Shqipëria, ‘as me Rusinë, as me Ukrainën’

Published on:

Nga 1 maji deri në 30 shtator të gjithë rusët që do të vijnë në Shqipëri për turizëm nuk kanë nevojë për vizë. Qeveria vendosi të lehtësojë procedurat për sezonin turistik, në një kohë që Rusia aplikon regjim të rreptë vizash për Shqipërinë. Presidenti Ukrainës Volodymir Zelenski i kërkoi Shqipërisë të ndalojë turistët rusë, por qeveria shqiptare nuk e ka një plan të tillë. Në pesë vitet e fundit Shqipërinë e kanë vizituar 100 mijë turistë nga Rusia dhe tur-operatorët shqiptar thonë se kjo është një shifër e papërfillshme.

———————–

Shqipëria lehtësoi procedurat për hyrjen e shtetasve të huaj në prag të çeljes së sezonit turistik veror. Në 20 prill, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që i lejon hyrjen pa viza në Shqipëri qytetarëve nga tetë shtete të ndryshme, përfshi edhe Rusinë. Sipas vendimit, shtetasve rusë i lejohet hyrja pa viza në vendin tonë nga 1 maji e deri në 30 shtator.

Pesë ditë më vonë, gjatë një konference për shtyp “Shqipëria mikpret botën” Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse vendimi duhej rishikuar për Rusinë, por ai u përgjigj shkurt : Jo, nuk mendoj.

Vendimi ka hyrë në fuqi prej datës 1 maj, ndërkohë që lehtësimi i përkohshëm i proceduravë të ardhjes së turistëve në Shqipëri nga vende specifike është një traditë disavjeçare. Por kjo s’e ndali Presidentin Volodomyr Zelensky t’i bënte thirrje qeverisë shqiptare që të kufizonte ardhjen e turistëve rusë.

“Ju kërkoj të mbyllni portet për anijet ruse, ju kërkoj të kufizoni ardhjen e turistëve. Ju nuk mund ta dini se kush mund të vijë te ju për të pushuar, mund të jetë një vrasës i Bucha-s ose xhelati i Mariupolit.”- tha Zelensky në 3 maj 2022.

Tatyana Bajraktari, një shtetase ukrainase që jeton në Shqipëri dhe prej vitesh punon si tur-operatore zgjodhi të mos e komentonte kërkesën e Presidentit Ukrainas për kufizimin e turistëve rusë në Shqipëri.

“Për këtë rast, no comment”- tha Tatyana për Faktoje.

Por ajo shtoi se këtë sezon nuk ka asnjë planifikim për ardhjen e çarterave me turistë nga Rusia. Agjencitë kanë anuluar të gjitha rezervimet që kishin bërë me operatorët turistikë rusë. Përpara se të niste lufta në Ukrainë agjencitë turistike planifikonin që në Shqipëri gjatë sezonit veror do të mbërrinin 20 avionë në javë me turistë nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia.

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar i tha Faktoje se këtë vit, ndryshe nga sezonet e tjera operatorët nuk kanë nënshkruar asnjë kontratë për ardhjen e turistëve rusë.

“Edhe nëse do ketë ndonjë turist nga Rusia, do të jetë në mënyrë individuale. Bëjne booking direkt me hotelin, ndërkohë që vjet ka qënë një çarter në javë.”- theksoi ai.

Çfarë peshe kanë rusët në turizmin shqiptar?

Referuar të dhënave që Faktoje mori nga Instituti i Statistikave, në pesë vitet e fundit Shqipërinë e kanë vizituar 100.303 turistë nga Rusia. Vitin e kaluar në Shqipëri kanë hyrë 36.475 rusë nga 5.6 milionë shtetas të huaj që kanë hyrë gjithsej. Natyrisht, periudha maj-shtator mban numrin më të lartë.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, llogaritjet Instat

Edhe në tre muajt e parë të këtij viti Shqipërinë e kanë vizituar 1311 rusë, gati dy herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, llogaritjet Instat

Ndaj nisur nga këto të dhëna, Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi thotë se vendimi për të ndaluar ardhjen e turistëve rusë në Shqipëri nuk do të jetë problem për sektorin që ka pasur goditjet më të forta nga pandemia në dy vitet e fundit.

“Turistët rusishtfolës në Shqipëri zënë 2% apo 2.3% të totalit, bashkë me Ukrainën, Bjellorusinë llogariten diku 120 mijë turistë në vit dhe në këtë aspekt Shqipërisë nuk i kushtojnë gjë të mos i pranojë turistët rusë për të mbështetur politikat europiane. Besoj se qeveria duhet ta ndërmarrë një nismë të tillë për Ukrainën”- thotë Topuzi për Faktoje.

Në të njëjtën linjë është edhe Rrahman Kasa i Unionit Turistik Shqiptar.

“Turistët rusë që vijnë në Shqipëri janë mesatarisht rreth 25-30 mijë në vit, një shifër e papërfillshme. Nuk është se ka ndonjë kërkesë të madhe nga ky treg. Megjithëse nga 1 maji deri në fund të tetorit mund hyjnë pa viza. Mendoj se politika jonë duhet të shkojë sipas kahjes evropiane.” – thekson ai.

E ndërsa Faktoje iu drejtua me kërkesë për informacion Agjencisë për Media dhe Informim lidhur me kërkesën e Presidentit Volodymir për të ndaluar ardhjen e turistëve ruse, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesit të gazetarëve për këtë çështje, duke sqaruar:

“Vendimet tona janë të linjëzuara me Bashkimin Europian. Nuk ka një vendim të linjëzuar të BE-së dhe për sa kohë nuk ka një vendim të linjëzuar të Bashkimit Europian ne thjesht kemi vazhduar në të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Në rast se do të ketë një vendim të linjëzuar ne do të linjëzohemi menjëherë me Bashkimin Europian.”

Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS, 4 maj 2022

Një ditë më pas, edhe Agjencisë për Media dhe Informim na dha të njëjtën përgjigje.

“Theksojmë se Shqipëria është në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian dhe për sa kohë BE nuk ka një qëndrim të unifikuar dhe nuk ka asnjë kërkesë për linjëzim për kriteret, procedurat, dokumentacionin për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve(turistëve), vendi ynë do të vijojë të jetë e hapur për turistët si vitet e kaluara.”- shkruhet në emailin e AMI për Faktoje.

Deri sa Bashkimi Evropian të dalë me një vendim të tillë, rusët mund të vijnë në Shqipëri për turizëm pa shumë burokracira, ndërkohë që Rusia ka një program të rreptë vizash për shumicën e vendeve, përfshi edhe Shqipërinë.