“Marrëveshja” e Ohrit ndan në dy kampe mediat shqiptare dhe ato serbe

Published on:

Kur ka kaluar gati një muaj nga takimi mes presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, çështja është raportuar kryesisht mbi bazën e retorikës së hershme të politikanëve apo mediave të caktuara. E sigurtë është se takimi në Ohër nuk dha një rezultat konkret në përmirësimin e klimës apo zgjidhjen e ngërçit në çështje konkrete, siç është përshembull zhvillimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës në 23 prill, të bojkotuara nga Lista Serbe.

Barbara Halla

Më 19 mars 2023, pas një takimi maratonë që kishte filluar një ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi përmbajtjen e Aneksit Zbatues të marrëveshjes së negociuar më 27 shkurt. Ndërsa marrëveshja 11-pikëshe që palët diskutuan në shkurt përfshinte kuadrin e përgjithshëm të çështjeve për të zgjidhur gjatë rrugëtimit drejt normalizimit të marrëdhënieve, ky Aneks duhet të përmbajë më shumë informacione praktike se si do të zbatohet ai.

Por atmosfera pas njoftimit, si në mediat shqiptare dhe ato kosovare, nuk ishte aspak triumfuese, por pasigurie. A ka një marrëveshje nëse të dyja palët nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument? A është arritur një marrëveshje apo jo?

Duke pasur parasysh deklaratat kontradiktore të lëshuara nga Kosova dhe Serbia, natyra e marrëveshjes dhe statusi i saj mbeten të pasigurta duke çuar në pretendime të ndryshme të pasakta. Edhe pas ‘arritjes’ së marrëveshjes, ajo nuk përbën një detyrim ligjor, për aq kohë sa nuk është nënshkruar. Statusi i pavarësisë së Kosovës, si dhe ai i serbëve të Kosovës dhe organizimit të tyre politik janë pikat kryesore të mosmarrëveshjes.

Si e trajtuan çështjen mediat e Shqiperisë, Kosovës dhe Serbisë

Figura të ndryshme politike në Serbi, Kosovë, por edhe Shqipëri bënë deklarata të pasakta dhe senscionle në bazë të interesave vetjake. Për shembull, lideri i opozitës Sali Berisha shkroi se Vuçiç kishte marrë urdhëra nga Kremlini që të mos firmoste. Nuk ka asnjë provë që të tregojë se vendimet e Serbisë vijnë nga Rusia. Vendimet e Vuçiç gjatë konferencës janë në vijë me politikat shumë-vjeçare të Serbisë ndaj Kosovës. Edhe përse këto politika mbështeten nga Rusia, që do një Serbi të fortë në rajon si satelit i interesave ruse, kjo nuk do të thotë që Serbia ka marrë urdhëra nga Putin siç pretendon Berisha.

Burim: Politiko.al

Nga ana tjetër, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka thënë se çdo pikë e marrëveshjes e shkel kushtetutën e vendit. Sipas tij, qeveria duhet të marrë mandate nga Kuvendi për të zbatuar marrëveshje të jashtme. “Këto lloje të marrëveshjeve, me rregull duhet me marrë mandat prej Kuvendit ose me bo rezerën kur të shkosh me negociu, sepse me Kushtetutë qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme. Nuk krijon. Atë e ka kriju Kushtetuta.”

Burim: Express

Në të shkuarën, marrëveshjet e negociuara përmes Kosovës dhe Serbisë i paraqiten Kuvendit pasi palët janë pajtuar, dhe jo para. Në vitet e fundit, Parlamenti i Kosovës ka hedhur poshtë vetëm një marrëveshje: atë të firmosur në Uashington nga ish-Kryeministri Avdullah Hoti gjatë presidencës së Donald Trump. Ndërsa në marrëveshjet e shumta të firmosura nga palët, Gjykata Kushtetuese ka cilësuar si kundër Kushtetutës vetëm pikën që ka të bëjë më formimin e Asociacionit të Komuniteteve me Shumicë Serbe.

Situata u komplikua edhe më shumë në ditët pas takimeve në Bruksel dhe Ohër. Presidenti Aleksandar Vuçiç ka refuzuar disa nga angazhimet e marra në marrëveshjen e arritur në fund të shkurtit (si për shembull përsa i përket përpjekjeve për ta ndaluar përfshirjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara).

Nuk ka dyshim se Kosova donte që marrëveshja të nënshkruhej. Pas diskutimit të 27 shkurtit Albin Kurti doli nga takimi duke thënë se pati miratim për planin, por nuk e dinte pse nuk firmosën. Qëndrimi i Aleksandar Vuçiç ka qenë krejt i kundërt. Dy ditë para takimit në Ohër, ai u tha mediave serbe se nuk planifikonte të nënshkruante gjë në takimin me Kurtin. Ndërkohë, ky i fundit i ka kërkuar Perëndimit që ta shtyjë dhe ta dënojë Serbinë, nëse ajo vendos të mos nënshkruajë.

Burim Koha Jonë

Pas shpalljes së marrëveshjes, portali shqiptar Syri publikoi një artikull ku pretendonte se Vuçiç u kishte thënë mediave serbe se marrëveshja nuk do të zbatohej.

Burim Syri

Në fakt deklarata që Vuçiç ka dhënë për mediat serbe ka qënë diku më e matur. Ai pohoi se Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin deri në vijat e kuqe. Si në rastet e mëparshme, këtu përfshihen zotimet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por gjithashtu, Vuçiç ka theksuar se pasi Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, ajo kurrë nuk do të nënshkruajë një marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme, e cila do të nënkuptonte trajtimin e Kosovës si shtet i barabartë.

Megjithatë, pas marrëveshjes në Ohër, politikanët serbë vazhduan propagandën kundër Kosovës dhe Kurtit. Ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiç tha për mediat serbe se Kurti përbën një rrezik për Serbinë. “Këto rreziqe [ndaj Serbisë], vijnë në radhë të parë nga Kurti, i cili udhëhiqet jo nga dialogu, por qëllimi kryesor i tij është dëbimi i serbëve nga Kosova dhe Metohia.” Kjo nuk është hera e parë që kabineti i Vuçiç bën deklarata të tilla duke qenë se Kurti ka refuzuar krijimin e një Asociacioni për pakicat serbe. Por nuk ka asnjë provë se ai po përpiqet të përzerë serbët nga Kosova dhe ka thënë në deklarata të ndryshme se synimi është ai i integrimit të komunitetit serb në jetën politike të Kosovës.

BurimiNova.rs

Çfarë Përmban Marrëveshja e Ohrit

Më 27 shkurt presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar atë që deri në atë moment ishte etiketuar si “marrëveshja franko-gjermane”. Rezultati i atij takimi ishte një marrëveshje prej 11 pikash që përfshinte arritje kyçe për çështjet e dialogut. Ashtu siç e ka përmbledhur Faktoje “Shtetet respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe veçanërisht parimin e barazisë sovrane sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara. Njëkohësisht, komuniteti serb në Kosovë siguron një nivel të përshtatshëm vetë-menaxhimi, përfshi mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia.”

Kjo marrëveshje ishte një kornizë e përgjithshme e çështjeve që duhen zgjidhur në mënyrë që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet. Ndërkohë, marrëveshja e arritur më 19 mars përfshin detaje mbi si do të zbatohen dhe zgjidhen këto çështje. Aneksi i publikuar nga Bashkimi Evropian përmban 12 pika. Përsa i përket çështjes së komuniteteve serbe dhe vetë-menaxhimit të tyre, marrëveshja thotë se Kosova duhet të fillojë negociatat për zbatimin e mekanizmave specifike, edhe pse nuk saktëson natyrën e tyre. Aneksi parashikon një Komitet të Përbashkët Monitorues dhe e detyron BE-në të organizojë një konferencë donatorësh, fondet e të cilit do të vihen në dispozicion pasi BE-ja të përcaktojë se është bërë progres i mjaftueshëm.

Në Aneks thuhet gjithashtu se kjo marrëveshje “do të bëhet pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”. Kjo klauzolë e veçantë mund të funksionojë si një element detyrues, duke qenë se as marrëveshja dhe as Aneksi nuk janë nënshkruar nga palët.

Duke shkruar për Foreign Policy, eksperti i menaxhimit të konflikteve Edward P. Joseph mbetet skeptik rreth marrëveshjes, duke vënë në dukje mënyrat e shumta sesi dëshira e Serbisë për të mos nënshkruar marrëveshjen mund të çojë në dështimin e saj. Analisti Agon Maliqi ka dhënë një parashkimi të ngjashëm, duke shkruar në Twitter: “Sa më shumë kohë kalon nga marrëveshja zhgënjyese e së shtunës, aq më shumë mund të mendohet për 100 mënyra se si ajo do të dështojë dhe jo shumë në të cilat do të ketë sukses. Presioni perëndimor nuk do të jetë në gjendje të kompensojë stimujt e dobët. Vuçiç ka të ngjarë të marrë atë që dëshiron vërtet: të ruajë status-quo-në”.

Problemet kanë filluar të shfaqen. Vetëm dy ditë pas shpalljes së marrëveshjes, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tha se do të bojkotonte zgjedhjet lokale. Në një njoftim, pjestarët e partisë kanë shkruar se kanë marrë vendimin, si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale, sipas tyre nga regjimi i Albin Kurtit”. Më datë 23 prill, Kosova do të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e Listës Serbe hoqën dorë nga detyra në 2022 si kundërpërgjigjje ndaj vendimit të qeverisë së Kurtit në lidhje me targat serbe. Kurti ka thënë se vendimi i Listës Serbe është shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës.

Në javët e fundit, ndërsa zgjedhjet po afrojnë, ka pasur shenja tensioni në veri. Tensioni është rritur pasi policia Kosovare arrestoi një serb të Kosovës në Mitrovicë për pjesmarrje në krimin e organizuar. Ndërkohë, zyrtari i partisë Lista Serbe Ivan Todosijeviq u dënua po ashtu me burg për mohimin e masakrës së Reçakut, vendim që List serbe dhe Beogradi zyrtar e kontestuan.

Vetëm një muaj pas marrëveshjes që duhet të ndryshonte rrugën e dialogut Kosovë-Serbi, situata duket ende e pandryshuar.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor