Dezinformimi për vdekjen e Navalny nga mpiksja e gjakut pas vaksinimit anti-Covid

Published on:

By PUSTINA PATRIS

Nuk ka prova se lideri i opozitës ruse Alexei Navalny vdiq si pasojë e vaksinës anti-Covid Pfizer. Shkaku i vdekjes së tij nuk është bërë ende publik, dhe duke qenë në burg në Rusi që në janar 2021, gjasat janë që Navalny nuk ka marrë vaksinën Pfizer, e cila nuk është miratuar për përdorim në Rusi.

—————————————————-

Konspiracionistët anti-vaksinë mbeten të vendosur ta lidhin çdo vdekje të bujshme me vaksinën anti-Covid.

Viktima më e fundit është lideri i opozitës ruse Alexei Navalny. Shërbimi rus i burgjeve njoftoi më 16 shkurt 2024 se Navalny kishte ndërruar jetë në një burg në veri të Rrethit Arktik, ku ai vuante dënimin me 19 vite burg nën “regjim të veçantë”.

Pak ditë nga ky njoftim, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se Navalny vdiq nga një mpiksje gjaku pasi kishte marrë 5 doza vaksine Pfizer. Si zakonisht, ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë, burim apo referencë.

Burim i këtij pretendimi që ngjason me sarkazëm, është personi me emërtimin “Aussie Cossack” (Kozaku australian), një youtuber publik, i denoncuar  edhe më parë si një person pro-Putin, i përdorur nga propaganda ruse për të nxitur dezinformim. Në një format të identifikuar tashmë si taktikë e propagandës ruse, media zyrtare ruse i referohet më pas si burim këtyre personave për faktet e rreme që publikon në faqet e saj.

A ishin 5 dozat e vaksinës Pfizer shkaku i vdekjes?

Në fakt, deri në ditën e botimit të këtij shkrimi, 22 shkurt 2024, shkaku i vdekjes së Navalny mbetet i pazbuluar. Rezultatet e autopsisë nuk janë bërë ende publike. Familja e tij ka thënë se janë njoftuar nga autoritetet ruse se trupi i Navalny do të mbahet për dy javë për të kryer “analiza kimike”. Ligjërisht, autoritetet ruse mund ta mbajnë trupin deri në 30 ditë.

Njoftimi i autoriteteve ruse nuk përmend në ndonjë pikë se vdekja e Navalny ka lidhje me vaksinimin:

Më 16 shkurt 2024, në koloninë penale numër 3, i burgosuri Alexei Navalny u ndje keq pas një shëtitjeje, dhe humbi ndjenjat gati menjëherë pas kësaj.

Stafi mjekësor i institucionit mbërriti menjëherë, dhe një ambulancë u lajmërua.

Të gjitha masat e nevojshme të reanimimit u ndërmorën, por nuk dhanë rezultate pozitive. Doktorët e ambulancës deklaruan vdekjen e të burgosurit.

Shkaqet e vdekjes janë duke u përcaktuar.

A kishte marrë Navalny 5 doza vaksine Pfizer?

Gjithashtu i pabazë mbetet pretendimi se Navalny kishte marrë 5 doza të vaksinës Pfizer.

Në fakt, gjasat janë që Navalny nuk kishte marrë asnjë dozë vaksine Pfizer, sepse vaksina e Pfizer nuk është miratuar kurrë për përdorim në Rusi.

Navalny u shtrua me urgjencë në spital në Gjermani pas helmimit të tij me agjentë kimikë në dhjetor 2020. Ai u kthye në Rusi më 17 janar 2021, kur u arrestua dhe burgos menjëherë. Vaksinimi për grupmoshën e tij nisi në Gjermani më 17 maj 2021, kështu ai nuk mund të ishte vaksinuar me Pfizer gjatë kohës së tij në Gjermani.

A mund të kishte vdekur Navalny nga 5 doza vaksine Pfizer?

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku (i rrallë) nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Navalny ishte 47 vjeç.

Për më tepër, rastet e miokarditit/perikarditit që janë raportuar pas vaksinimit zakonisht kanë ndodhur brenda një jave nga vaksinimi. Edhe nëse Navalny do të ishte krejtësisht i vaksinuar, dozat e tij të fundit do t’i kishte marrë mbi dy vite më parë.