Anulimi i procedurës së tenderimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idenë për linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë, është përdorur nga mediat si benzinë për të ushqyer ‘zjarrin’ që nisi mes udhëheqësve të Shqipërisë dhe Kosovës, pas tensioneve të krijuara në veri në muajin Maj 2023. Një verifikim i Faktoje tregon se në fakt anulimi i procedurës së tenderimit, erdhi pas ankimimit të një prej operatorëve pjesmarrës në tender dhe, jo për shkak të “ndarjes përfundimtare mes Ramës dhe Kurtit”, siç është interpretuar në rrjet.
Jona Plumbi
Lajmi për anulimin e procedurës për tenderimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt idesë për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë është interpretuar si lëvizje politike e kryeministrit Rama kundër homologut të tij në Kosovë, Albin Kurti.
“Sipas dokumenteve që disponon Bold News, Hekurudha Shqiptare, institucion në varësi direkte të zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka anuluar tenderin për studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës – Prishtinë. Vartësit e Ballukut e kanë anuluar zyrtarisht për mangësi në dokumente, por ajo që fshihet nga pas është pikërisht marrëdhënia e tensionuar mes Ramës dhe Kurtit.” – shkruan Bold News në artikullin e datës 25 Korrik 2023.
Në fakt, padashur apo jo, Bold News ka njoftuar anulimin e tenderit pikërisht një ditë përpara ri-shpalljes së procedurës nga Hekurudha Shqiptare.
Çfarë ndodhi?
Në vitin 2021 qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës firmosën marrëveshje për bashkëfinancimin e ndërtimit të hekurudhës Durrës – Prishtinë. Thuajse një vit më vonë, Hekurudha Shqiptare shpalli procedurën për tenderimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë në datën 14 Tetor 2022.
Lajmi u njoftua gjerësisht në media prej momentit të njoftimit të tenderit, që si datë të fundit të dorëzimit të propozimeve nga operatorët pjesmarrës në garë ishte Nëntori 2022.
Të dhënat e tenderit tregonin se bëhej fjalë për marrjen e një shërbimi konsulence për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për lidhjen hekurudhore Durrës – Prishtinë me një fond maksimal prej 200 milionë e 225 mijë lekësh (1.7 milionë euro).
Kontrata parashikohej të zgjaste 18 muaj nga firmosja e saj. Në 8 Dhjetor 2022 Komisioni i Prokurimit Publik njoftoi shtatë operatorët që aplikuan, për kalimin në fazën tjetër apo skualifikimin nga gara.
- “Tecnica y Proyectos” S.A ———————————————————– kualifikuar
- “Yuksel Proje” A.S ——————————————————————— kualifikuar
- “Dromos Consulting” LTD ———————————————————– skualifikuar
- “Hill International” NV—————————————————————- skualifikuar
- BOE “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK——— skualifikuar
- “Studio Archimed” SHPK ———————————————————— skualifikuar
- “Tecnic Consulting Engineers” SpA———————————————— skualifikuar
Dhjetë ditë pas këtij njoftimi, në 19 Dhjetor 2022 në Agjencinë e Prokurimit Publik mbërriti ankesa e një nga aplikuesve në garën për tenderin në fjalë, specifikisht bashkimi i operatorit ekonomik “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK. Arsyeja e ankesës lidhej me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që kishte skualifikuar ofertën e paraqitur nga ky bashkim operatorësh.
Edhe ky lajm u pasqyrua gjerësisht në media. Madje një prej tyre ishte edhe vetë portali Bold News.
Rreth katër muaj pas ankimimit, në 7 Prill 2023 Komisioni i Prokurimit Publik mori vendim për rastin e skualifikimit të “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK.
Komisioni i Prokurimit Publik pas shqyrtimit të dokumentave për rastin vendosi se argumentat e përdorura për skualifikimin e këtij operatori nuk qëndrojnë dhe se autoriteti (Hekurudha Shqiptare) duhet të analizonte më në themel dokumentacionin e dorëzuar nga bashkimi i operatorëve, që përmbush kriteret ligjore.
Në përfundim, KPP vendosi të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i dy kompanive “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK dhe i kërkoi hekurudhës Shqiptare “të rivlersojë procedurën e prokurimit në zbatim të ligjit për prokurimin publik si dhe të njoftojë brenda 5 ditëve Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit”.
Brenda 5 ditëve të punës, në 14 Prill 2023 Hekurudha Shqiptare anuloi procesin e tenderimit.
Nuk dihet se cilave dokumenta i referohet artikulli i BoldNews kur e interpreton anulimin e tendrit si “hakmarrje” e Edi Ramës ndaj Albin Kurtit, por fakti qëndron se në datën 26 Korrik 2023, një ditë pas publikimit të shkrimit nga BoldNews, Hekurudha Shqiptare rishpalli thirrjen.
Prapavijë
Studimi i fizibilitetit për projekt idenë për lidhjen hekurudhore të portit të Durrësit me Prishtinën qeveria shqiptare e ka njoftuar si një nga projektet më të rëndësishme për vitin 2023. Vendimi për ndërtimin e kësaj hekurudhe u zyrtarizua me firmosjen e memorandumit të bashkëpunimit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj në Kosovë, në qytetin e Elbasanit në 26 Nëntor 2021.
Ky investim është parashikuar edhe në buxhetin e shtetit në zërin e investimeve publike me financim të huaj për vitet 2023 – 2025.
Ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku ka njoftuar se Shqipëria do të mbulojë 51% të financimit të projektit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Kosova.
Memorandumi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore ka për qëllim ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor si zgjatim i rrugës hekurudhore 7 (Nish – Doljevac – Prishtinë) me qëllim daljen në një port me det të thellë në Adriatik.
Angazhimi per këtë linjë hekurudhore u nxit pas marrëveshjes së Washingtonit nga Kosova dhe Serbia në vitin 2020 ku përcaktohej se “të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.”
Nisur nga këto të dhëna publike, mund të kuptohet lehtësisht se anulimi i procedurës për tenderimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë nuk ka të bëjë me “hakmarrje” të kryeministrit Rama ndaj Kurtit, por ka ardhur si pasojë e problemeve në vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik pjesëmarrës në tender.
Njëkohësisht rishpallja e tenderit tregon se Hekurudha Shqiptare ka anuluar vetëm procedurën e parë dhe jo vetë tenderin për kryerjen e kësaj pune publike, e parashikuar si pjesë e investimeve për vitet 2023 – 2025 në buxhetin e shtetit.
Njëkohësisht vlen të përmendet se Hekurudha Shqiptare është shoqëri aksionere me aksioner të vetëm Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, dhe jo institucion në varësi të zëvendëskryeministres Balluku, si pretendohet në artikull. Për rrjedhojë informacioni i publikuar nga BoldNews është pjesërisht i pavërtetë.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor