Deputeti Abrashi shpërndau dokument të paverifikuar me supozimin se Serbia po “mobilizohet”

Published on:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Artan Abrashi e ka shpërndarë një dokument të paverifikuar në llogarinë e tij në Facebook, me pretendimin se serbët janë duke u mobilizuar. Sipas tij, në dokumentin e lëshuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, jepet një paralajmërim për ushtrinë dhe policinë serbe, për kinse ngjarje të panjohura që pritet të ndodhin më 24 shtator. Këto ngjarje, Abrashi i ka ndërlidhur edhe me Kosovën.

“Pas mobilizimit në Rusi, bëhet edhe mobilizimi në Serbi”, ka shkruar ai në Facebook, ku përshkrimit ia ka bashkangjitur dokumentin në gjuhën serbe, që mban vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturës Sindikatë e Punëtorëve të Policisë.

Në këtë dokument të shpërndarë nga Sindikata e Punëtorëve të Policisë thuhet se: “me rastin e ngjarjeve globale, që pritet të ndodhin më datë 24 shtator 2022, të mos krijohet frikë dhe panik sepse gjithçka do të përfundojë mirë. Të gjithë duhet të kalojnë nëpër këtë periudhë, sidomos ata të cilët nuk e kanë kuptuar të vërteten dhe atë që kanë besuar (masmedias dhe politikanëve). Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet. Lutje të veçantë të gjithë pjesëtarëve të ushtrisë që të jenë në kazermat e tyre dhe pjesëtarëve të policisë të jenë afër objekteve të rëndësishme”.

Image

E ashtuquajtura Sindikata e Punëtorëve të Policisë ka mbi 26 mijë ndjekës në llogarinë e tyre në Facebook. Por përveç publikimit të këtij dokumenti nuk janë dhënë informata të tjera plotësuese për ngjarjet e supozuara se do të ndodhin. Rreth tyre nuk ka pasur as ndonjë deklarim publik zyrtar nga qeveria e Serbisë.

Megjithëkëtë lajmin në Kosovë e kanë publikuar GazetaExpressGazeta InfokusPrishtinapress.netFrontOnlineMedia, InsajderiKosova-sot,infoBotaSot.info.

Disa prej tyre e kanë kualfikuar të habitshëm veprimin e deputetit Abrashi që shpërndau një lajm të paverifikuar, duke e ndërlidhur edhe me zhvillimet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.