Dronët “Bayraktar” nuk u ngritën për t’i zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe

Published on:

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka mohuar pretendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që tha se i kanë parë dy herë dronët Bajraktarë që kanë vëzhguar nga Kosova në territorin serb. Deklarata e tij u shpërnda nga disa mediume në gjuhën serbe, pa e konfirmuar pretendimin e presidentit serb edhe me burime të tjera.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në seancën e kolegjit të zgjeruar të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Kazermën “Banjica 2”, prej ku deklaroi se: “’bajraktarët‘ shqiptarë janë vërejtur duke u ngritur nga drejtimi i Gjakovës më 5 dhe 20 qershor, në lartësinë 5800 metra, me synimin për të vëzhguar pozicionin e ushtrisë serbe”.

Foto: RTS.sr 

Ky pretendim i pambështetur në fakte i Vuçiqit më 3 korrik u shpërnda nga mediume serbe, si: Novosti.rsRadio Kontakt PlusSatTvInfobg.rsPolitika.rsEuronews.rsPravda.rs.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e demantoi pretendimin e presidentit tek tha se këto deklarata janë të pasakta, pasi operimi i këtyre dronëve bëhet vetëm në Republikën e Kosovës.

“Kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të fokusuara në ndërtimin e elementëve për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit tonë. Në këtë aspekt, edhe dronët ‘Bayraktar’, si pjesë e sistemit të armatimit të inventarit të FSK-së, janë pjesë përbërëse e njësive operacionale të FSK-së dhe ne në kuadër të FSK-së kemi njësinë e sistemeve ajrore pa pilotë, që kryen operim me dronët “Bayraktar” dhe normalisht që operimi i tyre bëhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pa pasur synim vëzhgimin e asnjë vendi fqinj dhe pa pasur synim shkeljen e hapësirës ajrore të asnjë vendi. Normalisht, bazuar në planin e operimit, këta dronë fluturojnë në qiellin e Kosovës, gjithmonë pra me synimin që të testohen, të operohet me ta me qëllim të vëzhgimit të terrenit në Republikën e Kosovës”, është shprehur Maqedonci.

Autoritetin mbi hapësirën ajrore të Kosovës e ka KFOR-i. Pasi kryeministri Albin Kurti pati prezantuar blerjen e dronëve në korrik të 2023-tës, misioni i NATO-s, përmes një komunikate për media, pati sqaruar se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale. Sipas tyre, lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, “në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”.

“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Kjo nuk është hera e parë që aktivitetet e FSK-së, brenda dhe jashtë vendit, mediat serbe i ndërlidhin me sulm të mundshëm ndaj Serbisë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”