PK-ja mohon pretendimet se SHBA-ja i ka ndërprerë trajnimet për ta

Published on:

By SUHEJLO – Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=31266900

Policia e Kosovës ka reaguar pas pretendimeve të ngritura në një artikull të publikuar në Dukagjini se kinse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ndërprerë trajnimet për PK-në, për shkak të aksioneve të saj në veriun e populluar me shumicë serbe. Aty, PK-ja ka përmendur trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, ku ShBA-ja cilësohet si partneri kryesor strategjik.

“Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj e deri më sot, ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme, në bashkëpunim me partnerët e saj brenda dhe jashtë Kosove, trajnime këto të cilat nuk janë ndërprerë në asnjë periudhë kohore, e të cilat vazhdojnë të realizohen edhe më tej”, ka shkruar PK-ja. Ata shtuan se vazhdojnë të kenë bashkëpunim dhe se kanë raporte të jashtëzakonshme me SHBA-në dhe Ambasadën Amerikane, që në vazhdimësi kanë investuar në Policinë e Kosovës, me trajnime, ekspertizë dhe pajisje logjistike e të teknologjisë. PK-ja ka shprehur gatishmërinë të vërë në dispozicion gjithçka që është e nevojshme, në mënyrë që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti me SHBA-në.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka mohuar se për momentin ka një vendim për ndërprerje të trajnimeve.

“Jemi duke vazhduar të rishikojmë këtë çështje dhe nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë kohë”, kanë thënë nga Ambasada e SHBA-së.

Më 25 shtator 2024, Dukagjini ka publikuar një artikull me titull: “Anulohen trajnimet e Policisë, ‘sanksionohet’ nga SHBA-ja”. Aty pretendohet se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës për një kohë nuk do të jenë pjesë e trajnimeve ndërkombëtare të organizuara e mbështetura nga SHBA-ja.

“Siç ka mësuar Dukagjini nga burime të afërta me këto zhvillime, krejt kjo është bërë si formë sanksionimi për veprimet e Qeverisë dhe Policisë në veri të Kosovës, kur mbylli komunat paralele serbe”, ka shkruar ky medium. Artikullin e ka ndërlidhur me një komunikatë të Ambasadës së SHBA-së, të publikuar më 30 gusht 2024, pas një aksioni të Policisë së Kosovës në komunat veriore për mbylljen e strukturave paralele. Aty përmendet kërkesa e vazhdueshme drejtuar Qeverisë së Kosovës që të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet që, sipas tyre, janë në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Sipas SHBA-së, dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit mes dy vendeve.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet vartëse të saj”, shkruan ndër të tjerash në komunikatën e SHBA-së.

Artikulli i paverifikuar u shpërnda edhe nga portale të tjera, si: RadiostarGazeta MetroGazeta DemosPeriskopiEkonomia OnlineFront OnlineBota e LajmeveGazeta NeutralTelegrami SotMitrovica SotGazeta KosovaDemokraciaGazeta ImazhiMeti ChannelMitrovica Ime,  United Stated of Albania.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”