj dhe Krimesë.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm Shqiptar në atë periudhë, Ditmir Bushati, u shpreh se të hiqje një paralelizëm të tillë ishte si të barazoje “mollën me portokallin”.

Me nisjen e pushtimit rus në Ukrainë, Kosova ka qenë në krah të Kievit. Ajo jo vetëm ka dënuar ndërhyrjen dhe krimet e Rusisë, por edhe i është bashkuar në mënyrë të përsëritur sanksioneve që Bashkimi Europian ka vendosur ndaj Moskës.

Në 15 qershor 2022 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama teksa vizitoi Kievin, në konferencën për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, solli në vëmendje mosnjohjen e Kosovës nga ana e autoriteteve ukrainase.

Në kohë lufte, që nuk dihet se kur përfundon, në parlamentin e Kievit ka një nismë konkrete për të njohur Pavarësinë e Kosovës.

Parlamenti i Ukrainës vijon të mblidhet për çështje që i cilëson të rëndësishme.

Në maj të këtij viti me 131 vota pro Parlamenti i Ukrainës  ndaloi simbolet “Z” dhe “V”, të përdorura nga ushtria ruse për të promovuar luftën e saj në Ukrainë, por ra dakord me thirrjen e Presidentit Volodymyr Zelensky për të lejuar përdorimin e tyre për qëllime edukative ose historike.