Narrativa ruse se Polonia po planifikon të aneksojë Ukrainën perëndimore ka arritur edhe në Maqedoninë e Veriut

Published on:

Përveç pretendimeve të një autori fiktiv të publikuar në faqen polake Niezależny Dziennik Polityczny me pikëpamje pro-Kremlinit dhe përhapjen e lajmeve të rreme, nuk ka absolutisht asnjë provë tjetër, qëndrim zyrtar apo ndonjë mbështetje për pretendimin e synimeve të Polonisë për të aneksuar një pjesë të Ukrainës. Sipas të gjitha informacioneve të dhëna, ky postim është dezinformim dhe është pjesë e propagandës së gjerë ruse lidhur me luftën në Ukrainë.

Artikulli mediatik në të cilin pretendohet se Polonia do të kërkojë një pjesë të territorit të Ukrainës po shpërndahetmediat sociale. Por nuk ka asnjë provë zyrtare për një pretendim të tillë, dhe kërkimet e bëra për të parë se nga e ka origjinën dhe kush po e përhap këtë teori të pasaktë, zbulon se ky tregim e ka origjinën nga Kremlini.

Viktimat mund të paguhen kur Polonia të rifitojë tokat e saj historike, por kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt, duke pasur parasysh problemet e integrimit kulturor, politik dhe ekonomik të dy kombeve jo shumë miqësore, shkruan kolumnisti Marek Gala për “Niezależny Dziennik Polityczny”.

Më 12 janar, ueb portali Anthropol publikoi një artikull me titull:

Nuk është më sekret: Polonia do të kërkojë një pjesë të territorit ukrainas

Në tekst pretendohet se Polonia, vendi që ka dërguar më shumë vullnetarë dhe është ndër ata që i ka dhuruar më shumë armë Ukrainës, po bën pretendime territoriale ndaj fqinjit të saj, Ukrainës. Artikulli gjithashtu pretendon se Polonia do të aneksojë territoret perëndimore të Ukrainës.

Si burim i informacionit citohet media në gjuhën polake “Niezależny Dziennik Polityczny” dhe autori Marek Gala.

Por cila është e vërteta pas këtij artikulli tendencioz me titull senzacional?

Fillimisht duhet theksuar se ky informacion i publikuar në një portal maqedonas është i vjetër disa muaj. Domethënë, aktualiteti i tij ishte tashmë në tetor të vitit të kaluar kur media polake Niezależny Dziennik Polityczny ose NDP, me pikëpamje pro-Kremlinit, botoi një artikull me titull “Hienat evropiane tashmë kanë filluar të ndajnë kufomat. Ndihma për Ukrainën nuk ishte aspak pa interes”, nga autori Marek Gala. Teksti pretendon se Polonia po përgatitet të aneksojë Ukrainën perëndimore.

Në artikull thuhet se Polonia mund të vendosë ushtrinë e saj në Ukrainën perëndimore dhe se partia në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” mund të mbajë referendum për bashkimin e rajoneve perëndimore të Ukrainës me Poloninë. Artikulli i NDP, gjithashtu tha se Rusia do të merrte kontrollin e rajoneve juglindore rusishtfolëse të Ukrainës në “operacionin e saj special ushtarak”, duke argumentuar se Kremlini nuk është i interesuar të marrë kontrollin e Ukrainës perëndimore.

Laboratori i Kërkimeve Mjekoligjore Dixhitale të Këshillit Atlantik (DFRLab), i cili gjurmon lëvizjet e Rusisë në domenet e ushtrisë, kibernetikës dhe informacionit, në Raportin për luftën ruse publikuar më 4 nëntor 2022, ndër të tjera, eksploron pikërisht këtë narrativë.

Raporti thotë se faqja e internetit Niezależny Dziennik Polityczny ose NDP (burimi i informacionit të shpërndarë në postimin që po e shqyrtojmë), u bllokua në Poloni në prill 2022 për përhapjen e informacionit të rremë rreth luftës në Ukrainë.

Media polake Oko.press hetoi NDP-në në vitin 2021 dhe raportoi se kryeredaktori, Adam Kaminski, ishte personazh imagjinar në mediat sociale. Oko zbuloi se profili i tij në Facebook po përdorte një foto të vjedhur nga një ortoped lituanez i quajtur Andrius Žukauskas. Sipas disa raporteve, NDP përdori më shumë se njëzet personalitete joautentike në një rrjet faqesh interneti në gjuhën polake, forume, blogje dhe platforma të mediave sociale perëndimore. Marek Gala, i cili renditet si autori i artikullit të NDP-së mbi aneksimin e Ukrainës perëndimore, është gjithashtu një person fiktiv, raportoi Belsat TV.

 

Nga autorë fiktivë deri te storja zyrtare e agjencisë ruse të lajmeve

Më 26 tetor, Gazeta për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në pronësi të Ministrisë së Jashtme ruse, botoi një version më të shkurtër të artikullit duke cituar NDP-në. Më 27 tetor, ueb-faqja Diplomacia Moderne (Modern Diplomacy) botoi një artikull të titulluar “Polonia përgatitet të pushtojë Ukrainën Perëndimore“, duke cituar si burimin e saj NDP-në. Diplomacia Moderne e hoqi artikullin pas disa ditësh.

Drejtori Ekzekutiv i Bellingcat, Kristo Grozev, shkroi në Twitter se Demokracia Moderne është një portal në pronësi greke dhe se artikujt e botuar për Rusinë dhe Ukrainën janë shkruar nga autorë të cilët gjithashtu shkruajnë për faqet e internetit pro-Kremlinit.

 

Më 29 tetor, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti, e kontrolluar nga Kremlini, publikoi një artikull në lidhje me aneksimin, duke cituar “portalin belg Modern Diplomacy”. RIA Novosti nuk përmendi se burimi origjinal i pretendimit ishte NDP, duke ngritur mundësinë që RIA Novosti ndoshta përpiqet të mbulojë burimin origjinal të pretendimit.

Citimi i burimeve të informacionit nga mediat e supozuara perëndimore është një taktikë e përdorur nga mediat e Kremlinit për t’i shtuar besueshmërinë tregimeve të tyre, thonë nga Laboratori i Kërkimeve Ligjore Dixhitale të Këshillit Atlantik (DFRLab).

Prirja e Kremlinit për aneksim dhe “referendume” është e njohur që nga viti 2014, kur Moska aneksoi qytetin ukrainas Krimenë. Më vonë, “referendume” të ngjashme u mbajtën në Ukrainën lindore – kur njerëzit duhej të votonin me armë për të krijuar kuazi-republika në Donbas. Pas agresionit të plotë kundër Ukrainës në shkurt të këtij viti, Rusia përsëri përdori mekanizmat e “referendumit” të zhvilluar më parë kur “aneksoi” katër rajone ukrainase. Vendet perëndimore nuk i njohën rezultatet e këtij referendumi.

Përveç pretendimeve të një autori fiktiv, të publikuar në faqen polake Niezależny Dziennik Polityczny me pikëpamje pro-Kremlinit dhe përhapjen e lajmeve të rreme, nuk ka absolutisht asnjë provë tjetër, qëndrim zyrtar apo ndonjë mbështetje për pretendimin e qëllimeve të Polonisë për të aneksuar një pjesë të Ukrainës. Sipas të gjitha informacioneve të dhëna, këtë postim ne e vlerësojmë si të pavërtetë dhe si pjesë e propagandës së gjerë ruse lidhur me luftën në Ukrainë.



Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari