Deklarata kundërthënëse lidhur me kontrollet nga Policia e Izraelit në Aeroportin e Prishtinës

Published on:

*Përgatiti: Ridona Berisha

Deklarata kundërthënëse mes futbollistëve dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka pasur lidhur me kontrollet e rrepta policore para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Izraelit, e cila u zhvillua më 12 nëntor në Prishtinë. Kjo ishte ndeshja e parë jashtë vendit për Izraelin, që prej nises së luftës me Palestinën. Me qëllim të shmangies së një sulmi potencial, krahas Policisë së Kosovës, sipas asaj që deklaruan futbollistët, kontrollet u kryen edhe nga autoritetet izraelite.

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, deklaroi se në Aeroportin e Prishtinës janë kontrolluar nga policë të Izraelit, veprim të cilin e ka cilësuar të tepërt dhe të panevojshëm.

Në aeroportin tonë të Kosovës ka pasur policë të Izraelit, që kanë ardhur special të na kontrollojnë. Ne po shkojmë për sport, jo të luftojmë”, ka thënë mes të tjerash Muriqi, duke shtuar se “këtu ka ardhur të luajë edhe Mali i Zi, edhe Rumania, nuk ka pasur probleme. Nuk i kanë pasur policët e vet, po vijnë me luajt futboll, nuk e di pse po tuten apo për diçka tjetër, besoj nuk është presion për neve”.

Kjo deklaratë e tij u shpërnda nga portale të shumta në gjuhën shqipe si: Gazeta SiTelegrafiFax.alBota SotAlsat.mkPodujeva SotTelenews.al, etj.

Image

Foto: Sqarim nga FFK lidhur me prononcimin e Vedat Muriqit

Kjo u mohua nga Federata e Futbollit e Kosovës, e cila përmes një komunikate për media deklaroi se Muriqi po fliste për kontrollin e nënshtruar në muajin mars, para udhëtimit të Kosovës për në Tel Aviv, për ta zhvilluar ndeshjen e parë kundër Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian 2024.

Sipas FFK-së, prononcimi i Vedat Muriqit në lidhje me kontrollin policor në Aeroportin e Prishtinës është keqkuptuar.

“Në pronocimin e tij të sotëm, futbollisti Muriqi i është referuar kontrollit të nënshtuar në muajin mars, para udhëtimit të ekipit kombëtar të Kosovës për në Tel Aviv dhe e ka ndërlidhur atë rast me nivelin e sigurisë për ndeshjen e 12 nëntorit”, shkruan në komunikatën e FFK-së. Shtëpia e futbollit e Kosovës është shprehur falënderuese për bashkëpunimin e madh të ofruar nga Policia e Kosovës dhe organet e tjera shtetërore sa i përket aspektit të sigurisë për organzimin e ndeshjes ndaj Izraelit. Pas deklaratës së FFK-së, nuk ka pasur edhe një qëndrim tjetër nga ana e Muriqit lidhur me kontrollet e sigurisë për të cilat u ankua. Ndeshja përfundoi pa asnjë incident dhe atë e fitoi Kosova me rezultatin 1:0.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”