Propaganda fetare që kërcënon Kosovën

Published on:

Përmbajtje të rrezikshme të cilat promovojnë islamin politik, ekstremizmin fetar, përfshirë ‘luftën e shenjtë’ (xhihadin) për krijimin e shtetit islamik dhe mosbindjen ndaj kushtetutës së vendit, vazhdojnë të jenë prezente në qindra faqe të internetit në gjuhën shqipe, raporton KALLXO.com, në hulumtimin e tyre të kryer për Qendrën Kundër Dizinformimit të Ballkanit Perëndimor, udhëhequr nga Fondacioni Metamorfozis, ka gjetur se gjatë vitit 2022 qindra materiale që promovojmë islamin politik, që janë prodhuar apo përkthyer në gjuhën shqipe, janë publikuar në internet dhe shpërndarë në rrjetet sociale

Edhe pse institucionet e sigurisë thonë se kanë mbyllur qindra faqe të tilla, shumë prej postimeve vazhdojnë të jenë ende të qasshme për publikun.

Ndërkohë që institucionet e sigurisë vazhdojnë të merren me këto përmbajtje, Qeveria ende nuk ka arritur të miratojë një plan strategjik për t’iu kundërvënë kësaj narrative me kundërnarrativë dhe qasje delegjitimuese.

Një deklarim i një politikani se nuk e njeh Kushtetutën e Kosovës dhe që kërkon përfshirjen e fesë dhe legalizimin e shamisë në shkolla u shprënda në 174 faqe të rrjeteve sociale.

Hulumtimi i publikimeve të bëra gjatë vitit 2022 tregon se dominojnë publikimet që mbështesin narrativin që promovon viktimizimin e muslimanëve në Kosovë dhe botë.

Të dhënat tregojnë që nisma për lejimin e shamisë në shkolla mori hiç më pak se 37 mijë shpërndarje në rrjetin social Facebook.

KALLXO.com ka gjetur se 2,500 artikuj u publikuan në rrjetin social Facebook bazuar në deklaratat e bëra nga një përfaqësues që promovon rrymat e ‘Shea’ për marrëdhëniet familjare. Kjo përfaqësuese, Igballe Huduti që është cituar në 2,500 artikuj kishte publikuar fotografi në Iran përkrah ish-liderit Ahmedin Nexhat.

Foto e Igballe Hudutit në Iran përkrah ish-liderit Ahmedin Nexhat

Termi “Islam politik”, në fjalorin e Oxfordit, i referohet në përgjithësi çdo interpretimi të Islamit që shërben si bazë për identitetin dhe veprimin politik. Më konkretisht, i referohet lëvizjeve që përfaqësojnë mobilizimin politik modern në emër të Islamit, një prirje që u rishfaq në fund të shekullit të 20-të. Çdo lëvizje që synon që të marrë qeverisjen dhe të ndërtoj ligjet shtetërore duke u thirrur në rregullat e fesë, quhen islam politik.

Në fund të shekullit 20 dhe nisjes së shekullit 21 dhjetëra kosovar u shkolluan në shkollat fetare të lindjes së mesme. Disa nga këto shkolla promovonin islamin politik si zgjidhjen e vetme të problemeve botërore.

KALLXO.com ka gjetur se disa nga të shkolluarit në Lindjen e Mesme janë dënuar nga Gjykatat e Kosovës për financim dhe shtyrje në terrorizëm.

Një analizë e kryer nga Njësia e Antiterorrorit në Policinë e Kosovës tregon se promovimi i ekstremizmit dhe terrorizmit nisi në fund të shekullit 20-të dhe nisjen e shekullit 21, fillimisht me përkthimin e literaturës dhe ligjëratave të cilat promovonin frymët e tjera të islamit e më pas edhe promovimin e këtyre frymëve duke përdorur ligjëratat e drejtpërdrejta të imamëve.

“Me përhapjen e përdorimit të internetit, propaganda është fokusuar në një numër të limituar të ueb-faqeve, e posaçërisht në forumeve të mbyllura. Megjithatë me zhvillimin e teknologjisë dhe zhvillimin e platformave të rrjeteve sociale dhe aplikacioneve tjera të komunikimit, propaganda në drejtim të përhapjes së ideologjive ekstremiste është fokusuar në këto aplikacione, duke zgjedhur vazhdimisht aplikacionet më të reja”- thuhet në përgjigjen e Policisë, bazuar në analizën e bërë nga Njësia e Antiterrorit.

Të dhënat tregojnë se më shumë se 400 kosovarë i ishin bashkuar organizatës terroriste ISIS dhe organizatave të tjera që luftonin në Siri. Njëra nga strategjitë e rekrutimit, sipas aktakuzave të ngritura nga Prokuroria në Kosovë, ishte edhe propaganda.

Thelbi i narrativit që është përdorur ishte viktimizimi i myslimanëve dhe thirrja që nëpërmjet dhunës dhe xhihadit të ndalohet viktimizimi, pastaj vijnë mohimi i vlerave evropiane, thirrjet kundër rendit kushtetues, promovimi i dhunës si forma e vetme e zgjidhjes së problemeve, tentativa për të imponuar normat shoqërore, dëmtimi i imazhit të prijësve fetar, mosbindja ndaj qeverisë dhe sistemit të drejtësisë, tentativa për të ndryshuar rendin ekonomik e po ashtu tentativa për të promovuar rryma të reja të islamit, janë disa nga narrativet që janë shpërfaqur fuqishëm në publik gjatë këtij viti.

Foto ilustrim, Hani i Elezit

Përkundër arrestimeve që janë bërë nga Policia e Kosovës, KALLXO.com ka gjetur se vazhdon të bëhet promovimi i xhihadit, kryesisht në faqe të internetit që bazën e kanë në vendlindjet e personave që iu ishin bashkuar luftës në Siri.

“Nëna palestineze duke mbajtur djalin e saj, i cili ra shehid (insha’Allah) dje”- ky është mesazhi i publikuar në faqen në Facebook “Hani i Elezit si Paris”.

Mesazhi i publikuar në këtë faqe në Facebook është pjesë e propagandës që promovon xhihadin dhe vdekjen për sakrificë politike dhe shoqërohet me një fotografi të një nëne duke bartur një arkivol gjatë një varrimi në Palestinë, por thuhet se gjoja është e gëzuar.

“Fytyra e saj është e buzëqeshur sepse ajo beson dhe shpreson se djali i saj i dashur nuk ka vdekur, por është gjallë duke u ushqyer tek Zoti i tij. Djali i saj, i cili u vra dje, në një mesazh zanor dërguar pak çaste para vdekjes, thoshte: “Shokë, pas pak do të bie shehid (Insha’Allah). E dua shumë nënën time”- thuhet tutje në këtë postim të bërë në këtë faqe në Facebook “Hani i Elezit si Paris”.

Hani i Elezit është komunë në Republikën e Kosovës me rreth 10 mijë banorë. Nga kjo komunë mbi 20 qytetarë shkuan në luftën në Siri dhe Irak. Hani i Elezit kufizohet me komunën e Kaçanikut, atje ku lindi një pjesë e propagandës që më vonë do të ndikonte në rekrutimin e personave në ISIS.

Akuzat e Prokurorisë

Grupi më i madh terrorist i shekullit 21, ISIS kishte arritur të ndërtonte një redaksi dhe të kishte edhe redaktorë në gjuhën shqipe duke u kujdesur që përpos propagandës të dërgonte edhe kërcënime mjaft serioze për qytetarët dhe shtetet e Ballkanit.

Pa dyshim njëri nga njerëzit që akuzohet për problemet më të mëdha dhe kontribut në luftën hibride është Ardit Ferizi nga Gjakova. Ai ishte  dënuar me 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vepra terroriste. Ferizi, 25 vjeçar është një shtetas i Kosovës, i cili u deportua nga Malajzia në SHBA në vitin 2016 për t’u përballur me akuzat për terrorizëm. Ai u shpall fajtor për qasje të paautorizuar në informacionet kompjuterike, të dhëna që ua kishte dërguar një grupi terrorist. Këto të dhëna, kryesisht të ushtarëve dhe punonjësve qeveritarë amerikan, ua ka kaluar pjesëtarëve të të ashtuquajturit, Shteti Islamik (IS).

Ferizi u lirua në dhjetor të vitit 2020 dhe u urdhërua deportimi i tij për në Kosovë pasi përfitoi nga lirimi i parakohshëm për shkak të pandemisë COVID-19.

Pa kaluar shumë kohë nga ky rast, IS-i i kishte publikuar të dhënat në rrjetin Twitter dhe kishte tërhequr vërejtjen se do të “sulmonte në qafën tuaj, në tokën tuaj”.

Ishte qershori i vitit 2015 kur ISIS për herë të parë i drejtohet me kërcënim shqiptarëve që jetojnë në Ballkan. Në një video propagandistike në internet të publikuar së fundi me logon e “Alhayat Media Center”, e cila njihej si media e ISIS, kërcënohen shtetet ballkanike.

Video skrinshot

Video është e gjatë rreth 20 minuta dhe në të flasin edhe dy persona në gjuhën shqipe, të cilët i cilësojnë shqiptarët kryesisht si ateistë dhe i kërcënojnë.

Dy personat që flasin shqip në video prezantohen si Al-Albani dhe Al-Kosova, përkatësisht njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova. Duke iu drejtuar shtetasve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, por edhe shteteve të tjera ballkanike, ata shprehen:

“Do të vijnë ditë të zeza për ju. Ne nuk i harrojmë ato që ju u keni bërë myslimanëve; do të keni frikë të ecni në rrugë; do të keni frikë të punoni nëpër zyrat e tuaja; do tmerroheni edhe në shtëpitë tuaja. Ne do të veprojmë me ju, ashtu siç kemi bërë në Irak me ushtrinë e tyre. Ne do t’iu vijmë me njerëz që e duan vdekjen më shumë se jetën. Ne do të luftojmë derisa ta ngremë fjalën e Allahut në atë vend dhe kjo gjë do të ndodh së shpejti”.\

Po ashtu, në tetor të vitit 2015, arriti një mesazh kërcënues në redaksitë e mediave ballkanike përmes të cilit kërcënohen kryeministrat e Ballkanit, duke përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë. Ata kërcënonin me nisjen e sulmeve në vendet e Ballkanit dhe të parët që u paralajmëruan ishin kryeministrat e këtyre vendeve me mesazhin si në vijim:

“Shteti Islamik po vjen në Ballkan, po ju paralajmërojmë se nuk kemi harruar se çfarë krerët dhe ndihmësit e tyre i bën vëllezërve dhe motrave tona në Ballkan. Pa diskutim që kemi mbështetës dhe motra vëllezër kudo në Shkup, në Tiranë, të cilët janë të etur për gjak. Do ishte mirë që këta kryeministra të ruajnë veten. Kalifati po vjen në Ballkan dhe aty kemi plot vëllezër të etur për gjak. I themi gjithashtu Putinit që të na sjellë ushtarë dhe do ia kthejmë mbrapsht kokat e tyre” – thuhej në mesazhin e dërguar nga një person i quajtur Abu Turab.

ISIS kishte edhe redaksinë e tyre në gjuhën shqipe ku përmes ueb-faqe “hilafeti.wordpress”, publikonin materialet dhe njoftimet e tyre, ndërsa përmes kësaj faqeje edhe përshëndetnin sulmet terroriste duke glorifikuar sulmet terroriste në vendet perëndimore.

Krahas redaksisë që prodhonte materiale të tilla, IS kishte edhe rekrutues fizik.

Një dosje e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e bën përgjegjës ish-imami i xhamisë El-Kudus në Gjilan, Zekerja Qazimi, për rekrutim të terroristëve. Qazimi ishte shkolluar në Kajro të Egjiptit.

“Mjafton të shikohen emrat e atyre që kanë shkuar në Siri për të konkluduar se Zekerja Qazimi kishte sukses”, kishte thënë prokurori special Elez Blakaj në fjalën e tij përfundimtare në gjyqin e Qazimit.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, që nga fillimi i luftës në Siri në vitin 2011, Qazimi ka filluar të mbaj ligjërata fetare në organizatën “Rinia Islamike”, në Kaçanik. Rëndësia e xhihadit ishte kryefjala e këtyre ligjëratave, duke e krahasuar një orë luftimi me 30 orë ibadet (Lutje).

Shumica e pjesëtarëve të kësaj organizate në Kaçanik, përfshirë edhe Lavdrim Muhaxherin, kanë përfunduar në zonën e luftës ku iu ishin bashkangjitur Al Nusras dhe ISIS-it.

Lavdrim Muhaxheri

Sipas prokurorisë, ligjërata nga Qazimi u mbajtën edhe në Gjilan e Han të Elezit, dhe në to u fol për ‘tokën e shenjtë të Shamit’ si dhe rëndësinë e bashkëngjitjes në ISIS dhe Jabbat AL-Nusra.

Aktakuza e ngarkonte Qazimin se u ka dhënë instruksione, udhëzime dhe të holla atyre që kanë shkuar për të luftuar në Siri.

Në muajin qershor 2014, sipas prokurorisë, Qazimi ka marrë vendim që udhëheqësi i shqiptarëve në Siri të jetë Ridvan Aqifi në vend të Lavdrim Muhaxherit.

Qazimi përpos rekrutimit në terrorizëm akuzohet edhe për veprën penale të nxitjes së urrejtjes. Prokuroria atë e ngarkon se si imam i xhamisë EL-Kudus në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje fetare në atë mënyrë që me anë të një incizimi të postuar në YouTube në vitin 2013, ka thënë “Gjaku i kufarëve është pija më e mirë për ne”.

Qazimi u dënua me 10 vite burg, ndërsa së bashku me të u dënuan edhe 6 persona të tjerë për akuza që lidhen me terrorizmin.

Redaksia e ISIS në vazhdimësi synoi të tregoj prezencën e organizatës edhe në Kosovë. Një grup i kësaj organizate u arrestuan gjatë një tentative për të prodhuar një material ku ata shfaqeshin të armatosur duke lexuar betimin e ISIS.

Rasti i njohur si – Badovci, evidenton se si 5 persona kishin për synim xhirimin e një videoje propagandistike për të dëshmuar shtrirjen e ISIS-it në Kosovë në afërsi të Liqenit të Badovcit, prej nga furnizohet gjysma e Prishtinës me ujë.

Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te Liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Në korrik të vitit 2017 Gjykata Themelore e Prishtinës në rigjykim i gjeti fajtor dhe i dënoi me burgim të akuzuarit e këtij rasti rastit. Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, kurse Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi u dënuan me  nga 3 vjet e 6 muaj heqje lirie. Fehmi Musa u dënua 3 vjet burgim, por pastaj u lirua përfundimisht nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Një rast tjetër i kësaj natyre, rezultoi një hetim i Prokurorisë Speciale të Kosovës që në korrik të vitit 2016 kulmoi me arrestimin e dy personave që dyshohet se merreshin me përhapje të propagandës terroriste në Kosovë.

I arrestuari N. K., ishte pejani që dyshohet se si themelues i “Radio Ansar”, transmetonte për vite me radhë ligjerata fetare të imamëve të dënuar për nxitje të terrorizimit. Zëri i Zeqrija Qazimit dhe imamit tjetër, Rexhep Mimishit nga Maqedonia, ishte skemë programore e secilës ditë në Radio Ansar.

Për veprimtari të ngjashme, por për një rast tjetër në këtë kohë ishte arrestuar Rakip Avdyli, ai u dënua me 17 muaj burgim pasi shpërndau në youtube një material ku bënte thirrje për xhihad. Prokurorja Merita Bina- Rugova gjatë leximit të aktakuzës tregoi se çfarë ka thënë Avdyli në një incizim me titullin “Në Tokën e Shqiponjave do të Vijë Hilafeti”. Në këtë incizim, sipas prokurores Avdyli bën thirrje për sulme vetjake e në grupe, duke kërkuar të kapen armët për të sulmuar qeverinë dhe ambasadat.

Një grup i imamëve të tjerë në Kosovë ishin arrestuar në mes viteve 2014-2018. Ata u lanë të pafajshëm për shkak se prokuroria nuk gjeti prova fajsuese se mesazhet e tyre ishin thirrje për luftë.

Njëri nga imamët më të ndjekur në rrjetet sociale është Shefqet Krasniqi, i cili ka afër 400 mijë ndjekës në Facebook. Krasniqi ishte arrestuar në 2014, por u la i lirë pas një konstatimi të gjykatës se ligjëratat e tij nuk përbënin vepër penale. Bashkësia Islame në përgjigjen e saj për gjykatë kishte thënë se ligjërimi i Krasniqit nuk ishte në frymën e BIK-ut.

Mos-pranimi i Kushtetutës së Kosovës

Prokuroria pretendonte që ligjëratat e Shefqet Krasniqit, në të cilën pretendohet se kishte thënë se sekti “Rafedi”, me prejardhje nga Irani ka shkaktuar shumë të këqija dhe tregon se fryma e saj ka arritur edhe në Kosovë, fillimisht në Prizren e më pas edhe në Prishtinë përmbanin gjuhë të urrejtjes.

Ndërsa, sipas dosjes së Prokurorisë në videoincizimin e dytë, të titulluar “Ligji për Sirinë dhe thirrja për të mos shkuar”, Krasniqi dëgjohej duke kritikuar deputetët kosovarë të cilët kanë miratuar Ligjin për ndalimin e qytetarëve për pjesëmarrje në lufta të huaja.

Në gjykim, Krasniqi tha se është e drejtë e tij që ta kundërshtoi Ligjin që parandalonte shkuarjen në luftëra të huaja, pasi sipas tij, një gjë të tillë e kanë bërë edhe rreth 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Shefqet Krasniqi
Shefqet Krasniqi

Në pyetjet e Prokurorisë se a ishin ligjëratat e Krasniqit në përputhje me frymën e Bashkësisë Islame të Kosovës, këta të fundit ishin përgjigjur se dy ligjëratat për të cilat u pyet nuk janë në frymën e interpretimeve parimore islame dhe nuk përputhen me mësimet, udhëzimet dhe parimet e kësaj feje.

“Dy ligjëratat në fjalë nuk janë në frymën islame dhe konsiderojmë se nuk janë në gjuhën tradicionale. Gjuha e vrazhdë nuk përkon me kushtetutën dhe rregullat tjera të Bashkësisë Islame”, thuhej në njërën nga përgjigjet e BIK-ut.

Krasniqi më datë 23 mars 2018 u shpall i pafajshëm ndërsa ky vendim u vërtetua edhe nga Gjykata Apelit. Ai vazhdon të jetë njëri nga imamët më të ndjekur në internet dhe në media sociale.

Një grup tjetër i hoxhallarëve u akuzuan për vepra të terrorizmit. Ata u lanë të lirë me vendim të gjykatës. Imamët Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami (mbi 42 mijë ndjekës në facebook), si dhe Fuad Ramiqi, akuzoheshin për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri. “Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, Idriz Bilibani (6 mijë ndjekës në facebook) akuzohej se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami – OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, Enes Goga (27 mijë ndjekës në Facebook) akuzohej se në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” më datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohej se prej fillimit të muajit shtator 2014 në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Imamët e liruar vazhdojnë të kenë prezencë të madhe në rrjetet sociale.

Vite më vonë në 2022, ish-kryetar i LISBA-s,

Fuad Ramiqi
Fuad Ramiqi

i, në një debat televiziv ka thënë se nuk e pranon Kushtetutën e Kosovës, për shkak se nuk i përshtatet parimeve të tij.

“Unë nuk e pranoj këtë kushtetutë, sepse nuk korrespondon me mua”, ka thënë ai. Ky mesazh i tij u mor dhe u shpërnda në dhjetëra faqe të rrjeteve sociale.

Ramiqi filloi të rishfaqet në media pas një incidenti në të cilin një imam ishte sulmuar në komunën e Podujevës. Gjatë debatit ai përmendi akuzën se institucionet e sigurisë janë kundër islamit, ndërsa njëra nga akuzat më të rënda u drejtua ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës.

Intervista e tij e shprëndarë në 174 faqe në rrjetete sociale ndër të tjera ndërton një narrativë kundër imamëve të vendit.

“Në Kosovë te hoxhallarët ka më së paku Islam të gjithë janë servil, 99% janë servil të pushtetit dhe Bashkësinë Islame e shfrytëzojnë si oligark për të ruajt pozitat e veta”, ka deklaruar Ramiqi.

Shpallja e imamëve si ’qafir’, apo të korruptuar është njëra nga format e rënda të radikalizimit. Të dhënat nga Shërbimi Korrektues i Kosovës tregojnë që pjesa më e madhe e të burgosurve për terrorizëm refuzuan të takojnë imam të cilët janë në linjë me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Narrativet e përhapura në 2022 

Edhe gjatë vitit 2022 janë regjistruar disa probleme, të cilat e kanë burimin në ideologjitë ekstremiste.

Një imam u rrah në rajonin e Podujevës, ndërsa janë regjistruar edhe disa mesazhe të cilat tregojnë për propagandë kundër vlerave evropiane, kundër rendit kushtetues e vlerave të tjera shoqërore.

Në mes të vitit 2022 kishte një fushatë kundër këngëtares Dua Lipa, e cila prezanton vlerave evropiane.  Dua Lipa është njëra nga këngëtaret më të famshme shqiptare në botë.

Ajo është shndërruar në idolin e miliona njerëzve në botë dhe është shndërruar në përfaqësuesen e vajzave të suksesshme shqiptare që tregojnë frymën evropiane të vendit.

Foto: Faqja zyrtare e Vjosa Osmanit
Foto: Faqja zyrtare e Vjosa Osmanit

Në kulmin e mbështetjes ndaj saj, kur ajo po mbante një koncert në Prishtinë, mbi 100 postime në faqet e Facebook synonin ta dëmtonin imazhin duke përdorur një fotografi të nënës së heroit Adem Jashari e cila shpërfaqet në atë fotografi me një shami tradicionale.

“Paramendo sikur kjo grua të ishte e bija e Dukagjin Lipës, të ishte e lindur jashtë, të kishte lloj- lloj frajera molera , të na bënte “krenarë” me muzikën e saj…, a do të rrit burra siç ishin baca Hamëz e Adem”, shkruhej në postim.

Ky mesazh u shpërnda në mbi 100 postime, ndërsa synonte demonizimin e Lipës duke e quajtur të pamoralshme.

Burimet e postimeve janë të paidentifikuara, por në bazë të kontentit që kanë shpërndarë ato shihet se janë faqe në Facebook që synojnë promovimin e rrymave të islamit, të cilat nuk lejojnë muzikën dhe synojnë të promovojnë bartjen e shamisë.

Një narrativë kundër të drejtave të njeriut nga faqet e ngjashme ishte bërë me rastin e diskutimit të Kodit Civil, që mundësonte njohjen e bashkësisë civile në mes gjinive të njëjta.

Reagime kishte edhe kur Qeveria e Kosovës vendosi që të ngjyroste objektin e qeverisë së Kosovës me ngjyrat e flamurit që përdorëin komuniteti LGBTI. Njëri nga imamët e Vushtrrisë e quajti flamur të turpit, ndërsa në vend pati edhe reagime kundër paradës.

Qeveria e Kosovës tentoi që gjatë vitit 2022 të kalonte edhe në Kuvend Kodin e ri Civil, i cili parashihte regjistrimin e lidhjes në mes personave të gjinisë së njëjtë.

Udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë njoftuan se kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes.

“Të prekësh ripërkufizimin e martesës dhe të pjesëmarrësve në të, pra të burrit i lindur mashkull, dhe të gruas e lindur femër, mendojmë se po cenohet drejtpërdrejt fjala e vullneti i Zotit si dhe mbulesa e tij e shenjtë për të gjithë familjen njerëzore e cila ka nisur prej një burri e një gruaje me bekimin dhe urdhërimin e shumëzimit të përjetshëm”, thuhej në deklaratë.

Narrativa dhe reagimet në publik si dhe kundërshtimi nga disa deputetë bëri që nisma për miratim të Kodit Civil të dështoj dhe e njëjta është kthyer në qeveri për ridraftim.

Partia që qeveris me vendin, Lëvizja Vetëvendosje mori një qëndrim që disa prej deputetëve të saj të shkarkoheshin nga pozitat udhëheqëse në parti për shkak të qëndrimeve rreth këtij kodi. Deputeti Visar Korenica deklaroi se u shkarkua nga pozita në parti për shkak të këtyre qëndrimeve.

Njëra nga narrativet e përmendura në vazhdimësi është ajo që shteti i Kosovës është kundër muslimanëve dhe i përndjekë ata.

Në njërin nga debatet ishte përmendur që AKI e Policia janë kundër muslimanëve, ndërsa të dhënat nga gjykatat tregojnë që një pjesë e të dënuarve për terrorizëm nuk e njohën gjykatën dhe e akuzuan policinë për dhunë ndaj muslimanëve.

Gjatë vitit në vend pati disa nisma të cilat dëshmonin tentativa për shtrirjen e islamit politik në insitucionet arsimore. Duke interpretuar kushtetutën e Kosovës, Ministria e Arsimit ka nxjerrë një udhëzim administrativ me të cilin ndalon përdorimin e shamisë në shkolla. Një person me profil të bamirësit nga Mitrovica nisi një fushatë për ndryshimin e rregullores. Liridon Kurti personi që e nisi këtë nismë mori 37 mijë shprëndarje në rrjetet sociale, ndërsa nisma u përkrah edhe nga deputetë e politikanë. Pas presionit publik, kryeministri Albin Kurti dha një qëndrim të ri sa i përket shamisë. Ai tha se shamia do duhej të lejohet mbi moshën 16 vjeçare.

Vetëm pasi çështja e shamisë ishte kryetemë për disa ditë në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dha qëndrim të qartë që udhëzimi nuk do ndryshohet.

Të drejtat e grave 

Imamët me prirje të theksuar radikale promovojnë dominimin ekstrem të burrave mbi gratë. Gjuha e përdorur promovon lejen që burrat duhet t`u japin grave për lëvizje, punë vizita, etj., ndërsa edhe në çështjet e pronës ka narrativ që gruaja të mos e trashëgoj pronën e paluajtshme.

Në këtë temë, janë evidentuar narrativa të tilla që bien ndesh më të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, siç është e drejta e martesës. Sadullah Bajrami, një imam shqiptar nga Maqedonia, që predikon se vajza nuk guxon të martohet pa lejen e babait të saj. Ky mesazh ishte shpërndarë në të paktën 7 faqe në rrjetet sociale, të cilat kanë ndjekës edhe nga Kosova.

Narrativë e ngjashme u shpërfaq nga imami nga Mitrovica, Irfan Salihu. Ai në postime në rrjetet sociale citohet të ketë thënë që vajzat nuk mund të martohen pa lejen e babait.

Irfan Salihu

Përpos familjes narrativet janë përhapur edhe kundër festave kombëtare festave tradicionale dhe atyre pagane.

Pyetjet se a lejohet festimi i Vitit të Ri, a lejohet festimi i Halloween, a lejohet shënimi i festave të natyrës kombëtare përpos atyre etnike, zgjojnë debate të ashpra të cilat janë edhe të mbushura me gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale.

Imami nga Shkupi, Rexhep Memishi në një deklarim të tij ka thënë se ata që festojnë 7 Marsin, ditën e mësuesit – dalin nga feja. Ai ishte dënuar me 7 vjet burg nga Gjykata Penale e Shkupit. Përveç tij, si pjesë e grupit ishin dënuar edhe 6 persona të tjerë. Të gjithë këta persona kishin pranuar veprën dhe në marrëveshje me prokurorinë dhe palën mbrojtëse iu është shqiptuar dënimi më i ulët se ç’mund të pritej. Të 12 personat ishin arrestuar në kuadër të aksionit policor “Celula”.

Narrativet kundër feve të tjera 

Edhe pse Kosova vlerësohet me një tolerancë të madhe për fetë ka pasur raste kur është zhvilluar diskurs publik kundër figurave historike shqiptare siç është Nëna Terezë apo Skënderbeu.

Shembull, në fillim të vitit 2022 është keqcituar një deklarim i bërë nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo rreth figurës së Skënderbeut.

Ai në një debat kishte thënë se Skënderbeu ka lindur si ortodoks, ndërsa mediat e kishin keqcituar duke e vendosur në titull gjoja se ai ka thënë se “Skënderbeu ka qenë sllav”.

Skenderbeu
Skenderbeu

Përveç kësaj, ishte publikuar një video me sekuenca të shkëputura nga deklarimi i Paskal Milos. Në një sqarim, Milo tha se ishte deformuar ajo që kishte deklaruar.

“E di ku ishte deformimi? Ata kishin marrë e qepur fraza të shkëputura nga gjithë debati 2 orësh i kishin ngjitur me njëra-tjetrën për të krijuar atë përshtypje që donin të krijonin”, kishte thënë Milo duke shtuar se një montim i tillë ishte bërë nga qarte radikale islamike që janë prezente në Shqipëri. Video ishte publikuar në youtube nga faqja “TheOsmanlit”.

Një faqe me të njëjtin emër është funksionale edhe në Facebook, ndërsa bën postime pro muslimanëve dhe Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Po ashtu ndërtimi i Katedrales “Nënë Tereza”, i parapriu protestës së parë të mbajtur për ndërtimin e xhamisë në oborrin e UP-së përballë katedrales “Nënë Tereza”. Një pjesë e komunitetit mysliman kishin bërë kërkesë publike që të ndërtohej një Xhami të madhe në kampusin e Universitetit të Prishtinës, përballë Katedrales.

Në këtë proteste kishte marrë pjesë edhe Lavdrim Muhaxheri, më vonë iu bashkua organizatës terroriste ISIS. Kauzën për ndërtim të Xhamisë në qendër të Prishtinës më vonë e kishte marrë Lëvizja për Bashkim – LISBA e udhëhequr nga Fuad Ramiqi dhe vetëm pastaj kjo iniciativë ishte marrë nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Pjesë e diskursit kundër publik në Kosovë është edhe çështja e konvertimeve në fenë islame ku nuk janë të rralla rastet ku evidentohet se me sa pompozitet pasqyrohen rastet e tilla dhe pastaj shpërndahen nga një rrjet i tërë i ueb-faqeve duke marrë kështu jehonë dhe duke krijuar percepsionin rreth konvertimeve.

Lajmi mbi konvertimin e gruas gjermane në Mitrovicë siç evidentohet në platformën Crowdtangle është shpërndarë mbi 100 herë në ueb-faqe të ndryshme.

Fryma iraniane 

Igballe Huduti, një përkrahëse e frymës iraniane të ‘Shia’ frymë kjo që nuk është e përkrahur nga Bashkësia Islame e Kosovës mori vëmendje të skajshme për shkak të një deklarate që e dha lidhur me martesat.

Po ashtu, Huduti pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron të kryer nga ushtria amerikane kishte shpërndarë në llogarinë e saj në “Facebook” një status me përmbajtje e cila dyshohet se përmbante thirrje për hakmarrje.

Gjenerali Kasim Sulejmani – Qasem Soleimani

“Populli irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhashtë durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”, citohet një shkrim i saj i datës 4 janar 2020.

Huduti ishte arrestuar në vitin 2020, por më vonë ishte liruar si e pafajshme. Vetëm gjatë vitit 2022 pati të paktën 2,539 artikuj në Facebook në të cilin përmendej emri i saj, ndërsa ajo u ftua në mbi 20 emisione televizive. Fryma e saj u kundërshtua nga imam të BIK-it.

Burri i Hudutit njihet si një person që merret me shitblerje të patundshmërive. Në raportin e Global Initiative “Prurje Financiare të Paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut” thuhet se sektori i patundshmërive përdoret për shpëlarje të parave.

Huduti numëron afër 38 mijë ndjekës në rrjetin “TikTok”, ndërsa në platformën Crowdtangle evidentohen 87 postime me përmbajtje kundër Hudutit.

Narrativat lidhur me ndalimin e marrjes së kredive apo lartësinë e kamatave apo rregullimin ekonomik të vendit janë po ashtu prezente në diskursin publik në vend. Këto narrative shpesh shoqërohen me shembuj sesi shtete tjera jashtë Kosovës me modele tjera të qeverisjes sikurse është Turqia – janë treguar të suksesshme – sepse janë kundër kamatës – si diçka e ndaluar fetarisht.

Burimi i propagandës

Dokumentet e deritanishme strategjike të vendit përfshirë strategjinë për parandalimin e ekstremizmit dhe  terrorizmit e identifikojnë internetin si burim të rrezikshëm të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Si rrjedhojë, në mes viteve 2012-2022 institucionet e sigurisë në Kosovë kanë mbyllur qindra faqe e platforma ku janë shpërndarë materiale të cilat janë konsideruar si pjesë e propagandës e cila promovon islamin politik dhe terrorizmi fetar.

Në mesin e faqeve dhe platformave të mbyllura kishte radio online kanale në youtube dhe faqe të rrjeteve sociale si facebook ku ishin përhapur materiale të ndaluara.

Analizat e kryera nga njësiti antiterror tregojnë që materialet fillestare ishin importuar në formë fizike. Në vitet e pasluftës libra e broshura të përkthyera me mesazhe të islamit politik ishin shpërndarë në vend. Të njëjtat kanë arritur të digjitalizohen dhe sot të jenë të qasshme në internet.

Policia e Kosovës

“Policia e Kosovës në disa raste të caktuara, ka identifikuar burime të financimit që përfshijnë persona në vende tjera, duke përfshirë edhe në vende të zhvilluara, por edhe në së paku një rast edhe propagandë nga një shtet i caktuar. Megjithatë çështja e financimit mbetet një sfidë, jo vetëm e Institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe të vendeve të zhvilluara”- thuhet në përgjigjen e policisë.

Të njëjtat tregojnë që gjatë kësaj kohe ka pasur edhe një ndryshim të qasjes dhe burimeve të këtyre informacioneve

“Fillimisht kanë dominuar materiale të të ashtuquajturave dijetar fetar të vendeve të Lindjes së Mesme. Pastaj pas fillimit të konfliktit në Siri dhe Irak, materialet propaganduese, kryesisht përmbanin elemente dhe imazhe nga këto zona të konfliktit. Ndërsa viteve të fundit janë evidentuar edhe materiale në gjuhën shqipe, apo të përkthyera me titra në gjuhën shqipe”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Në vitin e ardhshëm Qeveria e Kosovës në kuadër të Strategjisë kundër terrorizmit ka paraparë nisjen e hartimit të një strategjia e cila synon identifikimin dhe luftimin e narrativeve ekstreme.

Kallxo,com

Repost, Partner Disklejmer, baner, disclaimer, disinfohub, partner, partneritet

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari