Nenet 106 dhe 107 të Kartës së OKB-së nuk e lejojnë Rusinë të sulmojë Ukrainën

Published on:

Teksti i Kartës së OKB-së përmban parime krejtësisht të kundërta me atë që pretendohet në postimin në Facebook. Nuk është e vërtetë se Rusia mund të pushtojë Ukrainën dhe se asaj i duhet vetëm të informojë fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore për një hap të tillë. Kjo dezinformatë nuk buron nga Maqedonia e Veriut, por më parë është shpërndarë dhe përhapur në vende të tjera. Pra, verifikuesit e fakteve nga Gjermania (Korektiv.org) e kanë përpunuar tashmë në detaje më 31 tetor 2022

Rishikojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook ku thuhet se “Nenet 106 dhe 107 të Kartës së OKB-së lejojnë Rusinë si pasardhëse ligjore dhe fituese e Luftës së Dytë Botërore të marrë të gjitha masat, përfshirë veprimet ushtarake, kundër Gjermanisë, Hungarisë, Austrisë, Rumanisë, Bullgarisë, Finlandës, Kroacisë, Sllovenis, Republikës Çeke, Letonisë, Estonisë, Lituanisë dhe Ukrainës”.

Në postim thuhet:

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u befasua që Putini e dinte se ekzistonte ky artikull në librin e OKB-së që e lejonte atë të drejtonte këtë operacion special rus në Ukrainë. Gjenocidi më i madh u krye kundër popullit sovjetik. Karta e OKB-së, neni 106 dhe 107, u lejon atyre që u mundën në Luftën e Dytë Botërore, përkatësisht BRSS-së, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Kinës, të drejtën për të ndërmarrë çdo veprim kundër vendeve që luftojnë kundër tyre, për të shmangur veprimet që përsërisin rezultatet e tjetrit. Konkretisht, ndaj këtyre shteteve lejohet përdorimi i forcës ushtarake. Mjafton që ata të informojnë tre vendet e tjera, por nuk keni nevojë të merrni miratimin e tyre. Rusia është një pasardhëse e BRSS-së dhe si pasojë – RUSIA KA TË DREJTËN TË DËNOJË NAZISTËT NË TË GJITHA PJESËT E BOTËS (siç shkruhet në librin e OKB-së).

A lejojnë nenet 106 dhe 107 të Kartës së OKB-së, Rusia të nisë një luftë agresioni kundër Ukrainës? Përgjigja e shkurtër është jo, domethënë një pretendim i tillë është i rremë. Teksti i Kartës së OKB-së përmban parime krejtësisht të kundërta me atë që pretendohet në botimin që është objekt i këtij shqyrtimi. Nuk është e vërtetë se Rusia mund të pushtojë Ukrainën dhe se asaj i duhet vetëm të informojë fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore për një hap të tillë.

Kjo dezinformatë nuk buron nga Maqedonia e Veriut, por më parë është shpërndarë dhe përhapur në vende të tjera. Pra, verifikuesit e fakteve nga Gjermania (Korektiv.org) e kanë përpunuar tashmë më 31 tetor 2022.

Karta e Kombeve të Bashkuara u nënshkrua në vitin 1945 në San Francisko nga 50 shtete. Në këtë marrëveshje themeluese, neni 39 thotë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së përcakton “nëse ka një kërcënim ose shkelje të paqes ose një akt agresioni; bën rekomandime ose vendos se çfarë masash duhet të merren në bazë të neneve 41 dhe 42, për të ruajtur ose rivendosur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Këshilli i Sigurimit ka pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje: Franca, Rusia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Janë edhe dhjetë anëtarë jo të përhershëm. Rrjedhimisht, Rusia nuk mund të vendosë vetë, shkruan Korektiv.org.

Për më tepër, Ukraina nuk ishte një shtet armik, por përkundrazi, një nga shtetet themeluese të OKB-së dhe pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, organi juridik më i rëndësishëm i Kombeve të Bashkuara, tashmë në mars 2022 kërkoi që Rusia të ndalonte menjëherë ndërhyrjen e saj të paligjshme në Ukrainë.

Raportet për thyerje të të drejtave të njeriut nga forcat e armatosura ruse gjatë luftës kundër Ukrainës kanë çuar gjithashtu në pasoja në OKB: Asambleja e Përgjithshme votoi prillin e kaluar për të përjashtuar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Me 93 vota pro, 24 kundër dhe 58 abstenime, asambleja pezulloi Rusinë për “shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut” dhe “shkelje të së drejtës ndërkombëtare të kryera kundër Ukrainës”.

Neni 107 i referohet masave të marra si rezultat i Luftës së Dytë Botërore kundër ‘shteteve armike’. Komiteti i OKB-së tashmë në vitin 1995, propozoi fshirjen e klauzolave ​​të “vendeve armike”, duke përfshirë nenin 107 të Kartës. Komiteti raportoi se ky artikull ishte i panevojshëm sepse shtetet armike nuk ekzistonin më dhe çdo vend që konsiderohej armik gjatë Luftës së Dytë Botërore tani ishte anëtar i OKB-së.

Prandaj, klauzola e vendeve armike nuk ka më asnjë rëndësi praktike sot, sipas një dokumenti të Bundestagut.

Patrick Rosenau i Shoqatës Gjermane të Kombeve të Bashkuara gjithashtu konfirmoi për kontrolluesit e fakteve të Korrektive se neni 107 nuk është më i rëndësishëm.

Çfarë përmban neni 106 i Kartës së OKB-së?

Ndërsa nenet 106 dhe 107 të Kartës së OKB-së datojnë që në ditët e themelimit të Kombeve të Bashkuara, neni 106 thotë se “Palët në këtë Deklaratë” duhet të jenë në kontakt me njëra-tjetrën nëse duhen marrë masa specifike për ruajtjen e paqes. Kjo masë duhet të zbatohet deri në momentin kur Këshilli i Sigurimit të fillojë të punojë. Kjo nuk do të thotë se sot, në rast sulmi ndaj një shteti tjetër, Rusia “vetëm duhet të informojë tre vendet fitimtare”, siç thuhet në postim që është objekt i këtij shqyrtimi.

Këshilli i Sigurimit ka kohë që i kryen detyrat e tij.

Patrick Rosenau i Shoqatës Gjermane për Kombet e Bashkuara (një shoqatë që merret me politikat e OKB-së) për mediumin Corrective thotë se pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit kanë një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, neni 106 përfaqëson vetëm një marrëveshje kalimtare, e cila nuk është më e rëndësishme, pasi Këshilli i Sigurimit vendos për masat për ruajtjen e paqes, thotë Rosenow për Corrective.

Kontrolluesit e fakteve të Veridika arritën në gjetje të ngjashme.

Për shkak të të gjitha fakteve të mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që nenet 106 dhe 107 të Kartës së OKB-së lejojnë Rusinë të pushtojë Ukrainën.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari