Zelenski nuk e tërhoqi Ukrainën në luftë

Published on:

Ukraina nuk është ajo që dëshiron luftë dhe as presidenti ukrainas Zelenski nuk e ka tërhequr vendin në luftë, siç pretendon në mënyrë të rreme postimi. Rusia sulmoi Ukrainën dhe ajo ka të drejtë të mbrohet. Rusia shpalli me forcë pavarësinë e Donbass dhe Luganskut, duke shkelur integritetin territorial të Ukrainës. Zelenski vazhdimisht bën thirrje për paqe dhe ofroi një formulë për paqen dhe me kërkesën e tij Zvicra do të organizojë një samit të paqes në qershor, në të cilin Rusia ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë.

 

Ne po analizojmë një postim në Facebook që pretendon se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski e tërhoqi vendin e tij në luftë. Një pretendim i tillë është i gabuar.

Pse nuk i shpjegon njeri këtij budallai që e tërhoqi në luftë Ukrainën, nuk është thjesht lojë!!!…, thuhet ne postim.

Pretendimi se Zelenski e tërhoqi Ukrainën në luftë është i gabuar dhe manipulues dhe të kujton narrativat e shpeshta të dezinformatave të Kremlinit.

Më 24 shkurt 2022, trupat ruse filluan një sulm ndaj Ukrainës me urdhër të presidentit Vladimir Putin, i cili njoftoi një “operacion special ushtarak” në orët e hershme të mëngjesit, pavarësisht paralajmërimeve nga liderët botërorë se masa mund të çojë në luftën më të madhe të Evropës që nga viti 1945.

Qëllimi i sulmit rus ishte një breshëri masive raketash që ranë mbi qytetet e Ukrainës, ndërsa trupat tokësore ruse lëvizën masivisht në territorin ukrainas nga drejtime të shumta. Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës tha se vendi ishte shënjestër e një sulmi me raketa, mes tyre edhe balistike dhe veçanërisht infrastruktura pranë qyteteve të mëdha si Kievi, Kharkiv, Mariupol…, raportoi në atë kohë Dojçe Vele

Sulmit i parapriu vendimi i presidentit rus Putin më 21 shkurt 2022, për të njohur pavarësinë e të ashtuquajturave Republika Popullore në Donetsk dhe Lugansk, të cilat janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë që nga viti 2014. Ky vendim i Putinit e lejoi atë të dërgonte drejtpërdrejt njësitë ushtarake ruse në Ukrainën Lindore, ku përplasjet e herëpashershme midis forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë tashmë ishin duke u zhvilluar.

Që nga fillimi i pushtimit agresiv ushtarak rus të Ukrainës, propaganda e Kremlinit është përpjekur vazhdimisht të shtrembërojë tezat, domethënë të imponojë një sërë justifikimesh për sulmet e saj. E vërteta është se ishte Rusia ajo që kreu një pushtim ushtarak të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Të presësh që Ukraina të rrijë duarkryq do të thotë që qytetarët e Ukrainës janë dakord që të pushtohen territorialisht nga Rusia, gjë që nuk ka ndodhur. Ukraina si një shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet ka të drejtë të mbrohet dhe të përdorë mjetet e disponueshme të ndihmës nga miqtë e saj. Nëse nuk e bën këtë, atëherë do të përballet me pretendime edhe më të mëdha territoriale nga Rusia.

Presidenti ukrainas Zelenski është objektivi më i rëndësishëm i dezinformimit të Kremlinit. Ai akuzohet vazhdimisht se është një kukull në duart e fuqive perëndimore, se e ka tërhequr Ukrainën në luftë etj. Fakti është se Zelensky nuk dëshiron luftë, por është i detyruar të mbrohet kundër agresionit rus, i cili ndihmohet nga NATO dhe BE.

Në orët e hershme të mëngjesit të 24 shkurtit 2022, pak para se tanket ruse të fillonin të depërtonin në territorin ukrainas, Zelenski iu drejtua qytetarëve të Ukrainës dhe Rusisë. Ai fjalim, si dhe fjalimet e tij të mëvonshme në ato ditë të para të pushtimit, treguan se ai kishte kapacitet drejtues dhe aftësi për të bashkuar dhe udhëhequr bashkëqytetarët e tij: “Mos u frikësoni! Ne jemi të fortë dhe të gatshëm për çdo gjë. Ne do të fitojmë kundër kujtdo, sepse ne jemi Ukraina!”, tha Zelenski në atë kohë.

Pas sulmit, të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Rusinë u ndërprenë dhe gjendje krize u vendos në të gjithë Ukrainën. Të gjithë meshkujt e moshës 18-60 vjeç u ndaluan të largoheshin nga vendi.

Më 11 tetor 2022, Zelenski njoftoi “Formulën për Paqe” për udhëheqësit e vendeve të Grupit të Shtatë (G7) për të kapërcyer kërcënimin rus. Sot, ky plan prej 10 pikash mbetet e vetmja mënyrë për të rivendosur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

Zvicra njoftoi në janar se do të presë një samit paqeje në qershor me kërkesë të presidentit ukrainas Zelenski dhe që atëherë ka qenë në bisedime me BE-në, vendet anëtare të G7 dhe vende si Kina dhe India për të fituar mbështetjen e tyre.

Konferenca do të mbahet nga 15 deri më 16 qershor në Buergenstock në kantonin Niedwalden pranë qytetit të Lucernit.

Qëllimi i konferencës është të krijojë një kornizë të favorshme për një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Ukrainë, si dhe “udhëzime konkrete për pjesëmarrjen e Rusisë në procesin e paqes”.

Edhe pse Moska ka thënë se nuk është kundër bisedimeve për t’i dhënë fund luftës, zyrtarët rusë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në bisedimet në Zvicër, e cila sipas tyre ka hequr dorë nga neutraliteti i saj në konflikt.

Moska përsërit vazhdimisht se është e hapur për negociata, por se ata duhet të njohin “realitetin e ri në terren”.

Ukraina kërkon kthimin e integritetit të saj territorial dhe tërheqjen e plotë të forcave ruse si kushte për paqen.

Nga të gjitha faktet më sipër, mund të konkludojmë se Ukraina nuk është ajo që do luftë dhe se presidenti ukrainas Zelenski nuk e tërhoqi vendin në luftë, siç pretendon postimi që po analizojmë. Rusia sulmoi Ukrainën dhe Ukraina ka të drejtë të mbrohet. Rusia shpalli me forcë pavarësinë e Donbass dhe Luganskut, duke shkelur integritetin territorial të Ukrainës. Zelenski vazhdimisht bën thirrje për paqe dhe ofroi një formulë për paqen dhe me kërkesën e tij, Zvicra do të organizojë një samit paqeje në qershor, në të cilin Rusia ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë. Për shkak të gjithë kësaj, ne e vlerësojmë postimin si të pasaktë.