NATO-ja nuk iu referua Kosovës me “Kosovë dhe M” në raportin e fundit

Published on:

Burimi i Fotografisë: Faqja zyrtare e NATO-s

 

Mediumi serb “Politika” ka keqcituar një raport të NATO-s, i cili flet për Kosovën, duke pretenduar në titull të artikullit se kinse Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, i është referuar Kosovës edhe me ndajshtesën “Metohi”.

Por, aleanca veri-atlantike, në raportin me titull “Vlerësimi i Ndikimit të Ndryshimeve Klimatike dhe Sigurisë”, ku Kosova përbën njërin prej rasteve të studimit, askund në përmbajtje nuk i referohet me “Kosovë dhe M”. Me datën 11 korrik 2024, Politika.rs publikoi artikullin me titull: “Stoltenberg: Kosova dhe Metohia mund të përballet me mungesë të ujit të pijshëm”. Ky medium ka keqcituar qysh në titull, duke pretenduar se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i është referuar Kosovës me “Metohi”.

Keqcitimi ka vazhduar edhe në përmbajtjen e artikullit, ku përmenden ndryshimet klimatike tek i referohen Kosovës edhe si “Kosmet”.

“Ngrohja e përshpejtuar e atmosferës në rajon ka çuar në ngjarje ekstreme të motit, siç janë zjarret në vitin 2017 dhe 2022, dhe përmbytjet e rënda që ka përjetuar Kosova në vitin 2023. Pritet që ngjarje të tilla të jenë më të shpeshta dhe më intensive. Së bashku me cenueshmërinë socio-ekonomike të Kosovës dhe Metohisë dhe mjedisin sfidues të sigurisë, ndryshimet klimatike mund të kenë pasoja të dëmshme, si për Kosovën, ashtu edhe për praninë e NATO-s në terren”, citohet pjesa e raportit, e shoqëruar me fotografinë e Stoltenbergut.

Por, versioni origjinal i raportit nuk e ka edhe ndajshtesën “Metohi”.

“Së bashku me cenueshmërinë socio-ekonomike të Kosovës dhe mjedisin sfidues të sigurisë, ndryshimet klimatike mund të kenë pasoja të dëmshme, si për Kosovën, ashtu edhe për praninë e NATO-s në terren”, thotë raporti.

Foto: Politika.rs

Tek përmenden sfidat me të cilat mund të ballafaqohet Kosova, në raport thuhet se: “Parashikimet për rritjen e temperaturave dhe rreziqet e shtuara nga zjarri, reduktimi i reshjeve dhe rritja e popullsisë, sugjerojnë se deri në vitin 2050, katër nga pesë basenet ujore të Kosovës mund të përballen me mungesë uji, gjë që mund të ndikojë në furnizimin me ujë, si për popullatën lokale, ashtu edhe për KFOR-in…”.

Foto: Pjesë e raportit të NATO-s

Termi “Kosovë dhe Metohi” përdoret vazhdimisht nga disa media dhe politikanë serbë kur i referohen Kosovës, të cilën nuk e njohin si shtet.

“Metohija”, edhe pse daton që nga Mesjeta dhe është term kishtar, vazhdon të përdoret në diskursin publik, formal dhe joformal.

Ndajshtesa “Metohija” nënkupton hapësirën që sot në Kosovë njihet si rajoni i Dukagjinit.