Vrasja e policit të Kosovës në Banjska dhe situata që pasoi u shfrytëzua nga presidenti serb Alexandar Vuçiç për të nxitur tensionin dhe urrejtjen etnike. Por deklaratën e Vuçiç se Policia e Kosovës nuk e kishte lejuar EULEX-in të merrte pjesë në operacionin policor të 24 shtatorit e përgënjshtroi vetë EULEX. Sipas përgjigjes për Faktoje, EULEX jo vetëm nuk është ndaluar të bëhet pjesë e operacionit, por po vijon bashkepunimin edhe në kryrjen e hetimeve për ngjarjen.
Narrativa e Alexandar Vuçiç
Presidenti i serbisë Alexandar Vuçiç gjatë një takimi me ambasadorë të vendeve perëndimore kërkoi që NATO të marrë në dorë sigurinë në veri të Kosovës, në vend të policisë së Kosovës.
Deklaratën, Vuçiç e bëri në 27 shtator kur takoi anëtarët e organizatës ndërkombëtare informale QUINT, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe katër vende europiane (Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar).
Në përfundim të takimit, Vuçiç deklaroi gjithashtu se kishte pyetur diplomatët e QUINT se përse Misioni Europian i Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX nuk u bë pjesë e operacionit në manastirin e Banjskës në 24 shtator.
“Gjithashtu pyeta se pse EULEX-i u refuzua nga policia e Kosovës për të marrë pjesë në operacionin e zhvilluar në territorin e veriut të Kosovës”, tha Vuçiç në dalje të takimit me QUINT.
Lajmi mori vëmendjen e mediave botërore duke ngritur tymnajë lidhur me operacionin policor të 24 shtatorit në Kosovë.
EULEX përgënjeshtron Vuçiç
Faktoje u interesua pranë misionit EULEX në Kosovë lidhur me pretendimin e ngritur nga presidenti i Serbisë Vuçiç për moslejimin e përfshirjes së misionit në ngjarjen e ndodhur në veri të Kosovës.
Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, EULEX përgënjeshtroi pretendimin e ngritur nga Vuçiç.
Në vijim të përgjigjes EULEX thekson se ‘pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës dhe ndërhyrjes së mëvonshme të Policisë së Kosovës, patrullat e Njësisë së Formuar Policore të EULEX-it/Njësive Rezervë dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit të EULEX-it ishin në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe arritën në zonën përreth Manastirit të Banjskës në veri të Kosovës.
“Në përputhje me mandatin e tij dhe brenda kufijve të lejuar nga situata e atëhershme e vazhdueshme e sigurisë, EULEX-i ka monitoruar nga afër zhvillimet e sigurisë gjatë gjithë operacionit të Policisë së Kosovës, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR/NATO-n. Misioni gjithashtu ka monitoruar dhe po vazhdon të monitorojë, aktivitetet e kryera nga autoritetet e Kosovës në lidhje me sulmin, siç janë hetimet, konfiskimet dhe bastisjet”. – sqaroi më tej EULEX për Faktoje.
Përfundim
Deklarata e bërë nga Vuçiç në përfundim të takimit me QUINT ku pretendoi se EULEX nuk është lejuar të marrë pjesë në operacionin e Policisë së Kosovës është pjesë e narrativave të ngritura mbi informacione të pavërteta me qëllim nxitjen e konfuzionit dhe urrejtjes etnike.
Në një kohë kur situata në veri është ende delikate, presidenti serb Alexandar Vuçiç ka artikuluar disa teza të pavërtetuara duke dhënë edhe deklarata kontradiktore.
Një prej tyre është ajo se “Serbia është e gatshme të punojë për vijimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe se ngjarjet e 24 Shtatorit janë tregues i qartë se Prishtina ka për qëllim të ndalojë çdo marrëveshje me Beogradin dhe kthimin në jetë normale”.
Ndërkohë, në gjuhën serbe në ditën e ngjarjeve Vuçiç deklaronte se “Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, mund të na vrisni të gjithëve dhe të thoni ç’të doni!”.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Personat e vrarë në manastirin e Banjskës nuk janë identifikuar zyrtarisht