Problemet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor tani janë të lidhura edhe me dezinformatat dhe lajmet e rreme të cilat tentojnë të destabilizojnë rajonin dhe mund të pengojnë realizimin e objektivave më të rëndësishme strategjike në Ballkanin Perëndimor. Për këtë temë dhe për të tjera, Portalb.mk zhvilloi intervistë me Bojana Zoriq, eksperte për çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor
Intervistoi: Fisnik Xhelili
Portalb: Ballkani Perëndimor si rajon gjeopolitik është në shënjestër të Rusisë dhe aktorëve të tjerë keqdashës që po përpiqen të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor përmes fushatave dezinformuese kundër BE-së, çfarë po bën BE-ja për ta luftuar këtë në rajon?
Bojana Zoriq: Sfidat e sigurisë kibernetike si dhe manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja janë po aq kërcënuese për Ballkanin Perëndimor sa edhe për BE-në. Ne kemi parë përpjekje të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet evropiane përmes fushatave të synuara dezinformuese, përpjekjeve për të ulur pjesëmarrjen në referendum për ndryshimin e emrit në Maqedoninë e Veriut që përfundimisht e çoi vendin drejt anëtarësimit në NATO në 2020 dhe rastin në Mal të Zi, kur zyrtarët rusë u përfshinë në një përpjekje për grusht shteti, që synoi të parandalojë anëtarësimin e vendit në NATO në 2017. Prandaj BE-ja po përpiqet të punojë me partnerët e Ballkanit Perëndimor në formate të ndryshme dhe të larmishme. Divizioni i Komunikimit Strategjik të EEAS (Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm) dhe Task Forcat e tij, për shembull, kanë mandatin për të siguruar zbatimin e politikës së jashtme të BE-së, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, kështu që ata punojnë në rritjen e ndërgjegjësimit, zhvillimin dhe zbatimin e qasjeve të synuara për t’u angazhuar me audiencën. Ajo që është e rëndësishme për mendimin tim kur diskutohet për dezinformimin është adresimi i problemeve strukturore, siç është shkrim-leximi (edukimi) mediatik, sepse Ballkani Perëndimor ka disa nga nivelet më të ulëta të edukimit mediatik në Evropë. Edukimi mediatik është thelbësore në trajtimin e problemit të ndërhyrjeve të huaja. Sa më të edukuar në aspektin digjital dhe kritik të jenë qytetarët, aq më të larta janë shanset që ata të jenë në gjendje të vlerësojnë informacionin që hasin në internet, të identifikojnë burime të besueshme dhe të marrin vendime të informuara.
Portalb: Cilat nisma specifike ose fusha kërkimore janë duke u prioritizuar për të adresuar kërcënimet në zhvillim dhe si mund të kontribuojnë këto në formësimin e politikave të sigurisë së BE-së?
Bojana Zoriq: Tani më shumë se kurrë, kërcënimet dhe sfidat e sigurisë po bëhen gjithnjë e më shumë transnacionale dhe tejkalojnë domenin tradicional të sigurisë ndërkombëtare. Sot ne shohim shumë sfida sigurie që nuk konsideroheshin si të tilla dekada më parë – ngrohja globale, mbipopullimi, ndotja, mungesa ushqimore, sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe furnizimeve me energji. Në spektrin tjetër, ne kemi gjithashtu sfida sigurie që bien në domenin tradicional të sigurisë, si luftërat, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe sulmet kibernetike. Me efektet e globalizimit, është bërë më e vështirë të izolosh një kërcënim të sigurisë ose një rast specifik, pa adresuar njëkohësisht gamën e kërcënimeve tjera. Domeni kibernetik ka qenë në qendër të vëmendjes në vitet e mëparshme, pasi me avancimin e teknologjisë, po shohim më shumë kërcënime në hapësirën kibernetike. Për shkak të një bote gjithnjë e më të ndërlidhur dhe natyrës komplekse të kërcënimeve të sigurisë, nuk do t’i jepja përparësi një domeni mbi tjetrin. Fusha kibernetike, mjedisore, ekonomike, ushtarake – të gjitha këto fusha kërkojnë vëmendje. Në këtë drejtim, kërkimi dhe inovacioni janë pika thelbësore të kësaj përpjekjeje pasi ne duam të sigurojmë që të jemi mjaftueshëm rezistentdhe të gatshëm për t’u përgjigjur sapo të ndodhë një kërcënim specifik.
Portalb: Bashkëpunimi evropian në siguri është thelbësor për adresimin e sfidave të përbashkëta. Si punon BE-ja për të promovuar bashkëpunimin midis vendeve anëtare të BE-së në fushën e sigurisë, por edhe me Ballkanin Perëndimor?
Bojana Zoriq: Korniza kryesore për të punuar me kandidatët dhe kandidatët potencialë të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE është përmes Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë (CFSP) dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). CFSP është pjesë e kritereve të anëtarësimit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ftuar zyrtarisht të përafrohen me CFSP-në të BE-së. Shkalla në të cilën vendet po e arrijnë atë është përcaktuar qartë në raportet vjetore të progresit të Komisionit Evropian për vendet individuale. Përafrimi i plotë me CFSP-në është tregues i përkushtimit dhe vullnetit serioz për integrimin në BE. Sipas CSDP-së, BE-ja është e angazhuar në rajon përmes operacionit ushtarak EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe përmes Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili mbetet i vetmi mision civil i BE-së me fuqi ekzekutive. Për forcimin e arkitekturës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, një sërë aktorësh, duke përfshirë OKB-në, BE-në, NATO-n, duhet të punojnë ngushtë së bashku dhe të bien dakord për prioritetet kryesore.
Portalb: Teknologjia është forcë shtytëse në formësimin e dinamikës së sigurisë. Si i qaset BE-ja ndërveprimit të teknologjisë dhe sigurisë?
Bojana Zoriq: Teknologjia është bërë pjesë integrale e sigurisë, gjithashtu sepse me përparimin e teknologjisë shoqëritë bëhen më të prekshëm ndaj sulmeve. Kjo është pikërisht arsyeja pse ne po fillojmë të diskutojmë dhe adresojmë gjithnjë e më shumë sfidat e sigurisë në fushën kibernetike. BE-ja po përpiqet gjithashtu të shohë mënyrat se si ne rregullojmë përhapjen e inteligjencës artificiale, por edhe ta përdorim atë në të mirën tonë. BE-ja ka Politikën e saj për Mbrojtjen Kibernetike që mbështetet në katër shtylla: 1) veprimi së bashku për mbrojtje kibernetike më të fortë të BE-së; 2) sigurimi i ekosistemit mbrojtës; 3) investimi në aftësitë e mbrojtjes kibernetike; dhe 4) partneriteti për të adresuar sfidat e përbashkëta. Pika 4 është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me punën BE-Ballkani Perëndimor në këtë fushë. Së bashku me shtetet anëtare të BE-së, BE-ja ka zhvilluar gjithashtu një ‘kuti mjetesh të diplomacisë kibernetike’ për të mbrojtur veten nga kërcënimet kibernetike që vijnë nga jashtë. Ka shumë më tepër projekte dhe iniciativa të zbatuara brenda BE-së. Kjo është edhe qasja që BE-ja do të donte të zbatonte me partnerët e saj. Një shembull është iniciativa franko-sllovene për krijimin e Qendrës së Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C) në Mal të Zi për të forcuar bashkëpunimin rajonal – kërcënimeve kibernetike. Këto iniciativa janë më se të mirëpritura pasi ato bashkojnë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, duke trajtuar të njëjtat sfida dhe më pas duke përafruar qasjet.
Portalb: Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja për të mbrojtur të rinjtë e Ballkanit Perëndimor nga narrativat anti-BE dhe anti NATO dhe për të rritur ndërgjegjësimin e tyre, por edhe angazhimin e tyre më të madh në këtë fushë?
Bojana Zoriq: Rinia përfaqëson zë kritik në adresimin e sfidave të sigurisë në ditët e sotme. Rezoluta 2250 e OKB-së për rininë, paqen dhe sigurinë ishte rezoluta e parë e këtij lloji, që lidhte të rinjtë si agjentë të ndryshimit në promovimin e paqes dhe stabilitetit. Kjo është ajo që duhet ndjekur në çdo nivel, nga ai lokal, kombëtar, rajonal në atë evropian. Një mënyrë për të adresuar mungesën e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, në proceset e paqes dhe në zgjidhjen e konflikteve në përgjithësi, është t’u ofrohen të rinjve mjetet e disponueshme për sa i përket mundësive të punësimit dhe edukimit, gjithashtu tu jepet mundësi për të “të thënë fjalën” për një mori sfidash që i prekin ata po aq sa prekin të gjithë neve së bashku. Ne duhet të sjellim rininë në qendër të diskutimeve politike për sfidat e sigurisë, sepse të rinjtë janë liderët e së nesërmes, ndaj nuk duhet t’i lëmë jashtë ekuacionit.
Portalb: Për fund, cili është mesazhi juaj për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor?
Bojana Zoriq: Mos u dorëzoni dhe gjithmonë dini se cilat janë të drejtat e juaja dhe dini se çfarë mund të bëni. Ju jeni pasuri e jashtëzakonshme për çdo shoqëri, sa më këmbëngulës të jeni në përcjelljen e zërit tuaj te vendimmarrësit, aq më shumë mundësi do të keni.