Joe Biden nuk është betuar se për shqiptarët do të shkatërrojë çdo shtet

Published on:

Edhe pse në thelb gazetaria është profesion fisnik që ka për qëllim informimin korrekt dhe profesional të publik, shpesh ndodh që për arsye të caktuara të dilet jashtë etikës gazetareske. Digjitalizimi dhe interneti i kanë dhënë hov akoma më shumë shkeljes së etikës profesionale, çdo ditë e më shumë “online” na shfaqen përmbajtje mediatike që synojnë vetëm klikime. Shembull konkret i një situate të tillë është dhe përmbajtja që recensojmë më poshtë, shkruan Portalb.mk.

Po i prekët Shqiptarët ju betohem se jemi gati ta ‘shkvtërrojmë’ për 24 orë çdo shtet..!!, është titulli i përmbajtjes që recensojmë, e cila është e shoqëruar me një fotografi të presidentit amerikan Joe Biden. Ky produkt mediatik është publikuar në një portal me emrin theglobalreport24.com, nga një eksplorim sipërfaqësor e kupton se bëhet fjalë për një medium jo-profesional të cilin nuk dihet kush e menaxhon deh se çfarë interesash ka.

Sa i përket përmbajtjes që recensojmë, titullit sensacional i pason një tekst prej 3 rreshtash dhe më pas lexuesit i kërkohet të klikojë mbi reklamat për të lexuar më shumë.

“President Joe Biden në vitin 2002, në një konferencë të o rganizuar në SHBA, kishte d eklaruar haptazi d ashurinë e tij të madhe për kombin shqiptar.Biden në atë kohë kishte thënë që SHBA janë të gatshëm të që llojnë dhe të vr a sin çdo kënd i cili sul mon shqiptarët në Ballkan. Së fundmi kjo d eklaratë e tij ka filluar të shp ërnahet më të madhe ja edhe de klarata e tij. LEXO ME TEPER DUKE E HAP REK LAMEN ME POSHTE”.

Ky është një shembull tipik i fenomenit “clickbait”, duke përdor titull sensacional të shoqëruar me një përmbajtje të cunguar si në aspektin drejtshkrimor edhe në atë informativ qëllimi kryesor i autorit pa emër është që të grumbullojë sa më shumë klikime.

Nga verifikimi jonë në mediat amerikane nuk hasëm në një përmbajtje ku presidenti aktual i SHBA-së, Joe Baiden, në vitin 2002 të ketë bërë një deklaratë të tillë. Është fakt se SHBA-të janë aleati më i madh i shqiptarëve por në asnjë moment kjo përkrahje nuk është shprehur me retorikë kërcënuese.

Çfarë është “clickbait media” dhe si të kemi kujdes nga ky fenomen?

“Clickbait” është përmbajtje dixhitale që tërheq vizitorë në internet dhe inkurajon shikuesit të klikojnë në përmbajtjen e cila zakonisht ndodhet brenda një linku që ju keni hapur. Përmbajtja e “Clickbait” zakonisht shoqërohet me përmbajtje mashtruese ose sensacionale, madje edhe me lajme të rreme. Klikimi mbi përmbajtet brenda një artikulli që kemi hapur nuk ka për qëllim vetëm grumbullimin e sa më shumë klikimeve, por ka të bëjë gjithashtu me marrjen e klikimeve të duhura për të drejtuar trafikun në faqen ose platformën tuaj.

“Clickbait” mundëson që një biznesin të shfaqet apo paraqitet përpara më shumë shikuesve. Gjurmimi i analitikës  mundëson matjen e suksesit në fushat e klikimeve, duke ju dhënë mundësinë për të parë se çfarë përmbajtje dhe strategjish po i sjellin njerëzit. Çdo biznes apo dhe platformë informimi online dëshiron të ketë sa më shumë qarkullim në uebsite me qëllim që të gjenerojë sa më shumë të ardhura,”Clickbait” tingëllon si një strategji tërheqëse për marketingu sepse arrin të tërheq shumë përdorues.

  • Nga kush përdoret fenomeni “clickbait”?
  1. Bizneset: Bizneset që duan të rrisin aktivitetin e faqes në internet publikojnë postime dhe video me tituj tërheqës, për të tërhequr sa më shumë klikime nga klientët.
  2. Botuesit: Disa botues përdorin klikime për të nxitur trafikun e sajtit dhe për të fituar më shumë para nga reklamat, klikime ose konvertime.
  3. Individë dhe grupe të papërgjegjshme: Kjo kategori e krijon reputacionin e keq për “clickbait” sepse  përdorin atë për ti kaluar klikuesit në faqe të pasigurta dhe të rrezikshme. Zakonisht këto forma të “clickbait” janë lajme të rreme ose përmbajtje që nuk kanë lidhje me titullin ose imazhin e miniaturës që na shfaqet në faqe.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe digjitalizimit ka ndryshuar dhe mënyra e informimit prandaj dhe ne si lexues dhe konsumator të informacioneve online duhet të bëjmë shumë kujdes nga dhe si informohemi.



Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari