Vizita e Kurtit në RMV riktheu “Shqipërinë e Madhe” në hartën propagandistike serbe

Published on:

Vizita e kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Çair të Shkupit solli një valë reagimesh shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Këto reagime u shfrytëzuan nga propaganda shtetërore serbe për të akuzuar Kurtin se po promovon “Shqipërinë e Madhe” e se madje në rrethana të tjera Kurti do të sumonte Serbinë, Malin e Zi apo vetë Maqqedoninë e Veriut. Informacionet e publikuara në media serbe, verifikuanr nga Faktoje tregojnë që edhe pse pritja e Albin Kurtit u përdor për politikë të brendshme në RMV, pretendimet e Serbisë për promovim të Shqipërisë së Madhe janë të pavërteta.

Jona Plumbi

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë të Maqedonisë së Veriut u kthye në “mollën” e sherrit të rradhës mes politikanëve në Ballkan dhe ringjalljes së narrativave të rrezikshme gjeopolitike nga Serbia. Në një anë, zyrtarët shtetërorë dhe qeveritarë në Maqedoni ngritën shqetësimin se gjatë pritjes së Kurtit në Tetovë dhe Çair u shkel ligji për simbolet kombëtare të Maqedonisë së Veriut. Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Alexandar Vuçiç e quajti vizitën “skandaloze”, “promovim të Shqipërisë së Madhe” dhe “rrezik për rajonin” nga Albin Kurti. Mbulimit të ngjarjes me tone nacionaliste nuk i shpëtuan as mediat, kryesisht ato online.

Çfarë ndodhi

Në 11 gusht 2023, Albin Kurti vizitoi Maqedoninë e Veriut, me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, dy komuna në Maqedoni me shumicë shqiptare. Agjenda e takimeve të Kurtit parashikonte vetëm liderët e partive opozitare shqiptare. Gjatë vizitës kryeministri Kurti u shoqërua nga zëvendësambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Si fillim, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e ri-emërtimit të një rruge në Çair me emrin e veprimtarit Adem Demaçi.

Më pas Kurti u prit në Tetovë nga kryetari i Komunës Bilal Kasami në zyrën e këtij të fundit, përpara se të niseshin për në fshatin Vicë ku siç njoftohet në faqen e kryeministrisë në Kosovë, u përurua rruga e re që lidh dy fshatra.

*Takimi Kurti – Kasami në Tetovë në 11 Gusht

Ajo që i ra në sy dhe “shqetësoi” zyrtarët vendas ishte se në pritjet që qytetarët i bënë kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, mungonte flamuri i Maqedonisë së Veriut, si dhe nuk u këndua himni kombëtar i këtij shteti.

*Pritja e Albin Kurtit në fshatin Vicë
*Pritja e Albin Kurtit në fshatin Vicë

E njëjta gjë ra në sy edhe në ceremoninë përmbyllëse të vizitës së Kurtit, organizuar në formën e një manifestimi në sheshin ‘Iliria’ në Tetovë, pasuar nga një koncert me valle dhe muzikë shqiptare. Në titujt kryesorë të mediave vendase zuri vend kryesisht valëvitja e një flamuri me hartën e Shqipërisë së Madhe në sfond, nga një pjesëmarrës gjatë manifestimit në nder të kryministrit të Kosovës.

*pritja në Tetovë në përfundim të vizitës së Kurtit

Mesazhet e Kurtit

Në vizitën e tij në RMV, Albin Kurti mbajti disa fjalime. Njërin prej tyre e mbajti në Çair gjatë përurimit të emrit të ri rrugës, Adem Demaçi. “Triumf të lirisë” e quajti Kurti emërtimin e rrugës në nder të heroit “Adem Demaçi” ku theksoi: “60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”.

Një tjetër fjalim Kurti e mbajti në fshatin Vicë ku theksoi rëndësinë e lidhjes infrastrukturore mes Prizrenit dhe Tetovës me qëllim shkurtimin e rrugës dhe përfitimet që ajo sjell për qytetarët dhe ekonominë. Në përfundim të vizitës, gjatë koncertit të organizuar në Tetovë, Kurti theksoi të njëjtin mesazh, atë të lidhjes infrastrukturore mes Prishtinës dhe Tetovës dhe domosdoshmërinë për të qëndruar larg Serbisë.

Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut.” – përfundoi Kurti.

Reagimet në Maqedoni

Menjëherë pas vizitës, shqetësimet nisën të ngrenë krye mes politikanëve në Maqedoninë e Veriut, lidhur me mënyrën sesi u organizuan këto pritje.

Presidenca

I pari ndër ta që u shpreh drejtpërdrejt mbi rastin ishte Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili e quajti ikonografinë e përdorur në pritjet e organizuara si “provokative, nacionaliste dhe promovuese të ideve shoviniste për shtete të mëdha”. Pendarovski kërkoi sanksionimin e kryetarëve të komunave të Çairit dhe Tetovës për shkelje të ligjit sa i përket përdorimit të flamurit dhe himnit kombëtar.

Qeveria

Në anën tjetër, mediat në Maqedoni cituan reagimin e kabinetit të kryeminsitrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski mbi organizimet në Tetovë dhe Çair. Sipas Libertas.mk zyra e kryeministrit citohet të ketë dënuar përdorimin e hartës së Shqipërisë së Madhe në ceremoni, duke njoftuar se organet ligjzbatuese në Tetovë po punojnë për të identifikuar përgjegjësit. Reagimi i zyrës së kryeministrit gjithashtu theksoi se është i dënueshëm fakti që gjatë pritjes nuk u këndua himni kombëtar i Maqedonisë dhe nuk u përdor flamuri i këtij shteti.

Nisja e hetimeve

Katër ditë pas vizitës së Kurtit, Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup njoftoi nisjen e hetimit për dy kryetarët e komunave, atij të Tetovës, Bilal Kasami dhe atij të Çairit, Visar Ganiu me akuzën e shkeljes së ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore.

Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Njëkohësisht ministria e brendshme njoftoi se është vënë në kërkim të personit i cili valëviti flamurin e të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”.

Përplasje e brendshme politike

Përpos reagimeve që lidhen me zbatimin apo jo të ligjit në Maqedoninë e Veriut, ajo që bie në sy është se si qeveria, ashtu edhe presidenca në Maqedoninë e Veriut, theksuan se marrëdhëniet me qeverinë Kurti janë të shkëlqyera dhe se janë organizatorët e ceremonive ato që kanë shkelur rregullat.

Kështu tha Kovaçevski kur deklaroi se Kurti ishte përdorur në politikën e ditës nga dy krerët e komunave me shumicë shqiptare. Sa i përket retorikës së Shqipërisë së Madhe, Kovaçevski tha: “Konceptet arkaike dhe epoka e romantizmit nacional për shtete të mëdha ka mbaruar në Ballkan. Jemi shtete anëtare të NATO-s dhe këto ëndrra të viteve ’80 janë shuar tashmë.”

Në anën tjetër, sipas Gazetës Express, edhe Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se reagimet e saj nuk i drejtoheshin kryeministrit Kurti, por organizatorëve të pritjeve që iu bënë atij.

Reagimi i presidentit iu drejtua mikpritësve të tij, të cilët tani po ndërtojnë subjekte të reja politike opozitare dhe po përdorin simbolet për të ndërtuar profilin e tyre tek votuesit e mundshëm” – citohet zëdhënësja e presidencës në Maqedoninë e Veriut, duke vijuar: “Gjatë vizitës së tij dhe në deklaratat e tij në Çair dhe Tetovë, presidenti tha se nuk mund të identifikojë formulimin me të cilin z. Kurti ofendoi Maqedoninë apo popullin maqedonas”.

Si u manipulua dhe u porpagandua çështja në Serbi

Pavarësisht se debati politik në Maqedoninë e Veriut kishte për subjekt politikanët vendas, “ison” e nacionalizmit për Shqipërinë e Madhe e mbajti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në një intervistë televizive për median serbe RTS, Vuçiç e quajti situatën “skandaloze” dhe akuzoi Kurtin se po promovon “Shqipërinë e Madhe” dhe se kjo ishte shfaqur qartë në vizitën e tij në Maqedoni.

Politika e krijimit të ‘Shqipërisë së Madhe’ është një proces që do të vazhdojë dhe Albin Kurti nuk do të ndalet.”. – tha Vuçiç.

Gjatë një tjetër interviste për TV Pink, Vuçiç e çoi retorikën në një tjetër nivel.

Po të mos ishim kaq të fortë, kaq herë më të fortë, më të fuqishëm në teknikë, armatime, a e dini se do të na kishte sulmuar Kurti në çdo pjesë deri më tani? Ai nuk do të sulmonte vetëm Serbinë qendrore, Maqedoninë, por do të sulmonte edhe Malin e Zi”, tha Vuçiç në intervistë.

Ky mesazh i Vuçiç u shpërnda në media, kryesisht ato në Serbi dhe Maqedoni.

Përgjigjja e Kosovës

Në përgjigje të situatës së krijuar në Maqedoni, kryeministri Albin Kurti, konfirmoi marrëdhënien e mirë me Maqedoninë dhe theksoi se “ato nuk kanë qenë takime dhe tubime kundër askujt”. Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e quajti shfaqjen e flamurit të Shqipërisë së Madhe si “lëvizje e një qytetari dhe jo diçka e organizuar”.

Në një tjetër intervistë për median greke ‘To vima’, Kryeministi i Kosovës, Albin Kurti i pyetur nga gazetarët ka theksuar se edhe pse Shqipëria dhe Kosova janë një komb, por ato janë dy shtete. Pyetur nëse ai mbështet bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Kurti theksoi:

“Për momentin Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon këtë dhe ne jemi të fokusuar në mbrojtjen e vendit tonë, integritetit territorial dhe sovranitetit të tij”.

Përfundimi

Debati i krijuar në Maqedoninë e Veriut pas vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti u fokusua plotësisht në politikën e brendshme maqedonase. Sipas mazhorancës, vizita e Kurtit u përdor nga liderët e partive opozitare për “të fituar pikë politike mes qytetarëve”. Në anën tjetër, për hetimin e nisur ndaj kryetarëve të komunave të Tetovës dhe Çairit, këta të fundit akuzuan qeverinë për shantazh.

Pavarësisht mungesës së akuzave ndaj përmbajtjes së takimeve apo vetë vizitës së Kurtit në Maqedoni, “kënga e vjetër” e nacionalizmit ballkanas ‘ngriti krye’ në Serbi, ku vetë presidenti Aleksandar Vuçiç akuzoi Kurtin për promovim të Shqipërisë së Madhe, vënie në rrezik të rajonit dhe, në fund, për dëshirë për sulme ndaj Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Nisur nga të dhënat publike të vizitës së Kurtit në Maqedoninë e Veriut, por edhe reagimeve pas situatës së krijuar, rezulton se në asnjë moment Kurti nuk është shprehur për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e aq më pak një “Shqipërie të Madhe”.