Në rrjetet sociale ka qarkulluar një video ku shihen zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara duke valëvitur flamurin serb dhe në sfond dëgjohen këngë nacionaliste serbe. Por, pretendimi se ajo është realizuar në Kosovë, nuk qëndron.
Më datë 18 mars 2024, “RKS NEWS” shpërndau në platformën “X” një video, së cilës i ishte bashkëngjitur përshkrimi: “Krejt e papranueshme! #UNMIKKosova u pa duke valëvitur një flamur #serb, një shpërfillje flagrante për neutralitetin dhe dinamikën e ndjeshme në #Kosovë. Ky provokim minon përpjekjet për paqe dhe fyen thellësisht sovranitetin e Kosovës. Nevojitet veprim dhe sqarim i menjëhershëm!”.
Videoja u shpërnda nga disa profile serbe në “TikTok”, ku në hapësirën e komenteve disa komentues e kanë marrë si të mirëqenë videon. Disa prej tyre e kanë glorifikuar atë, duke thënë “Rroftë UNMIK-u”, apo “Kosova është Serbi”. Por, ka pasur edhe të tillë që mohuan se videoja është realizuar në Kosovë.
Pas shpërndarjes që mori ky postim, Misioni i UNIMK-ut, përmes një deklarate për media, mohoi se videoja është realizuar në Kosovë tek e kanë kualifikuar si lajm të rrejshëm. Në sqarimin e tyre thuhet se: “trupat e shfaqura në video janë njësia e Forcave të Armatosura Serbe të dislokuara me Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL)”.
“Ky trillim është i papranueshëm, por UNMIK-u është i vendosur që në mënyrë aktive të vazhdojë të mbrojë të vërtetën; mbështesim verifikimin e fakteve dhe edukimin mediatik; dhe ndërtimin e kapaciteteve të mediave e shoqërisë civile për të promovuar ndërtimin e paqes dhe besimin”, thuhet në sqarimin e tyre.
Më pas ka reaguar edhe “RKS NEWS”, që fillimisht e kishte shpërndarë videon pa e verifikuar vërtetësinë e saj, duke shkruar se kjo ishte një tentativë e serbëve për të mashtruar opinionin publik, e cila u shpërnda nga kanalet serbe. “RKS NEWS” në bazë të përshkrimit është një agjenci e lajmeve që ka përafërsisht 600 ndjekës dhe që kryesisht shpërndan postime me përmbajtje politike, përkatësisht raportet Kosovë-Serbi.
Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit përmes Rezolutës 1244 të vitit 1999. Misioni që tani është i reduktuar në staf dhe pa kompetenca ekzekutive në vend, angazhohet për të ndihmuar në sigurimin e kushteve për jetë të qetë dhe normale për qytetarët e Kosovës dhe për të avancuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Derisa Kosova në vazhdimësi ka kërkuar që misioni i UNMIK-ut ta përfundojë mandatin, Serbia insiston që UNMIK-u të mbetet në Kosovë me mandat të njëjtë. Këshilli i Sigurimit, po ashtu, dy herë në vit mban seanca të rregullta për Kosovën ku diskutohet për situatën e sigurisë.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”