Kurti nuk vendosi shqiponjën në flamurin zyrtar të Kosovës

Published on:

By Vjolanda Peca

Pretendimi– Kryeministri Albin Kurti ndryshon flamurin zyrtar të Kosovës

Verdikti-I pavërtetë

Në rrjete sociale ka qarkulluar një foto e flamurit të Kosovës të ndryshuar, ku në vend të hartës së Kosovës, shihet shqiponja dykrenare me 6 yje mbi të.
Në foto, flamuri i Kosovës është paraqitur me ngjyra të njëjta, por me një ndryshim të dukshëm: shqiponja dykrenare zëvendëson hartën e Kosovës.

Ky postim ka ngjallur shumë reagime dhe spekulime lidhur me një ndryshim të mundshëm të simboleve shtetërore të Kosovës, duke pretenduar se ky veprim është miratuar nga qeveria dhe kryeministri Albin Kurti.

Megjithatë, të gjitha këto pretendime janë të pabazuara. Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore në Kosovë është një ndër ligjet me interes vital, dhe çdo ndryshim në këto simbole kërkon miratimin e shumicës së dyfishtë në Kuvendin e Kosovës, përfshirë dhe votat e deputetëve të minorancave. Deri më tani, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë marrë ndonjë vendim për ndryshimin e flamurit.

Për të verifikuar këto pretendime, kolegët tanë të Kallxo.com në Kosovë kanë kërkuar informacion nga faqja zyrtare e Qeverisë së Kosovës. Nga kërkimi, nuk është gjetur asnjë vendim zyrtar për ndryshimin e flamurit. Për më tepër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se ky informacion është “fake news”. Kryeziu ka konfirmuar se nuk ka asnjë vendim për ndryshimin e flamurit të Kosovës dhe se çdo deklaratë që pretendohet të jetë bërë nga kryeministri Albin Kurti në këtë drejtim është e pavërtetë.

Ky rast përbën një tjetër shembull të përhapjes së dezinformatave në internet, të cilat mund të ngatërrojnë publikun dhe të nxisin spekulime të pabazuara.