MEDIET SOCIALE NËN LLUPËN E VERIFIKUESVE TË FAKTEVE

Published on:

PËRPJEKJET E VERIFIKUESVE TË FAKTEVE NË LUFTIMIN E DEZINFORMIMIT.

Qy, qy edhe Vlora Çitaku paska pasosh të Serbisë a!…”, “Publikohet super-skandali, kryetari i Listës Serbe Goran Rakić në aksion intim në jaht”, “Kredi për biznese deri në 50,000 euro”  — këto janë vetëm disa prej dezinformatave të shpërndrara sivjet në platformën Facebook.Dezinformatat e publikuara shpërndajnë informata të pasakta për figura publike, zhvillime politike e çështje sociale. Po ashtu, përmes tyre ofrohen kura të paverifikuara për sëmundje të ndryshme, bëhen thirrje të rreme për punëtorë në vende evropiane e lajmërohen mundësi të gënjeshtërta për kredi të shpejta. Teksa shumë nga to publikohen në Facebook nga llogari e uebfaqe të dyshimta apo të rreme, dezinformatat publikohen edhe nga mediet online që janë të konsoliduara.Platforma Facebook është posaçërisht e rëndësishme për t’u analizuar duke qenë media sociale me audiencën më të madhe në Kosovë. Rreth 950,000 llogari janë të hapura, sipas të dhënave të fundit më 7 shtator 2023, nga kompania That Ad, që gjeneron të dhëna drejtpërdrejt nga platforma. Duke qenë platforma më e frekuentuar nga qytetarët e Kosovës, mediet e gjejnë audiencën e tyre aty dhe krijojnë përmbajtje veçanërisht për këtë platformë — video të shkurtra, infografika e transmetime të drejtpërdrejta.

Shkëlzen Osmani, drejtor i programit të kontrollit të fakteve Hibrid.info në Kosovë, thotë se Facebook i ka përpirë mediet tjera në hapësirën e saj. “Facebooku është tash si një univers dhe në univers ka shumë trupa qiellorë të tjerë, por Facebooku i ka përfshirë ata në kuadër të universit të vet”, thotë Osmani.

Publikues i përmbajtjes mund të jetë kushdo që ka qasje në të. Media sociale në pronësi të “META”, kompani në kuadër të së cilës janë edhe WhatsApp, Instagram, Threads, nuk bën kategorizime mes të faqeve të medieve dhe publikuesve të tjerë.

“Nuk e ka ndonjë seksion të veçantë që të tregon se këtu janë mediat, apo se këtu janë influencerët, këtu janë faqet e shëndetësisë apo faqet institucionale. Pra, informohesh varësisht se si algoritmi i vendos ato në feed-in tënd”, thotë Osmani. Algoritmi i medieve sociale ia vendos përdoruesit përmbajtjen në përputhje me preferencat paraprake të tij, që përcaktohen në bazë të, ndër tjera, pëlqimeve, shpërndarjeve, klikimeve dhe ndërveprimeve të rrethit.

Këtë audiencë prej gati 1 milion përdoruesish e synojnë edhe llogaritë e uebfaqet e dyshimta e të rreme që shpërndajnë dezinformata për të fituar para përmes klikimeve apo për të shtyrë përpara agjenda të caktuara. Botërisht, Facebook ka mbi 3 miliardë përdorues, që e rendisin ndër të parat te mediet sociale për kah numri i përdoruesve. Kjo platformë është ndër të parat edhe kur është fjala për përhapjen e dezinformatave.

META u gjend në presion sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), kur u vërtetua se dezinformatat e përhapura në mediet sociale ndikuan në rezultatin zgjedhor dhe se miliona të dhëna private të përdoruesve u shitën për t’u përdorur në kampanja zgjedhore.

Gjatë fushatës parazgjedhore, CNN publikoi se si disa të rinj nga Maqedonia e Veriut, operonin një “fermë” të lajmeve të rreme duke krijuar profile të qytetarëve amerikanë, të cilat i ndanin ato në mediet e tyre sociale. Lajmet e rreme u sillnin përfitime financiare këtyre të rinjve pasi fitonin një shumë të caktuar për çdo klikim. Lajmet që u shpërndanë gjatë fushatës e favorizonin ish-presidentin Donald Trump. Aty pretendohej, ndër tjera, që Papa Françesku e mbështet Trump, se bashkëshorti i kandidates presidenciale Hillary Clinton, Bill Clinton e ka dhunuar seksualisht një vajzë 13-vjeçare. Për shkak të ndikimit të lajmeve të rreme të shpërndara në këtë platformë, e edhe përdorimit të të dhënave private, themeluesi Mark Zuckerberg, u gjend para Kongresit Amerikan në vitin 2018 për një seancë dëgjimore.

META nisi bashkëpunimin me kontrollues të fakteve nëpër shtete të ndryshme për ta luftuar dezinformimin, në Facebook në vitin 2017, në WhatsApp në vitin 2018, e në Instagram në vitin 2019. Ndërkohë, media sociale e sapohapur Threads nuk ka ndonjë bashkëpunim me kontrollues të fakteve tash për tash.

Bashkëpunimi i META me kontrolluesit e fakteve në Kosovë ka nisur nga viti 2018.

Facebook — nën llupën e verifikuesve të fakteve

Në Kosovë, një ndër verifikuesit kryesor të fakteve është Krypometri, që mund të gjendet si kategori brenda portalit Kallxo.com që nga viti 2016. Prej vitit 2018, Krypometri e ka marrë edhe vulën e Facebookut për t’u dhënë etiketat publikuesve të përmbajtjeve në Facebook. Tashmë Kallxo njihet si “third party fact-checker” dhe deri tash është i vetmi bashkëpunëtor i META në Kosovë. Ndërkohë, Krypometri është pjesë edhe e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikuesve të Fakteve (IFCN), organizatë e cila monitoron tendencat në kontrollin e fakteve, ofron burime trajnimi dhe ofron një vend për bashkëpunim midis afër 200 verifikuesve të fakteve në mbarë botën.

KATEGORITË E KEQINFORIMIMIT

Janë gjashtë kategori të keqinformimit që mund të lajmërohen përmes third party factcheckers:

— mungon konteksti (kur përmbajtja e përçon në mënyrë indirekte një pretendim të rremë),
— e ndryshuar (kur materiali video, audio apo fotografik ndryshohet në një formë që mund ta çorientojë audiencën),
— pjesërisht e rreme (kur publikimi ka disa pasaktësi në fakte),
e rreme (që s’është e bazuar në fakte),
— satirë (kur materiali ka përdorim të ironisë apo ekzagjerimit dhe që vlerësohet se nuk kuptohet si i tillë lehtësisht nga audienca),
— si dhe e vërtetë (kur nuk ka pasaktësi).

Një kontrollues i fakteve që e ka statusin e third-party fact-checker (verifikues faktesh), verifikon postimet në Facebook. Nëse kontrolluesit e faktit e shenjojnë një përmbajtje si të pasaktë apo të paplotë, postimit i shfaqet një paralajmërim që tregon se kontrolluesit e fakteve thonë se ky është lajm i rremë apo se i mungon konteksti. Një paralajmërim i tillë është edhe pengesë për t’u qasur në atë përmbajtje meqë përdoruesi nuk mund ta hapë direkt përmbajtjen pa e parë paralajmërimin. Për ta parë përmbajtjen përdoruesi duhet të klikojë në “see why?” (në shqip: shih pse?)Kur klikohet në “see why?” shfaqet një shirit i ri me mundësinë për të klikuar në artikullin e Krypometrit që shtjellon arsyet pse postimi është shenjuar si i tillë dhe nën të, është opsioni që ta shohësh reel-in keqinformues “view post”.Krypometri, thuajse në baza ditore, trajton një mori faqesh të Facebook, që tashmë i kanë etiketat e informacionit të rremë apo lajmit, që i mungon konteksti.

Prej vitit 2018, Krypometri e ka marrë edhe vulën e Facebookut për t’u dhënë etiketat publikuesve të përmbajtjeve në Facebook.

Në gusht të vitit 2023, portali i transmetuesit publik, rtklive.com, publikoi në Facebook një artikull të sponsoruar me titullin “The Economist: Kosova me rritje ekonomike, tejkaloi fqinjët ballkanikë”Përshkrimi, i saj, siç vërehet te Krypometri ishte “Revista britanike ‘The Economist’, ka shkruar një shkrim për Kosovën me titull ‘Kombi fillestar – si kompanitë kosovare po i sfidojnë pritjet për ta udhëhequr vendin drejt së ardhmes””.Në shiritin që paraqitet nën këtë artikull shkruhet se “Mungon konteksti – kontrollues të pavarur të fakteve thonë se këtij informacioni i mungon konteksti dhe se mund t’i çorientojë njerëzit”. Pasaktësia te lajmi i rtklive.com ishte se artikulli nuk ishte publikuar në revistën “The Economist”, por në “The Economist Impact” dhe ishte i sponsoruar prej Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane dhe një projekti të USAID. “The Economist Impact” është entitet brenda ndërmarrjes Economist Group Limited, porse dallimi me revistën “The Economist” është se te “The Economist Impact” është i mundshëm publikimi i materialeve të sponsoruara. Si i tillë, artikulli nuk ishte informativ, por promovues.Shumica e artikujve të muajve të fundit në Krypometër lidhen me fushën e  politikës, shumë prej tyre për postime dezinformuese që targetojnë qeverinë aktuale. Në faqen “Komentet Politike” në Facebook u publikua një poster me Xhelal Sveçlën, ministër i Punëve të Brendshme ku shkruhet, ndër tjera: “Xhelali të gjithë veteranët e UÇK-së, i shpalli bashkëpunëtorë të Serbisë”. Shkaku i kontrollit të fakteve, llogaria “Komentet Politike” ka vendosur ta fshijë postimin.

Cak i dezinformimit në Facebook ka qenë edhe nënkryetarja e partisë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku për të cilën një llogari pretendoi pa kurrëfarë mbështetjeje se ka shtetësi të Serbisë. Në reel-in ku publikohet ky pretendim, ndodhet paralajmërimi: “Informatë e rreme. Verifikues të pavarur të fakteve thonë se ky informacion është i pabazuar në fakte”.

Në bazë të politikave të Facebookut, llogarive që publikojnë postimet keqinformuese dhe dezinformuese dhe vetë postimeve që lajmërohen prej verifikuesve të fakteve bashkëpunëtorë të META u ulet dukshmëria brenda platformës. Kështu, këto postime arrijnë te më pak njerëz.

Dezinformatat e publikuara shpërndajnë informata të pasakta për figura publike, zhvillime politike e çështje sociale.

Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues i Kallxo.com, thotë se pasi i identifikojnë postimet si të rreme apo pa kontekst, ka faqe që i fshijnë postimet dhe të tjera që i përmirësojnë përmbajtjet e tyre në Facebook.“Tash ekzistojnë dy kategori: e para janë anonymous-at [anonim] të cilët nuk mund t’i njohësh, faqe fiktive që nuk dihet se kush është prapa tyre dhe të cilat kanë outreach [mbulueshmëri] shumë të madh. Këtyre nuk iu intereson audienca, nuk u intereson informimi”, thotë Gashi. Të tjera faqe në Facebook, sipash Gashit, e përbëjnë një pjesë e portaleve që synojnë të jenë në treg për më gjatë dhe e vendosin në artikull shënimin se artikulli është redaktuar (përmirësuar).“Ende nuk është standardizuar, ende nuk është ndërtuar si politikë brenda të gjitha mediave në Kosovë, mirëpo ka nisur me u ndryshu”, thotë Gashi.

Valon Canhasi, themelues i kompanisë së marketingut digjital “Hallakate”,  thotë se llogaritë e rreme në Kosovë kanë ardhur në shprehje më së shumti gjatë fushatave zgjedhore, porse ndezja e fushatave keqinformuese, përfshirë faqet e Facebookut, në kohë fushatave zgjedhore, është fenomen global dhe s’e rrok vetëm Kosovën.

Sidoqoftë çfarëdo vlerësimi i numrit të llogarive të rreme është jo i plotë dhe i mungon konteksti sipas Canhasit.

“Është e vështirë ta nxjerrësh një numër specifik, por kryesisht platfomat janë sofistikuar aq shumë sa që këto janë në përqindje shumë të vogël, realisht llogaritë e vërteta janë problemi, ngase i bëjnë share (i shpërndajnë) këto lloj informatash”, thotë Canhasi.

Sipas një raporti të Institutit Kombëtar të Kosovës (NDI), i cili monitoroi mediet online dhe mediet sociale për periudhën mars 2020 deri në shkurt 2021, grupe të ndryshme në Facebook dhe faqet e fansave [fanpage], që hapen në mbështetje të një partie apo kauze, përhapin dezinformata. Raporti vuri re se ky trend u shfaq në pranverën e vitit 2020 kur grupet në Facebook dhe faqet e fansave në gjuhën shqipe u përdorën gjithnjë e më shumë për t’u përhapur dezinformim, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.

Ndërkohë, Osmani që drejton Hibrid.info, po ashtu pjesë e IFCN tregon se edhe pa qenë partner i Facebook, gjejnë mënyra për të komunikuar me Facebook kur është fjala për kontrollim faktesh.

“Facebooku e vëren vetë me gjasë në momentin që një fact-checker, anëtar i IFCN e trajton një përmbajtje, përmes algoritmave të vet”, thotë ai.

Verifikuesi i fakteve, Hibrid.info demanton dhjetra artikuj dezinformues në baza ditore.

Hibdrid.info është në negociata me Facebook për marrjen e statusit “third-party fact-checker” dhe nga janari i këtij vitit ka filluar t’i monitorojë edhe mediat sociale. Sipas raportit të parë të publikuar nga monitorimi për periudhën janar-qershor 2023, Facebook ka qenë media kryesore sociale ku janë shpërndarë artikujt keqinformues rreth ngjarjeve në Kosovë.Dezinformatat në Tiktok, Twitter e Telegram
Në qershor të këtij viti, në vazhdën e tensioneve në komunat me shumicë serbe, një video e manipuluar me ndihmën e inteligjencës artificiale e njohur si deepfake, u shpërnda prej qindra personave në X, emri i ri i platformës që dikur ishte Twitter, si dhe në faqe të Facebookut.

Në videon deepfake është e vendosur një fotografi e përbashkët e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Në materialin e fabrikuar shihet Hovenier që i thotë Kurtit se do të ketë pasoja për arrestime të pabaza të serbëve të veriut. Në videon deepfake Kurti i përgjigjet Hovenier se do t’i arrestojë serbët pavarësisht a kanë kryer vepra penale, për ta futur veriun e vendit nën kontroll të Kosovës. Zëri e theksi i Hovenier tingëllon i ngjashëm me atë që e ka në të vërtetë, por kryeministrit Kurti i mveshet një theks britanik.

Kjo video u shpërnda gjatë një periudhe tensionesh në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, pas zgjedhjeve të 24 prillit në këto komuna.

Adea Beqaj, zyrtare e lartë e programit të NDI për Integritetin e Informacionit thotë se qëllimi i kësaj dezinformate ishte të nxitej mosbesim.

“Janë përdorur figurat e kryeministrit të vendit dhe ambasadorit amerikan, ku përmes paraqitjes së një bisede fiktive tentohet të dëmtohen të dyja palët. Konteksti kur ka ndodhur ky manipulim i informacionit është i rëndësishëm, ngase i kontribuon destabilizimit të vendit dhe thellimit të ndarjeve etike [mes serbëve e shqiptarëve të Kosovës]”, thotë Beqaj.

APLIKACIONET E MESAZHEVE JANË MË PROBLEMATIKE, KUR ËSHTË FJALA PËR SHPËRNDARJEN E DEZINFORMIMIT. KJO SEPSE MODERATORI NË GRUPE TË MBYLLURA VENDOS SE ÇFARË PLASOHET DHE GRUPI KONSIDEROHET PRIVAT, PËRDERISA NUK NDODH DIÇKA E PALIGJSHME SI NË RASTIN E TELEGRAMIT.

E njëjta video e fabrikuar është paraqitur edhe grupe me shumë anëtarë në Telegram, aplikacion i mesazheve që ofron mundësinë e krijimeve të grupeve dhe kanaleve, të cilat mund t’i ndjek kushdo që ka llogari në këtë aplikacion.Kanali në serbisht “BUNT je stanje duha ☦” apo “RREBELIMI është gjendje shpirtërore ☦”, sipas NDI, ka numër të konsiderueshëm të përdoruesve te serbët e veriut të vendit.Grupi në Telegram ka mbi 70,000 ndjekës dhe bën postime lidhur me Kosovën në baza ditore, duke përfshirë edhe postime dezinformuese e me gjuhë të urrejtjes. Aplikacionet e mesazheve janë më problematike, kur është fjala për shpërndarjen e dezinformimit. Kjo sepse moderatori në grupe të mbyllura vendos se çfarë plasohet dhe grupi konsiderohet privat, përderisa nuk ndodh diçka e paligjshme si në rastin e Telegramit. Kanalet si BUNT në Telegram llogariten publike.

Në Telegram ekziston opsioni i raportimit të përmbajtjes te platforma dhe kontakti që e menaxhon atë llogari — ndonëse numri i telefonit dhe emri i administratorit mund të fshihet.

Në Kosovë, Hibdrid.info ka përgënjeshtruar disa herë lajmet e rreme të publikuara në kanalin “BUNT”. Luftimi i dezinformimit në kanalet e aplikacioneve të mesazheve si Telegrami është më i vështirë meqë kontrolluesit e fakteve nuk kanë mjete si Crowdtangle, që shërben për monitorimin e mediave sociale.

Platforma X, nën pronësi të Elon Musk, përdoret më pak në Kosovë. Në bazë të të dhënave të kompanisë “Hallakate”, X i ka pasur 102,000 përdorues nga Kosova në korrik 2022. Me gjithë numrin më të vogël të përdoruesve, përmbajtjet kryesisht politike të shpërndara në këtë platformë shpërndahen edhe nëpër artikuj edhe në mediet sociale më të përdorura.

“Nëse dikush ka publikuar diçka të pavërtetë në Tëitter [X], që është politikan, influencer, e kështu me radhë, shumë lehtësisht mund ta gjeni të riprodhuar në Facebook, në Instagram, në Tiktok prej mediave dhe njerëzve të tjerë” thotë Gashi i Kallxo.com.

Pavarësisht se materialet dezinformuese të platformës X i tejkalojnë kufijt me platformat tjera, për për këtë platformë janë karakteristike bots, që përdoren qoftë për fushata dezinformimi e të nxitjes së urrejtjes. Bots, që ndryshe njihen si “zombie”, fjalë që domethënë lugat në anglisht, janë agjentë të programeve kompjuterike që e japin përshtypjen se janë përdorues njerëzor. Por, ka edhe nga to që operohen nga individë prapa.

Duke qenë se bots shpesh i shpërndajnë dhe i pëlqejnë mesazhet e njëri-tjetrit, ato përdoren gjerësisht për çrregullim informativ qoftë për shpërndarjen e pretendimeve të rreme e të paverifikuara, për krijimin e atmosferës online pro ose kundër një ideje a një personi të caktuar.

Hulumtuesi Agon Maliqi e ka ekspozuar një prej tyre si nxitës të nacionalizmit në Kosovë e Serbi, meqë shpërndante përmbajtje nga të dyja krahët. “Është koha që Shqipëria dhe Kosova të shkrihen e të bashkohen”, shkruhej në një postim të profilit Malcolm16991871, i cili kishte etiketuar në postim senatorë amerikanë, përfshirë demokratët Chris Murphy e Jeanne Shaheen. Por, siç tregoi Maliqi në X, i njëjti profil kishte shpërndarë edhe postim nga partia Partia Progresive Serbe (SNS), subjekti politik të cilit i takon presidenti i tanishëm të Serbisë, Aleksandar Vučić.

NJË PREJ BURIMEVE TË KEQINFORMIMIT NË RAPORT ME KOSOVËN, SNS DHE VUČIĆ, PAGUAJNË NJERËZ PËR TË KOMENTUAR E SHPËRNDARË PËRMBAJTJE TË NDRYSHME QOFTË MBËSHTETËSE PËR SNS E VUČIĆ, QOFTË EDHE PËR T’I SHTYPUR ME FUSHATA TË TARGETUARA KRITIKËT E KUNDËRSHTARËT POLITIKË.

“Ka ushtri të tërë me bots, si ky që pretendon se është nacionalist shqiptar. E përdorin gjuhën e urrejtjes kundër serbëve, i rishpërndajnë thirrjet për tubime nacionaliste në Tiranë. I shkreti Malcolm, i bëri lëmsh profilet dhe e rishpërndau postimin e SNS-së”, kishte shkruar Maliqi në postimin e bërë më 2 korrik të këtij viti. Sipas tij, përmbajtjet që i shpërndajnë bots në X dallojnë në momente të ndryshme, porse shpesh ato burojnë prej profileve prapa të cilëve qëndrojnë individë të vërtetë dhe jo vetëm llogari të automatizuara.“Për shembull përhapin përçarjet fetare, fryjnë nacionalizëm e urrejtje etnike. Bots nuk janë vetëm krijues të përmbajtjes së tillë – ajo mund të burojnë edhe nga persona dhe profile autentike. Por bots i zmadhojnë dhe i rishperndajnë keto permbajtje sipas nevojës”, thotë Maliqi. Në bazë të vrojtimeve, ai thotë se i ka parë 500 profile të tilla përgjatë periudhës 2020-2023.Një prej burimeve të keqinformimit në raport me Kosovën, SNS dhe Vučić, paguajnë njerëz për të komentuar e shpërndarë përmbajtje të ndryshme qoftë mbështetëse për SNS e Vučić, qoftë edhe për t’i shtypur me fushata të targetuara kritikët e kundërshtarët politikë.

Gjatë vitit 2020 Twitter mbylli 8,500 profile që i shërbenin SNS. Stefan Janjić, kryeredaktor i Fake News Tragac dhe asistent profesor në Universitetin e Novi Sadit, në artikullin e tij të publikuar së fundi në K2.0 tregon se si botët e SNS i ngjajnë një ushtrie online prej mbi 8,000 personash të vërtetë që merr urdhëra nga partia SNS.

SI KRYPOMETRI ASHTU EDHE HIBRID.INFO MERREN ME PËRMBAJTJEN KEQINFORMUESE TË PUBLIKUAR NË KËTË MEDIE SOCIALE, POR THONË SE ËSHTË E VËSHTIRË TË PËRCILLET MEQË KA VËLLIM TË MADH.

Ndërkohë, verifikuesit e fakteve në Kosovë janë të shqetësuar për përmbajtjet që publikohen në TikTok dhe flasin edhe për mungesë filtrash për atë që mund t’i dalë përpara audiencës së saj. Tiktok, media sociale e kompanisë kineze Bytedance, e dizajnuar për shpërndarjen e videove të shkurtëra besohet se ka qindra-mijëra përdorues në Kosovë. Platforma nuk e ka të listuar Kosovën si shtet, andaj prej kësaj platformës s’ka se si të nxirret numri i saktë i përdoruesve.Si Krypometri ashtu edhe Hibrid.info merren me përmbajtjen keqinformuese të publikuar në këtë medie sociale, por thonë se është e vështirë të përcillet meqë ka vëllim të madh.Gashi thotë se Tiktok është duke u përdorur për dezinformata, por edhe për gjuhë të urrejtjes.

Në një postim, që deri tash ka mbi 800 shpërndarje, shfaqet një pronar i një rançi kuajsh në Grabovc të Obiliqit. Rançi i tij ishte vendi ku po kryheshin xhirimet e filmit “Dasma në Male” dhe aktorët dhe pronari i rançit kishin veshur uniforma të UÇK. Videoja që e postoi ky i fundit shërbeu për dezinformim. Profili “Patriotizamsrb” në TikTok që publikon materiale në serbisht, me mbi 4,000 ndjekës, në qershor 2023 ripublikoi videon bashkë me emrin e tij dhe pretendoi rrejshëm se personi është këngëtar, ndërsa në kohë të lirë është terrorist. Videoja ka mbi 7,000 pëlqime, gati 1,000 komente, është shpërndarë 830 herë teksa 1,300 profile e kanë ruajtuar për ta shikuar më vonë.

Osmani thotë se rreziku social është më i madh, veçanërisht duke marrë parasysh moshën e përdoruesve. “TikToku ka hyrë fuqishëm, sidomos te audience e re”, thotë ai.

Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta për përdorimin e Tiktok në Kosovë, vlerësohet se ka shumëfish më shumë përdorues se sa Twitter për shkak të pëlqyeshmërisë së të rinjve për formatin e videove të shkurtra. Kjo sugjeron që dominanca e Facebokut thyhet te audiencat më të reja. Sipas të dhënave të gjeneruara nga kompania ThatAd nga 7 shtatori grupmosha 18 deri 24 vjeç ka më shumë përdorues të Instagramit (193,200) sesa Facebookut (187,500).

Si Facebook, ashtu edhe Youtube, TikTok, X e Telegram, janë akuzuar vazhdimisht se po korrin fitime në dëm të përdoruesve, qoftë duke mos i luftuar përmbajtet keqinformuese apo për dhënie të dritës së gjelbër për përmbajtjet që nxisin urrejtje e dhunë.

 

Feature image: K2.0.

Ky artikull u zhvillua në partneritet me nismën rajonale Western Balkans Anti-Disinformation Hub, që zbatohet nga Fondacioni “Metamorphosis”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e partnerëve dhe mbështetësve të projektit.