Dezinformata për zhvendosjen e ushtrisë serbe në kufi dhe titulli çorientues rreth liberalizimit

Published on:

Pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet në Serbi dhe pas përcaktimit të kryeministrit Albin Kurti për të mos lejuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është organizuar një protestë në Mitrovicë të Veriut në krye me kryetarin e Listës Serbe, njëkohësisht ministrin për Kthim dhe Komunitete të Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq. Në javën kur serbët protestuan janë shpërndarë dezinformata për gjoja mobilizim të  ushtrisë, ku politikanët serbë alarmuan për mundësinë e përfshirjes në konflikt të armatosur me Kosovën. Disa media kosovare ranë në grackën e artikullit të publikuar nga një medium spanjoll, i cili nuk mund të gjendet në faqen e saj zyrtare. Artikulli mbështetej në video dhe fotografi të pakonfirmuara të cilat janë publikuar nëpër rrjete sociale.

“Forca të Armatosura të Serbisë në numër të shtuar po zhvendosen drejt kufirit me Kosovën” ishte titulli i stories së publikuar nga mediumi spanjoll “The Political Room”, më 26 mars.

Image

 

Aty nuk ofrohet ndonjë dëshmi se ushtria po lëviz në drejtim të kufirit, përveç një llogarie në twitter me origjinë nga Libani. Teksti është shpërndarë me një video ku pretendohet lëvizja e automjeteve ushtarake serbe në drejtim të kufirit me Kosovën. Artikulli i njëjtë u ripublikua edhe nga një medium italian.

Duke e cituar mediumin spanjoll, këtë lajm e kanë publikuar mediat kosovare lajmi.net syri.net botasot.info.

Image

 

Lajmi.net

Image

 

Syri.net

Image

 

Botasot.info

Lajmi i njëjtë është publikuar edhe në media e faqe të tjera në facebook si: lajmishqip.netSinjali.comInter-news.chGazeta-albnews.comTaraboshiofficial, e Insajderi.

Sqarimi i vetëm nga mediat që kopjuan dhe publikuan përmbajtjen e njëjtë ishte se nuk kanë arritur të “sigurojnë vërtetësinë e kësaj videoje”.

Gjatë kësaj periudhe të raportimit nga mediat, ka vazhduar qarkullimi i lajmeve të rrejshme dhe diskursi luftënxitës nga politikanë serbë, duke eklipsuar kështu përpjekjet për dialog përmbajtjesor me synim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të çonte drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Në lidhje me dezinformimin e publikut është shpërndarë edhe një lajm tjetër i publikuar nga media Albasky.com, me titull ‘’ Serbia Sapo E Mori Këtë Vendim Kundër Kosovës, E Pabesueshme Se Çka Bëri Tani !!. Në këtë lajm nuk flitet për ndonjë vendim të marrë nga Serbia, por vetëm thuhet se Serbia e merr edhe këtë vendim kundër Kosovës dhe se Aleksandër Vulin, i cili ka qenë edhe ministër i qeverisë së Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe kryediplomatin Ivica Daçiq, është i njohur për veprime të tilla. Mirëpo, ky është një shembull konkret i dezinformimit dhe keqinformimit sepse titulli i këtij lajmi është tendencioz dhe i rremë ngase nuk është në përputhje me përmbajtjen.

Image

 

Këtë lajm e ka publikuar edhe një media tjetër, Gazeta Aktive që ka mbi 91 mijë ndjekës në Facebook.

Image

 

Edhe një rast tjetër i keqinformimit të publikut është bërë nga e njëjta media Albasky.com.

Titulli i lajmit është ‘’URIME!! Ja data se kur mund të lëvizim pa viza’’, kurse lajmi nuk jep ndonjë datë se kur do të ndodhë kjo, por vetëm një deklaratë të Viola von Cramon-it e cila në një intervistë për Interaktivin e KTV-së, ka thënë se pas prillit do të dihet nëse do të merret ndonjë vendim sa i përket zhbllokimit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Image

Titulli është i rremë dhe çorientues ngase nuk përputhet me përmbajtjen. Prandaj informacionet, lajmet, deklaratat që publikohen nga mediat dhe faqe në Facebook e rrjete të tjera sociale duhet të verifikohen paraprakisht, në mënyrë që të mos keqinterpretohen nga të tjerët dhe të shmanget keqinformimi i publikut.