Ilustrimi: Vertetmates.mk
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”
Figura e njohur e opozitës ruse dhe kritiku i qeverisë, Alexei Navalny, vdiq në rrethana të dyshimta. Në mungesë të ndonjë transparence rreth vdekjes së tij, në rajon po përhapet dezinformata se ai vdiq nga një mpiksje gjaku e shkaktuar nga vaksina kundër Covid-it, Pfizer. Konkretisht, pretendohet se Navalny është viktimë e vaksinës përmes të ashtuquajturës vrasje me pagesë, jo represion politik.
Shkruan: Matej Trojacanec
Në rajon po përhapet dezinformata për vdekjen e liderit më të shquar të opozitës ruse, Alekei Navalny, se ajo është shkaktuar nga vaksina e Pfizer kundër Covid-19. Domethënë se shkaku i vdekjes së tij ishte një mpiksje gjaku në zemër. Postime të tilla mund të gjenden në Serbi (1, 2), Mal të Zi, Bullgari (1, 2, 3, 4), Shqipëri, madje edhe në Republikën Çeke (1, 2), Gjeorgji, Lituani dhe më gjerë. Dhe ka një numër të madh postimesh në anglisht në rrjetin social X (dikur Twitter). Disa nga postimet thonë:
I ndjeri Navalny dyshohet se ka marrë pesë vaksina nga Pfizer
Sot në mëngjes, Ozzy Kozak ka shpërndarë një postim interesant në profilin e tij X, ku shprehet se i ndjeri Alexei Navalny ka marrë 5 doza të vaksinës Pfizer, e cila shpeshherë cilësohet si një nga shkaqet e vdekjes së papritur.
* * *
Unë në fakt mendoj se Navalny ishte një ekzekutim perëndimor me injeksion vdekjeprurës.
Ai mori dozën vdekjepruese Pfizer PESË herë.
Është e mahnitshme [që] mbijetoi kaq gjatë.
Me sa shihet, burimi është nga një profil parodi i X (aktualisht i pezulluar), i cili imiton Ministrin polak të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Më pas, një screenshot i këtij postimi fillon të shpërndahet në rrjetet sociale X dhe Facebook. Sapo filloi të përhapej ky dezinformim, filloi të shpërndahej një kolazh postimesh të ngjashme, të paktën ato janë provë e të vërtetës së pretendimit.
Navalny viktimë e vaksinës kundër Covid?!
Vdekja e Navalny pritej të shkaktonte një stuhi dezinformimi dhe mjegullimi të së vërtetës nga kanalet ruse të komunikimit. Në këtë kuptim, përdoruesit e mediave të ndryshme sociale spekulojnë se nuk bëhet fjalë për represion politik dhe helmim me helm, siç paralajmëroi më parë vetë Navalny dhe ndau me avokatët e tij. Por vdekja, siç thuhet në postimin e X (ish-Twitter), është një “ekzekutim perëndimor me injeksion vdekjeprurës”, pasi ai madje mori pesë herë vaksinën Pfizer kundër Covid-19.
Fatkeqësisht, është e diskutueshme nëse do të merren ndonjëherë informacione të verifikuara për shkakun e vdekjes së tij. Por sipas certifikatës zyrtare të vdekjes, Navalny vdiq për shkaqe natyrore.
Ajo që na tregon se ka pasur një përpjekje sistematike për të mbuluar të gjithë procesin është se u deshën nëntë ditë të tëra për t’i dorëzuar familjes së tij trupin e të ndjerit Navalny. Për më tepër, nëna e të ndjerit, Lyudmila Navalnaya, akuzoi autoritetet ruse se donin të varrosnin fshehurazi kritikun kryesor të Kremlinit:
Ata duan që kjo të bëhet fshehurazi, pa lamtumirë. Duan të më çojnë në buzë të varrezave, te një varr i freskët dhe të më thonë: “Këtu është djali yt”. Nuk jam dakord me këtë, thotë ajo në një video në YouTube.
Në krye të të gjitha polemikave rreth vdekjes së tij, sipas raporteve të mediave, të paktën 120 persona janë arrestuar në Rusi për pjesëmarrje në mitingje për të nderuar të ndjerin Navalny.
Pas gati një muaji nga ngjarja tragjike, gazetarët perëndimorë këto ditë patën një rast të rrallë për të pyetur drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e kritikut të tij më të madh. Pasi fitoi një mandat të pestë, duke kaluar në fakt Stalinin dhe duke u bërë udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë, Putin e quajti atë që ndodhi me Navalny një “incident fatkeq”.
Alexei Navalny vdiq më 16 shkurt, ai u gjet i vdekur në burgun arktik “Polar Wolf” në Harp. Ai po vuante një dënim me 19 vjet burg për vepra që shihen gjerësisht si të motivuara politikisht, raporton BBC. Navalny zbuloi skandale të mëdha korrupsioni me vlerë miliarda dollarë që janë të lidhura me nivelet më të larta të qeverisë dhe me oligarkët rusë.