Misioni i vetëshpallur paqeruajtës i Viktor Orban

Published on:

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borell, i hoqi Hungarisë të drejtën për të organizuar takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm dhe atyre të mbrojtjes, një takim rutinë që organizohet nga vendi që mban presidencën e Këshillit të Europës. Ky vendim erdhi pas takimeve që Orban organizoi fill pas marrjes së presidencës në KiE, duke u vetëshpallur misionar i paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Pavarësisht reagimeve të shumta të liderëve të BE-së, Orban vijoi turin e tij, që shpesh u portretizua edhe nga mediat si përpjekje për vendosjen e paqes, pavarësisht mungesës së mandatit nga unioni europian.

Jona Plumbi

Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk ka një plan paqeje të tijën për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e pavarësisht ksaj ai e kaloi muajin Korrik në një turne mes Kievit, Moskës, Pekinit dhe Ëashingtonit, me një mision personal që tërboi liderët e Bashkimit Europian.

Qëllimi i të vetëshpallurit mision paqeje ishte drejtimi kah paqja e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. “Paqja nuk do të vijë vetvetiu në luftën Rusi-Ukrainë, dikush duhet ta bëjë atë” – shkruajti Orban në publikimet e tij në rrjete sociale, ku shpesh herë paralajmëroi edhe përshkallëzim të luftës në rast mosndërhyrjeje.

Gjithçka nisi me marrjen nga Hungaria të presidencës së Këshillit të Europës në 1 Korrik, që do të zgjasë deri në 31 Dhjetor 2024. Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian caktohet me rotacion midis 27 vendeve anëtare të BE-së çdo gjashtë muaj. Vendi që mban presidencën drejton punën e Këshillit dhe përfaqëson të gjitha shtetet anëtare në negociatat me institucionet e tjera të BE-së.

Koha e nisjes së këtij turi fill pas marrjes së presidencës së Këshillit të Europës nga Hungaria, me ndihmën e propagandës dhe narrativave keqdashëse, u lidh me misionin e supozuar të paqes së Orban.

Për këtë ndihmoi vizita e Orban në Moske, ku Putin e quajti vizitën e kryeministrit hungarez si takim me përfaqësuesin e Këshillit të Europës, pavarësisht deklaratave të shumta të zyrtarëve të lartë të BE-së që e mohonin mandatin e Orban në një rol të tillë në këto takime.

Konfuzioni u përhap më tej përmes metodës “copy-paste” që mediat përdorën për të njoftuar takimet, shpesh duke përhapur propagandën ruse, atë kineze si dhe narrativën që Orban ngriti në mbështetje të ‘lëvizjes” së tij politike. Në lajmet e publikuara edhe nga mediat më të mëdha në Shqipëri, takimet mes Orban u portretizuan si një përpjekje për të arritur një marrëveshje të mundshme të paqes në Ukrainë. Ajo që mungoi në këto lajme është informacioni se në fakt, presidentit hungarez Orban i mungonte autorizimi i BE-së për të zhvilluar një mision të tillë paqeje.

Lajme të tilla u panë në gjuhën shqipte pas takimeve të Orban në Rusi, Kinë dhe Turqi.

Në fakt liderët e institucioneve të Bashkimti Europian, përgjegjëse për përcaktimin e politikave të unionit, u siguruan të theksonin prej fillimit se Orban nuk ishte autorizuar nga BE për iniciativën për vendosjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.

Charles Michel, President i Këshillit Europian, në një letër drejtuar Viktor Orbanit në fillim të muajit Korrik theksoi se presidenca e caktuar me rotacion në Këshillit e Europës nuk ka asnjë rol në përfaqësimin e Unionit në arenën ndërkombëtare”. Këtë gjë Michel ia bëri të qartë Orbanit që përpara takimit të tij me Vladimir Putin në Moskë. I njëjti qëndrim u theksuar edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell në datën 5 Korrik.

Madje, mungesa e një mandati për këtë mision u njoftua edhe nga vetë Orban.

“Unë nuk jam duke negociuar në emër të askujt. E përsëris: Hungaria nuk e ka mandatin – asnjë President i Këshillit të BE-së nuk e ka mandatin – të negociojë në emër të Bashkimit Evropian.” – i tha ai radios hungareze në një ndalesë të shkurtër në Budapest midis vizitave me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin.

Pavarësisht këtyre deklaratave publike dhe shqetësimit të vazhdueshëm të shprehur të BE-së, shpesh mediat iu referuan takimeve të këtij turi si “mision paqeruajtës” i hungarezit Orban, pa dhënë kontekstin e nevojshëm për të kuptuar se në fakt takimet ishin një propagandë hungareze.