Për herë të parë në Shqipëri u mbajt konferenca rajonale mbi rrjetin e dizinformimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Faktoje, qendra e vetme mediatike për verifikimin e fakteve në vend. 6 organizata partnere, prezantuan gjetjet e raportit gjatë një viti bashkëpunim për identifikimin e burimit kryesor të dizinformimit, narrativat e përdorura, si dhe mënyrën sesi ato shpërndahen në Ballkanin Perëndimor duke u nxitur nga influencat e huaja dashakeqe.
Jona Plumbi
Konferenca, e cila shënoi përmbylljen e javës rajonale të verifikimit të fakteve, bëri bashkë 6 organizata mes të cilave qendra studimore dhe shërbime të gazetarisë fact-checking, përkatësisht Metamorfoza nga Maqedonia e Veriut, fondi ISAC nga Serbia, CDT nga Mali i Zi, S’bunker nga Kosova, ZastoNe nga Bosnje Hercegovina dhe Faktoje nga Shqipëria, të cilat prej një viti bashkëpunojnë në kuadër të projektit të mbështetur nga ministria e Jashtme e Vendeve të Ulëta.
Gjatë aktivitetit, organizatat partnere prezantuan gjetjet nga secili shtet pjesëmarrës, mbi formën dhe mënyrën e përhapjes së dizinformimit në rajon. Përgjatë një viti, 6 organizatat punuan së bashku dhe identifikuan burimin kryesor të dizinformimit, narrativat e përdorura, si dhe mënyrën sesi ato shpërndahen në Ballkanin Perëndimor duke u nxitur nga influencat e huaja dashakeqe.
Pjesëmarrës në aktivitet ishte ambasadori holandez në Tiranë, Reinout Vos, drejtuesi i seksionit politik i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Alexis Hupin, përfaqësues të 6 organizatave partnere në rajon si dhe përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe organizatave të tjera mediatike në vend.
Në fjalën përshëndetëse, ambasadori holandez, Reinout Vos theksoi rëndësinë e lirisë së medias dhe përkeqësimin që ajo ka pësuar gjatë viteve të fundit, jo vetëm në Shqipëri dhe Europë, por në të gjithë botën.
“85% e popullsisë globale po përjeton rënie të lirisë mediatike në shtetet e tyre. Kjo, natyrisht, vlen edhe për Europën. Për Shqipërinë, platforma për sigurinë e gazetarëve e Këshillit të Europës edhe këtë vit tregoi se liria e medias në vend po vijon të shënojë përkeqësim edhe pse ky është një nga kriteret thelbësore të integrimit europian. Përhapja e dizinformimit, gjuha e urrejtjes, kërcënimet në rrjet, janë pjesë shumë e vështirë për t’u trajtuar në sferën mediatike dhe për këtë arsye na duhen organizata të forta të shoqërisë civile si Faktoje, për të ndihmuar lirinë e medias që është themeltare për funksionimin e demokracisë në çdo vend.” tha Ambasadori Holandez, Reinout Vos.
Drejtuesi i seksionit politik i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Alexis Hupin solli disa shembuj të lajmeve me informacion të pafaktuar të cilat jo domosdoshmërisht janë të nxitura nga ndikime të jashtme malinje, por që tregojnë se në të vërtetë çdo informacion që shpërndahet duhet verifikuar përpara se t’u ofrohet lexuesve si lajm.
Rrjeti i përhapjes së dizinformimit në Ballkanin Perëndimor
Rritja e njohurive dhe krijimi i një “pikture të madhe” të dizinformimit dhe rrjetit përmes të cilit ai shpërndahet ishte një nga qëllimet kryesore të punës së 6 organizatave. Kjo ka për synim rritjen e qëndrueshmërisë së shoqërive në rajon ndaj përhapjes së dizinformimit.
Mbledhja, përpunimi dhe kombinimi i të dhënave nga 6 organizatat në Ballkanin Perëndimor treguan se rrjeti i dizinformimit në rajon ka burim kryesor Rusinë, e cila e shpërndan narrativën e saj në Serbi. Kjo e fundit më pas shërben si “kuti shpërndarëse” për vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor të cilat flasin gjuhën serbe.
Serbia
Serbia është vendi më pro-rus dhe pro-kinez në Ballkanin Peërëndimor. Politikanët dhe grupet e interesit në serbi publikisht shpërndajnë propagandën ruse duke ndihmuar mediat që të përhapin narrativën e Kremlinit. Tabloidet e Serbisë janë një tjetër problem pasi në çdo moment janë të gatshme të shpërndajnë propagandë pro-ruse, e cila më pas ripublikohet nga mediat online të shteteve të tjera në rajon të cilat flasin gjuhën sllave. Narrativat kryesore më të përhapura në Serbi janë se Rusia po lufton për të mbrojtur veten nga përpjekjet e perëndimit për të kontrolluar botën apo se perëndimi është armik i kristianizmit, vlerave familjare dhe sllavëve. Tabloidet serbe kanë edhe një version për Maqedoninë e Veriut ku përhapin të njëjtën propagandë pro-ruse.
Maqedonia e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut gjetjet tregojnë se mediat janë të polarizuara, ku pjesa më e madhe përfaqëson opinionet e njëanëshme të partive politike që mbështesin. Lajmet e mediave online nuk kanë pronësi apo publikime me emrin e gazetarit që ka punuar artikullin, gjë që e bën shumë të lehtë përhapjen e dizinformimit. Narrativat më të përhapura në Maqedoni janë ato që flasin për luftën e Rusisë ndaj nazizmit në Ukrainë, sesi perëndimi është fajtor për luftën e nisur dhe se maqedonia nuk duhet të dhurojë armë në Ukrainë.
Kosova
Tensionet e përsëritura kanë bërë që Kosova të shihet si një vend me potencial destabilizimi për shkak të marrëdhënieve fqinjësore të dobëta me Serbinë. Kosova u bë objekt i deklaratave të zyrtarëve të lartë rusë, siç është ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, i cili deklaroi se Kosova po rekrutonte njerëz për t’i dërguar në luftë në Ukrainë. Kosova përjetoi një rritje të nacionalizmit në diskutimet politike të liderëve të cilat më pas shpërndahen në mediat online. Një pjesë e tyre janë të lidhura me parti politike dhe grupe interesi. Serbia rezulton të jetë burimi më i madh i dizinformimit në Kosovë.
Bosnja dhe Hercegovina
Bosnje dhe Hercegovina është vendi më pranë perëndimit që ka besnikëri të hapur të qeverisë ndaj Rusisë. Mediat serbe dhe ato kroate kanë ndikim shumë të madh në vend, bashkë me Turqinë që ka bastion të madh politik në vend. Dizinformimi në Bosnje përhapet kryesisht nga mediat tradicionale publike, media të mëdha komerciale private dhe portale anonime. Thuajse gjysma e aktorevë që përhapin dizinformim në Bosnje dhe Hercegovinë janë nga Serbia. Janë 29 media të identifikuara si burim kryesor dizinformimi, prej tyre 14 janë nga Bosnja (kryesisht Republika Srpska) dhe 15 nga Serbia. Narrativat kryesore përfshijnë ekzistencën e laboratorëve biologjikë në Ukrainë të cilat përhapën Covid-19 apo përpjekjet e Ukrainës për të marrë armë bërthamore.
Mali i Zi
Në Malin e Zi, 70% e popullsisë e njohin dizinformimin si problem në vend. Burim kryesor i përhapjes së dizinformimit atje janë rrjetet sociale, portale të margjinalizuara dhe kanale që kontrollohen nga Rusia. Narrativat kryesore për të cilat përhapet dizinformim janë pandemia Covid-19, lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Malit të Zi.
Shqipëria
Në Shqipëri dizinformimi rezulton të prodhohet më së shumti nga burime të brenshme, siç është edhe propaganda në vend. Të paktën 600 media online funksionojnë në Shqipëri, pjesa dërrmuese me pronarë anonimë, të cilët të nxitur nga interesa politike, shpërndajnë dizinformim në masë. Portalet online krijojnë dizninformim edhe me qëllim mbledhjen e klikimeve dhe nxitjen e indinjatës tek lexuesit përmes titujve të ekzagjeruar. Temat për të cilat përhapet më shumë keqinformim në Shqipëri janë agresioni rus në Ukrainë, tensionet e krijuara mes Kosovës dhe Serbisë, nisma e Ballkanit të Hapur dhe sulmet kibernetike nga Irani.
Drejtuesja ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo në përfundim të prezantimit të gjetjeve theksoi se bërja bashkë në këtë projekt na ka ndihmuar të kuptojmë se rajoni ndan disa probleme të përbashkëta në luftën kundër dizinformimit që vjen nga Rusia, Kina apo Irani dhe se gazetaria fact-checking është më e rëndësishme se kurrë në kohën kur teknologjia dhe rrjetet sociale luajnë një rol shumë të madh në shpërndarjen e informacionit në botë.
Konferenca e javës rajonale për verfikimin e fakteve në Ballkanin Perëndimor, erdhi si një sinergji e dy projekteve, përkatësisht “Forcimi i gazetarisë fact-checking në Shqipëri” dhe “Qendra kundër dizinformimit në Ballkanin Perëndimor”, të dyja të financuara nga mbretëria e Vendeve të Ulta.