Deklarata e zëvendësministrit të Mbrojtjes për kinse aktivitete të përbashkëta në veri mes Forcës së Sigurisë dhe KFOR-it, është mohuar nga misioni që për mandat ka garantimin e sigurisë së Kosovës.
Më 26 mars 2024, në emisionin “CLICK” në RTV21, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, gjatë diskutimit në lidhje me 25-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, tek foli për raportet mes KFOR-it dhe FSK-së, tha se ka pasur aktivitete të përbashkëta mes tyre edhe në veriun e Kosovës.
“Kemi pasur aktivitete bashkë në pjesën e veriut, nuk është se nuk kanë qenë ushtarët tanë atje”, është shprehur Syla.
Mes Kosovës dhe NATO-s, aktualisht ka një marrëveshje që vazhdon të jetë në fuqi, të cilën e pati nënshkruar ish-kryeministri Hashim Thaçi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, sipas së cilës Kosova nuk mund ta dërgojë ushtrinë në veri pa lejen e posaçme të Komandantit të KFOR-it.
Syla në intervistë ka folur për këtë marrëveshje, duke thënë se e kanë parasysh por la të nënkuptohet se, nëse paraqiten rrethana të reja, edhe mund të mos e respektojnë atë. “Por, duhet ta kuptojmë se në një rrethanë tjetër kur ka ndodhur, është shkruar një dokument, por nuk do të thotë që do të vlejë gjithnjë ai dokument në situata të tjera, të cilat po krijohen dhe janë duke u krijuar. Domethënë, ka qenë një kohë kur është shkruar një dokument i tillë, por nuk do të thotë që do të jetë gjithmonë ashtu”, është shprehur Syla. Duke folur për takimet që kanë pasur me KFOR-in, ai shtoi se Kushtetuta i obligon që ta mbrojnë çdo pjesë të vendit.
“As veri, as jug nuk përmendet, po të jemi të gatshëm. Janë këto gjëra komplekse, të ndjeshme, por që janë reale, që duhet me i bisedu, edhe duhet me pasë parasysh në situata të jashtëzakonshme çfarë veprimesh duhet të marrim, por gjithnjë në koordinim, jo kokë në vete”, ka theksuar ai.
Por, në KFOR kanë mohuar se kanë pasur aktivitete të përbashkëta me FSK-në në veri.
Në përgjigjen me shkrim për Sbunkerin, ata thanë se çdo dislokim i Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e Komandantit të KFOR-it.
“Ne mirëpresim institucionet në Kosovë për respektimin e vazhdueshëm të këtij angazhimi. Ne presim konsultime me kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës, që mund të ndikojë në sigurinë rajonale,” shkruan në përgjigjen e KFOR-it.
Tek kanë theksuar se nuk ka pasur aktivitete të përbashkëta KFOR-FSK, ata treguan për angazhimet që i kanë ekipet e tyre me mekanizmat e sigurisë në vend. “Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-i, cili është entitet i veçantë në KFOR, vijon me mbështetjen e vet për zhvillimin e mëtejshëm të organizmave të sigurisë në Kosovë, përmes aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve, edukimit dhe koordinimit të trajnimeve, në radhë të parë në përputhje me mandatin për emergjenca civile të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, shkruan në përgjigje.
Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, më 23 prill 2023, ku për herë të parë fituan kryetarë shqiptarë si rezultat i bojkotit të serbëve, shpërthyen tensionet. Më 29 maj 2023, KFOR-i u përfshi në menaxhimin e turmës së protestuesve të dhunshëm në Zveçan, të cilët kundërshtuan vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Brishtësia e situatës në veri kulmoi me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Nga ana e sulmuesve që udhëhiqeshin nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, u vranë tre pjesëtarë, ndërkaq pjesa tjetër u largua në Serbi. Pas këtij akti, KFOR-i rriti numrin e trupave dhe shtoi patrullimet përreth kufirit Kosovë-Serbi.
Mbështetur në mandatin aktual, KFOR-i është reaguesi i tretë pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
“KFOR-i do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lëvizjen e lirë për të gjithë njerëzit të cilët jetojnë në Kosovë – në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar të vitit 1999, gjatë gjithë kohës dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë, përkatësisht të dytë të sigurisë, me të cilin ne koordinojmë ngushtë aktivitetet tona”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
NATO-ja dhe BE-ja janë duke kërkuar që mosmarrëveshjet mes palëve të zgjidhen dhe tensionet të tejkalohen përmes dialogut të Brukselit, i cili deri tash ka mbetur nën hijen e tensioneve në veri.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”