Provat e munguara të marrëveshjes Serbi-Francë për avionët luftarakë

Published on:

Vizita e Presidentit Vuçiç në Paris në fillim të prillit u shoqërua me lajmin në mediat shqiptare, për një marrëveshje sipas të cilës Serbia do blinte 12 avionë luftarakë nga Franca. Nga një kërkim mes rreshtave të këtyre raportimeve dhe verifikimit të Faktoje, mungojnë provat e ekzistencës së kësaj marrëveshjeje të pohuar vetëm nga ana e Serbisë, ndërsa media franceze rapoton se Francës i mungojnë garancitë ‘gjeopopolitike’. Der tani përhapja e lajmit për blerjen e avionëve luftarakë nga Serbia, i ka shërbyer më tepër ushqimit të portalve me klikime sesa informimit me vërtetësi të publikut.

Eno Luarasi

Vizita dyditore e Presidentit Vuçiç në Paris në fillimin e prillit 2024, shërbeu jo vetëm për të theksuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

Pas takimit që Presidenti serb zhvilloi me homologun, francez, Vuçiç u shpreh shumë optimist duke lajmëruar arritjen e një marrëveshjeve për blerjen nga ana e Serbisë të avionëve luftarakë të prodhuar nga Franca.

Kemi arritur në marrëveshje konkrete, më duket mua përsa i përket blerjes së avionëve Rafale. Pres që firmosja e kontratës të bëhet në dy muajt e ardhshëm, në prezencë të Presidentit francez, i cili është shumë i rëndësishëm për vendin tonë”-tha Vuçiç në Paris. Kjo deklaratë u shpërnda gjerësisht nëpër mediat shqiptare, në formën e narrativave mbi nisjen e një lufte në Ballkan, që portretizonin Serbinë si shtetin ballkanik që po rriste ndjeshëm fuqinë e armatimit, apo lëvizjen e radhës të ‘shahut’ nga Serbia që nga njëra anë ruan miqësinë me Rusinë dhe Kinën, e nga ana tjetër intensifikon përpjekje diplomatike për raporte të mira me Perëndimin. Kaq i sigurtë u ‘shit’ lajmi për arritjen e marrëveshjes e blerjes së avionëve luftarakë Rafael, sa një portal shkruante në titull: “Serbia drejt blerjes së 12 avionëve luftarakë nga Franca, detaje nga marrëveshja.”

 

*Screenshot titullit të portalit për marrëveshjen e pretenduar Vuçiç-Macron

 

Duke cituar ministrinë e Mbrojtjes serbe në artikull pretendohet se janë zbardhur edhe detaje të marrëveshjes, por nuk jepet ndonjë dokument apo burim që vërteton ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë.

Sipas deklaratës së publikuar nga mediat, Vuçiç lajmëronte firmosjen e kontratës me kompaninë franceze të prodhimit të avionëve brenda dy muajsh, që praktikisht përfundon në qershor. Kur ka kaluar një muaj nga kjo deklaratë ende nuk ka një njoftim për firmosje të kontratës.

A u arrit vërtetë marrëveshja për blerjen e avionëve?

Ndërsa vijonte ende shprndarja e lajmeve për blerjen e avionëve Rafaele, e pambështetur në një dokument që provon ekzistencën e saj, televizioni Francez BFMTV në një raportim theksonte refuzimin e diskutimit për shitjen e avionëve tek Serbia, ndërsa Franca kishte kushtëzuar një marrëveshje të tillë.

 

Dassault Aviation aktualisht po refuzon të diskutojë një shitje të mundshme të avionëve në Serbi. Operacioni, i cili përfshin një duzinë avionësh, mund t’i sjellë tre miliardë euro Francës, por Parisi synon të marrë konfirmime mbi zhvillimet politike në vend përpara se të vulosë blerjen”-shkruhet në lajmin e BFMTV.

Faktoje.al nuk arriti të merrte një përgjigje zyrtare nga kompania Dassault Aviation, pavarësisht se dërgoi disa herë kërkesë për të marrë një informacion të detajuar mbi këtë çështje. Megjithatë nga kërkimet nuk rezulton të ketë një marrëveshje apo kontratë aq më pak të firmosur nga dy palët për avionët lutarakë Rafaele, mes Serbisë dhe Francës.

Narrativa e luftës, sa e kërcënuar është Kosova?

Në një intervistë për Faktoje.al Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci, i pyetur se sa e shqetëson Kosovën, tentativa e Serbisë për të blerë avionë të tillë, tha se investimi i një shteti në arsenalin e tij ushtarak është e drejtë e tij, por i rëndësishëme është veprimi.

Pesha e një veprimi të tillë dallon kur është i orientuar në arsenal me rol primar sulmues dhe nga një shtet hegjemonist si Serbia që në vazhdimësi ka kërcënuar Kosovën me veprimet e veta, duke mos u kursyer vetëm me ekzekutimin e ushtrimeve ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, por madje dhe me organizimin e financimin e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë dhe dirigjimin e strukturave paralele në veri të vendit. Pastaj lind pyetja se nga kush po mbrohen, sigurisht se nga Kosova jo, ngase në asnjë moment nuk kemi pasur qasje agresive ndaj Serbisë, dhe një qasje të tillë karshi këtij shteti nuk kanë as shtetet e tjera fqinje”. – Ejup Maqedonci

Për ekspertin e sigurisë në Kosovë, Arben Dashevci hezitimi i Francës ka të bëjë pikërisht me mungesën e garancive nga Serbia.

 

Po t’i kishte garancitë ashtu siç i dha shteti kroat, do të kishte mundësi për negociata të mëtejeshme, por këto garanci Serbia nuk i dha  dhe nuk ka negociata të mëtejshme. Armatosja e Serbisē sipas mendimit tim ka të bëjë me garën në armatim, që të jetë dominante ne Ballkan, ashtu sikurse sistemi i vjetër i viteve 90 i “Kasapit të Ballkanit” Milosheviç. Pra establishmenti aktual atje ende është me mendësinē e Millosheviçit, sepse Serbia nuk rezikohet nga askush, por qëllimi i saj është t’i frikēsojë fqinjët me këtë garë të kotë armatimesh, duke pas parasysh që fqinjët e Serbisë janë anëtare të NATO-s ose NATO është me misione aty” Arben Dashevc

Çfarë janë avionët Rafaele?

Rafale është avion i prodhimit francez. Ai hyri në shërbim në vitin 2001 me forcat e marinës duke u ngritur nga aeroplanmbajtësja Sharl de Gol. Avioni në fjalë i përket gjeneratës 4+. Deri në vitin 2023 janë ndërtuar në total 259 avionë tillë. Janë 6 operatorë së bashku me Francën që e kanë në organikën e Forcave të Armatosura. Fillimisht ai është përdorur në luftime në Mali, Afganistan, Irak dhe Siri.

 

 

Për ekspertin e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare Fetah Fejzullahu, Rafale janë avionë shumërolësh të cilët mund të përdoren për një shumëllojshmëri misionesh.

 Rafale Jet është një aeroplan i cili ka karakteristikat të veçanta. Mos të harrojmë se blerja e pajisjeve ushtarake bëhet për shumë arsye:

1.Plotësimi i kërkesave sulmuese/mbrojtëse për operacione

2. Analizimi i përparësive dhe mangësive të paisjes në fjalë

3. Marrja model për zhvillimin e teknologjisë ushtarake kombëtare të shtetit që ka blerë

4. Ndërtim i një kundër efekti (teknologji vendore) për ta zmbrapsur sulmin e mundëshem nga ndonjë shtet tjetër.” – Fetah Fejzullahu

 

 

Franca, treg i rëndsishëm për Serbinë

Pavarësisht arritjes ose jo të marrëveshjes për avionët luftarakë Rafaele, Serbia ka një rekord ‘pozitiv’ blerjesh të mjeteve ajrore nga Franca. Më herët Serbia bleu nga një prej kompanive më të rëndësishme ushtarake në Francë siç është Airbus, helikopterë H125M ushtarak me një vlerë prej 105 milionë Eurosh, 2 avionë transportues C-295 me një vlerë prej 66 milionë Euro si dhe shpenzoi rreth 15 milionë Euro për ekuipazhime dhe trajnime. Ndërkohë Serbia ka blerë edhe sisteme antiajrore Mistral me rreth 50 raketa.

 

Marrëdhëniet Serbi-Francë

Në aspektin historik të dy vendet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike që në shekullin XIX, ashtu sikurse elita serbe është shkolluar qysh në atë shekull në Francë. Për Faktoje.al analisti i çështjeve të rajonit Ben Andoni thotë se marrëdhëniet midis dy vendeve, veç rrafshit historik janë shumë të forta edhe në atë ekonomik, pavarësisht disa luhatjeve.

Marrëdhënia e Francës me Serbinë është disi e ndërlikuar pas bombardimit të Beogradit në Luftën që ndodhi në Kosovë, por gjithçka u vendos në hulli, kur Presidenti Macron erdhi në Beograd në 2019. Së fundmi, Vuçiq u prit me nderime në Paris dhe pak ditë më pas edhe Rama. Krejt ndryshe nga Shqipëria, serbët veç se do marrin avionët “Rafale”, janë duke biseduar për të ardhmen e energjisë. Po mendojnë që Franca të asistojë në reaktorët bërthamorë. Por për këtë duhet ndryshimi i kuadrit ligjor në Serbi dhe pastaj aprovimi i Strukturës Atomike, që është në Vjenë e që varet nga OKB. Aeroporti i Beogradit menaxhohet nga kompania franceze “Vansi” dhe, tashmë është vendosur që një nga kompanitë franceze do të marrë pjesë në ndërtimin e metrosë së Beogradit, me të cilën autoritetet e kryeqytetit serb nënshkruan një kontratë për ndihmë. Ky projekt kapi vlerën 944,000 euro në fillim të vitit 2023– Ben Andoni.

 

Buxheti i mbrojtjes i Serbisë dhe armatimet

Sipas të dhënave të Bankës Botërore Serbia ka treguar një rritje të konsiderueshme në shpenzimet ushtarake. Nga një buxhet me 710 milionë Dollarë në 2016, ka arritur në 1.4 miliardë USD në 2022. Serbia shpenzon 2% të prodhimit të brendshëm bruto në fushën ushtarake ndërkohë që buxheti i saj është 5 herë më i madh se ai i 5 vendeve të Ballkanit të marra sëbashku.

Mes viteve 2014-2023, Serbia shpenzoi rreth 2.67 miliardë euro në mbrojtje duke blerë sistemet antiraketore nga Kina siç është FK-3, ekuivalenti i S-300 rus, Helikopterë Mi 17 dhe Mi 35 nga Rusia si dhe sistemet e mbrojtjes kundërajrore Pantsir.

 

Aleanca jo formale Serbi-Kinë-Rusi-Iran

Investimet e Serbisë në fushën e mbrojtjes dhe mbi të gjitha krijimi i një aleance jo formale ndërmjet Serbisë-Kinës-Rusisë dhe Iranit është një shqetësim për Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës Maqedonci.

Blerjet që po realizohen me këto shtete përtej transakasionit financiar janë tregues i hapur i një mendësie që është shumë më e përafërt me lindjen dhe sistemet autoritare, sesa me politikat demokratike pro-perëndimore” tha ministri.

Stërvitjet ushtarake dhe lufta hibride

Në muajn prill Serbia zhvilloi një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë së saj “Ëhirlëind 2024”. Ajo u zhvillua vetëm pak kilometra larg territorit të Kosovës. Në të morën pjesë më shumë se 2000 efektivë si dhe 350 mjete ushtarake duke nisur nga avionët e deri te dronët kamikazë të prodhuar në Serbi dhe ata të blerë nga Irani.

 

Po aq shqetësuese janë dhe 48 bazat ushtarake të Serbisë të cilat i kanë vendosur përreth një shteti të pavarur siç është Kosova, prandaj dhe jemi vigjilentë në analizimin e situatës, megjithatë ushtrimet të cilat po zhvillohen nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk janë si kundërpërgjigje e këtyre veprimeve por vazhdimësi e implementimin të planit operacional vjetor të FSK-së.”-tha Maqedonci për Faktoje.al

Pavarësisht investimeve marramendëse që Serbia është duke bërë në fushën e mbrojtjes ekspertët e shikojnë të pamundur një luftë konvecionale ose sulm direkt nga Beogradi në Kosovë. “Ushtrimet ushtarake Serbia i zhvilloi në territorin e saj në Peshtër 3km nga Mali Zi dhe 35 km nga Republika e Kosovës dhe në veri në kufi me Bosnj-Herzegovinën. Është pjesë e propagandës së saj duke pasur parasysh se Kosova mund të antaresohet në KIE në 17 Maj. Ka luftë sociale/ hibride 24/7 të shtyrë nga Rusia e Putinit, por nuk ka mundësi për një luftë frontale – thekson eksperti i sigurisë Arben Dashevci.