Paratë ruse, media dhe drejtësia e re – A po heton SPAK Monika Kryemadhin për pagesa offshore me oligarkë rus?

Published on:

Prej muajit mars në media qarkullojnë dokumenta që pretendojnë se faktojnë shkëmbime parash mes ish kryetares së LSI, Monika Kryemadhi dhe një kompanie me pronarë rusë. Fillimisht një media e huaj publikoi dokumentat, por artikulli u fshi nga rrjeti. Fill më pas, të njëjtat dokumenta u publikuan nga Top Channel. Monika Kryemadhi bëri padi ndaj kësaj medie duke pretenduar se gjithçka është e pavërtetë. SPAK, pyetur nga Faktoje nëse ka nisur një hetimi ndaj zonjës Kryemadhi, u rezervua të përgjigjej për shkak të sekretit hetimor.

Barbara Halla & Jona Plumbi

Më 15 mars, portali mediatik EUReporter publikoi një artikull mbi përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Përsa i përket Shqipërisë, EUReporter vuri në dukje gjetjet e amerikanes Mother Jones e cila në 2022 zbuloi se Rusia i kishte dhuruar Partisë Demokratike $500,000 gjatë zgjedhjeve të 2017-s.

BurimEUReporter përmes Internet Archive

Artikulli përfshinte po ashtu prova të reja mbi ndikimin rus në Shqipëri. Tre ekstrakte të ndryshme bankare tregonin se ish kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka pasur llogari bankare të padeklaruara në Zvicër dhe kishte përdorur këtë llogari për të veprime me kompani me pronësi ruse.

Këto ekstrakte nuk janë verifikuar më tej në mënyrë të pavarur. Megjithatë, ato u shpërndanë nëpër mediat shqiptare me shpejtësi, pak orë para publikimit në anglisht. Po atë ditë, EUReporter e fshiu artikullin pa shpjegim të mëtejshëm, apo korrigjim. Por në mediat shqiptare situata nuk mbaroi aty. Në javët e fundit palët e ndryshme (Kryemadhi, Kryeministri Edi Rama, si dhe mediat si Top Channel) kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës për lajme të rreme dhe dizinformim.

BurimTop Channel

Artikull i EU Reporter

Ende nuk ka prova të qarta përse EU Reporter e tërhoqi artikullin e publikuar online. Të pyetur nga Top Channel portali mediatik konfirmon të dhënat e artikullit si të sakta, duke thënë se dokumentat u janë dhënë nga një burim anonim i cili do t’i paraqesë ato edhe në SPAK.

Burim: Top Channel

Sipas International Policy Digest, një tjetër media që mbuloi çështjen theksonte: “Kontakte që e njohin këtë çështje deklaruan se Kryemadhi kërcënoi median, një media e pavarur me qendër në Bruksel, me fokus në BE, se do t’i padiste. Ashtu si botime të tjera të vogla të pavarura, kostot e mbrojtjes ligjore…ishin shumë të shtrenjta për të vazhduar.” IPD pra sugjeron se EU Reporter e ka fshirë artikullin për t’iu shmangur një lufte ligjore tepër të kushtueshme me Monika Kryemadhin.

Për më tepër, që me publikimin e artikullit në EUReporter, Kryemadhi dhe disa portale në Shqipëri filluan luftën, duke e portretizuar atë si mjet të propagandës kineze, siç ishte rasti i një artikulli nga Standardi dhe Syri.

BurimSyri

Është e vërtetë se në të shkuarën EU Reporter është akuzuar nga Politico se është pjesë botës se lobimit në Bashkimin Europian, më shumë sesa media e pavaruar. Për më tepër, New York Times ka treguar se EU Reporter ka pranuar para’ nga kinezja Huawei për të shkruar artikuj me nota pozitive mbi Kinën. Megjithatë, këto të dhëna nuk hedhin domosdoshmërisht dyshime mbi të dhënat e publikuara mbi Monika Kryemadhin, që nuk kanë asnjë lidhje me Kinën.

Vetë Kryemadhi ka thënë për Opinion se artikulli i EU Reporter nuk ishte i vërtetë, por i porositur dhe paguar nga Mirel Mërtiri, biznesmeni shqiptar i kërkuar nga SPAK-u për rolin e tij në aferën e inceneratorëve.

BurimDritare.net

Deri tani, nuk ka asnjë provë që tregon se artikulli i EU Reporter ishte i porositur apo paguar nga një palë e tretë. Dhe Kryemadhi nuk ka dhënë asnjë provë, të paktën publikisht në këtë drejtim.

Provat ndaj Kryemadhit

Sipas ekstrakteve të publikuara nga EUReporter dhe ripublikuar nga mediat shqiptare, në datat 12 shkurt dhe 23 maj 2017, nëpërmjet një llogarie bankare zviceriane, Kryemadhi ka marrë 5,350 dhe 13,500 Euro nga kompania ‘Holdem Holding Limited’. Kjo kompani është në pronësi të Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan, dy oligarkë rusë. Këto shuma i paguhen Kryemadhit si dividend për aksionerë, por nuk jepen hollësi të mëtejshme.

Ndërsa me datë 18 korrik 2017, Kryemadhi i ka dërguar ‘Vardus Holdings Limited’ shumën prej 9687.64 Euro. Edhe kjo kompani ka pronar rus, Vitaly Savvin i cili ka qënë një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit sipas Forbes. Në përshkrim, specifikohet se kjo pagesë bëhet për shërbime marketingu.

Sipas Top Channel, që ka verifikuar sistemin TIMs, në datat kur Kryemadhi i dërgoi shifrën prej më shumë se 9 mijë dollarësh Vardus Holdings Limited, ajo kishte udhëtuar jashtë Shqipërisë.

“Daljet jashtë vendit të Monika Kryemadhit përputhen edhe me transaksionet e paligjshme që ka kryer në Zvicër. Madje ajo është përpjekur të humbasë gjurmët, pasi nga verifikimet rezulton se Kryemadhi ka kaluar kufirin në këmbë në pikën kufitare të Qafë Botës, në datë 17 korrik të vitit 2017 ora 14:26, edhe pse në atë kohë ishte kryetarja e LSI,” shkruhet në artikull.

Top Channel shkruan po ashtu se një burim anonim ka kontaktuar disa media vendase përmes platformës Proton për të dhënë detaje të mëtejshme mbi marrëdhëniet e Monika Kryemadhit me Rusinë. Kryeredaktori i Top Channel tha për Top Story se këto dokumenta janë verifikuar nga redaksia e tyre, por nuk dha informacione të tjera që ndihmojnë në verifikimin e mëtejshëm të këtyre burimeve apo provave.

Përsa i përket Kryemadhit, ajo i ka mohuar të gjitha akuzuat, duke deklaruar se SPAK duhet të hetojë dokumentet e marra nga Top Channel dhe media të tjera. Ndërkohë Kryeministri Rama ka nxitur SPAK-un të marrë masa.

Çfarë thotë Monika Kryemadhi

E pyetur nga Faktoje, Monika Kryemadhi se deri në atë moment nuk ishte në dijeni të kishte nisur ndonjë hetim nga SPAK ndaj saj. Kryemadhi i konformoi Faktojes se në 19 Prill 2023 ka kallëzuar penalisht shoqërinë Top Channel me pretendimin e publikimit të lajmeve, dokumenteve dhe fakteve që sipas saj janë të rreme.

Njëkohësisht Kryemadhi ka dorëzuar edhe një padi civile ndaj shoqërisë Top Channel në gjykatën e Tiranës, me anë të së cilës ka kërkuar konstatimin, dëmshpërblimin dhe fshirjen e lajmeve të konsideruara si të rreme.


Kam zgjedhur rrugën ligjore për dy arsye: Së pari, kushdo meriton të mësojë të vërtetën, ashtu siç është dhe jo me shpifje, sajesa dhe fake news. Së dyti kushdo që përdor Median e shkruar dhe Televizive për sulme, gjoba, dhe akuza të sajuara duhet të përgjigjet përpara ligjit si gjithë qytetarët, ashtu siç parashikon edhe Neni 18 i Kushtetutës.

— Monika Kryemadhi, deputete PL


Faktoje u interesua edhe pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK lidhur me nisjen apo jo të një hetimi për rastin në fjalë.

Pergjigjja e SPAK-ut

Faktoje u interesua pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupssion, SPAK lidhur me nisjen apo jo të një hetimi mbi Monika Kryemadhin lidhur me dokumentat e bëra publike në media.

Në përgjigje të interesimit, SPAK njoftoi Faktoje-n se për shkak të sekretit hetimor, deri në këtë moment Prokuroria nuk mund të japë informacion nëse ka nisur apo jo një hetim, duke dhënë si shkak sekretin hetimor, çka nënkupton se kjo çështje është në duart dhe vëmendjen e SPAK.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor